Dy vjet në paraburgim, procedura ndaj ish-krerëve të UÇK-së konsiderohet se është zvarritur - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Dy vjet në paraburgim, procedura ndaj ish-krerëve të UÇK-së konsiderohet se është zvarritur

    Insajderi
    05 November 2022 - 08:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Janë bërë dy vjet prej arrestimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndërsa ende nuk ka filluar procesi gjyqësor ndaj tyre. Procedura paraprake është karakterizuar me akuza të mbrojtjes drejtuar Zyrës së Prokurorit të Specializuar, me pretendime për fshehje të provave shfajësuese, redaktime të shumta në materiale dhe vonesa në nxjerrjen e dokumenteve. Njohës të proceseve gjyqësore thonë se këto dy vjet janë përcjellë me ballafaqime të mëdha në mes të palëve.

    Avokati i akredituar në Gjykatën Speciale, Artan Qerkini vlerëson se procesi në procedurën paraprake është zvarritur tej mase.

    Ai shton se procesi është përcjellur me parregullsi të shumta, ku prokuroria nuk i është përmbajtur afateve për dorëzimin e provave.

    “Kohëzgjatja e paraburgimit është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare, përkatësisht me standardet e njohura nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut sepse thjesht të pretendohet se ekziston rreziku i ikjes për të pandehurit, e kam fjalën për zotin Thaçi, Selimi, Krasniqi dhe Veseli, dihet se ata janë dorëzuar vullnetarisht në tribunal në Gjykatën Speciale, është me të vërtetë qëndrim që është në kundërshtim me rregullat e të menduarit logjik, po ashtu konstatimi i gjykatës se ekziston rreziku i ndikimit në prova është i paqëndrueshëm sepse të gjithë dëshmitarët janë marrë në pyetje, pastaj vet gjykata është themeluar jashtë territorit të Kosovës me të vetmin qëllim që të pengohet mundësia e ndikimit në dëshmitarë dhe këto fare nuk po merren parasysh dhe paraburgimi po vazhdohet në mënyrë automatike, për mendimin tim në kundërshtim me standardet ndërkombëtare”, thotë Qerkini.

    Qerkini thotë se vonesa e dorëzimit të provave nga prokuroria te mbrojtja, ndikon që kjo e fundit të ketë vonesa në hetimet e saj dhe përgatitjen e rastit.

    Ndërsa, Medina Kadriu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, e cila monitorin proceset në Hagë, thotë se avokatët janë ankuar për redaktime të shumta në aktakuzë, çka sipas tyre po i pengon në përgatitjen e çështjes që ata mbrojnë.

    “Deri më tani faza paraprake është përcjellur me ballafaqime të shumta mes prokurorisë dhe mbrojtjes ku kjo e fundit ka akuzuar për redaktime të shumta në aktakuzë dhe në provat materiale… Ndër akuzat më të mëdha që i janë bërë kësaj prokurorie nga ana e mbrojtjes është ajo se këta të fundit nuk i kanë nxjerrë provat shfajësuese gjykatës dhe mbrojtjes, pavarësisht se i kanë pasur në kontroll dhe posedim, e që nëse vërtetohet se kjo është e vërtetë atëherë kemi të bëjmë me një shkelje flagrante të detyrimeve të prokurorisë pasi e njëjta është e obliguar që mbrojtjes dhe të akuzuarit t’i vë në dispozicion të gjitha provat përfshirë ato shfajësuese që në momentin që i ka në dijeni, kontroll apo posedim”, thotë Kadriu.

    Për shkak të redaktimeve të shumta në aktakuzë, mbrojtja e ish-presidentit, Hashim Thaçi ka bërë të ditur se nuk mund ta paraqesë të plotë njoftimin e saj për alibi.

    Gjithashtu, mbrojtja e Rexhep Selimit ka thënë se aktualisht nuk mund të paraqes fare njoftim për alibi por që rezervon të drejtën ta bëjë një gjë të tillë porsa të largohen redaktimet nga aktakuza dhe provat.

    Arrestimin dhe mbajtjen në paraburgim të ish-krerëve të UÇK-së, shoqatat e dala nga lufta vazhdojnë ta konsiderojnë të padrejtë dhe si luftë ndaj vlerave të luftës për liri e pavarësi.

    Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari thotë për KosovaPress, se është shqetësuese që lënda ende nuk i ka kaluar trupit gjykues, ndërsa të akuzuarit vazhdojnë të mbahen në paraburgim.

    “Kjo është një luftë e paprecedentë ndaj vlerës së popullit dhe kombit, ndaj luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për neve është shqetësuese që dy vite, nuk e di a ka ndodhur diku, ende të mos kalojë në fazën e argumentimit për çka edhe akuzohen krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë rast duhet të kenë kujdes institucionet e vendit, edhe ata që janë në pozita të ndryshme në këto institucione, që të mos bëjnë deklarata të paqëndrueshme dhe të thuhet se po gjykohen individë. Pretendimet janë në bazë të një raporti dhe shpifjeve imagjinare që i ka bërë një senator Dick Marty, në bashkëpunim me Serbinë, në këtë rast me prokurorinë serbe dhe gjithë ato shpifje që i ka bërë i ka bërë ndaj luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kihet parasysh se atje janë krerët ata që e kanë themeluar UÇK-në”, thotë Jashari.

    Deri më tani, ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë zhvilluar 15 konferenca për ecurinë e çështjes.

    Aktakuza nën pretendimin për krime lufte kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, ishte konfirmuar në tetor të vitit 2020, e cila u pasua me arrestimin e tyre dhe dërgimin në Hagë.

    Ish-krerët e UÇK-së ndodhën në qendrën e paraburgimit në Hagë, derisa presin të fillojë procesi gjyqësor ndaj tyre. Ata janë deklaruar të pafajshëm para gjykatësit të procedurës paraprake.

    Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj tyre, ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark