×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Dy kryeministra evropianë vizitojnë Kosovën të martën

    Insajderi
    30 June 2023 - 11:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Të hënën më 3 dhe të martën më 4 korrik, kryeministri holandez Mark Rutte do të vizitojë Serbinë dhe Kosovën së bashku me kryeministrin e Luksemburgut Xavier Bettel.

    Lajmin e ka bërë të ditur sot qeveria holandeze përmes një komunikate për media.

    Sipas komunikatës, Rutte dhe Bettel do të diskutojnë me liderët e të dyja vendeve për tensionet në veri të Kosovës.

    “Vizita ofron një mundësi për të diskutuar tensionet midis Serbisë dhe Kosovës dhe rëndësinë e de-përshkallëzimit dhe përkushtimit ndaj dialogut të udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në njoftimin e qeverisë holandeze.

    Rutte, i shoqëruar nga Bettel, së pari do të shkojë në Serbi të hënën pasdite, për të vazhduar vizitën e tij në Kosovë të martën.

    Në Kosovë, dy kryeministrat evropianë do të takohen me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

    “Të martën më 4 korrik, kryeministri Rutte dhe kryeministri Bettel do të jenë në Prishtinë. Ata do të priten këtu nga presidentja Osmani-Sadriu. Kanë një takim edhe me kryeministrin Kurti, ku ndër të tjera diskutojnë për zhvillimet e fundit në rajon dhe luftën në Ukrainë”, thuhet në njoftim.

    Vizita e tyre në Kosovë do të mbyllet me një takim me përfaqësues të OJQ-ve kosovare në fushën e lirisë së shtypit dhe LGBTIQ+.

    Vizita e Rutte dhe Bettel në Kosovë, vjen në një kohë kur tensionet mes Kosovë dhe Serbisë po shkojnë duke u rritur.

    Të enjten, Qeveria e Kosovës i shpalli organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadat e Veriut”, dy grupe të përqëndruara në veriun e Kosovës. Shpallja e tyre si organizata terroriste e ka tensionuar më shumë situatën.

    Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që u zgjodhën më 23 prill. Këto votime u bojkotuan nga popullata serbe.

    Që nga 26 maji, serbët kanë protestuar në veri dhe që atëherë në këtë zonë janë regjistruar disa sulme me shok-bomba dhe granata dore, që kanë shkaktuar dëme materiale, por pa pasoja në njerëz.

    Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të shtensionojnë menjëherë situatën dhe Prishtina të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat në veri.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark