Dyshime serioze janë ngritur brenda vetë Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), pasi është bërë e ditur se votat e prokurorëve në procesin për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit janë ruajtur në zyrën e kryesuesit Ardian Hajdaraj.
Zbulimi doli në pah gjatë mbledhjes së 276-të të KPK-së, kur anëtari Veton Shabani pyeti publikisht kryesuesin se ku ndodheshin votat.
Përgjigjja e Hajdarajt ishte e qartë: “Në zyrën time.” Kjo deklaratë shkaktoi reagim të menjëhershëm nga Shabani, i cili tha se një veprim i tillë e komprometon procesin:
“Ato vota, nëse janë tek ju, për mu dhe për çdokënd janë të komprometume. Unë s’di qysh ke pas guxim me i marrë ato vota në zyrën tënde.”
Në mbledhje ndërhyri edhe anëtari tjetër i Këshillit, Arian Gashi, i cili theksoi se kishte kërkuar që votat të ruheshin në zyrën e sekretarit të KPK-së dhe jo në atë të kryesuesit, për të ruajtur integritetin dhe transparencën e procesit.
Debati shpërtheu në momentin kur po elaborohej ankesa e kandidates Merita Kurtishi-Gaka, e cila kishte kontestuar ligjshmërinë e procedurës së votimit. Megjithatë, në fund të diskutimeve, ankesa e saj u refuzua nga shumica e anëtarëve të Këshillit. Ky zhvillim ka ngritur shqetësime për besueshmërinë dhe pavarësinë e brendshme të KPK-së, duke hedhur hije dyshimi mbi mënyrën se si po administrohen proceset e brendshme në institucionin që mbikëqyr sistemin prokurorial në vend.