Banorët e lagjës “Kroi i Vitakut” në veri të Mitrovicës kanë protestuar sot në lagjen e tyre për ndaljen e energjisë elektrike prej dy javë ditësh. Ata kanë kërkuar ndihmë nga KEDS, mirëpo kompania që është përgegjëse për furnizim me energji elektrike në Kosovë thotë se nuk ka nën menagjim atë pjesë të Mitrovicës.
Qytetarët e kësaj lagjeje të banuar kryesisht me shqiptare, thonë se kanë lajmëruar Policinë e Kosovës dhe KEDS-in, mirëpo që këto dy institucione nuk kanë ndërmarr asnjë hap. Ata kërcënojnë se do të ua prishin trafot edhe banorëve serbë të Mitrovicës së veriut, në qoftë se nuk ndërmerret asnjë hap për rikyçjen e energjisë elektrike.
“I kena thirrë policinë edhe KEDS-in edhe ata nuk janë ardh me ndreq rrymën, tash banorët janë mbledhë sepse janë të revoltuar nga kjo situatë. Banorët po kërcënojnë se nëse nuk vjen kërkush kemi me ua prish edhe serbëve trafot e energjisë elektrike”, ka thënë një qytetar i lagjes “Kroi i Vitakut” për Insajderin.
Në anën tjetër, KEDS ka thënë se nuk është përgjegjëse për furnizimin me energji elektrike të lagjes “Kroi i Vitakut”. Insajderi ka kontaktuar me Qendrën e Thirrjeve në KEDS, të cilët mohuan të kenë nën menagjim atë pjesë të Mitrovicës.
Ata pretendojnë se furnizimi me energji elektrike për atë lagje është kompetencë e serbëve të veriut të Mitrovicës.
“Ekipa jonë në Mitrovicë po thonë që trafon në lagjen Kroi Vitakut e kanë nën menagjim Mitrovica Veriore, ne nuk i lexojm ata kilovat. Ekipi i KEDS-it është njoftuar se ajo pjesë nuk është përgjegjësi e jona”, ka thënë një zyrtar nga Qendra e Thirrjeve në KEDS. /Insajderi.com