Prokuroria Themelore e Ferizajt ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër Bratislav Nikoliq, ish-kryetarit të Shtërpcës për rastin e njohur si “Brezovica 1”.
Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri B.N., si person zyrtar – Kryetar i Komunës së Shtërpcës, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, duke mundësuar dhënien e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në zonën e tretë dhe të dytë të vikendzonës në Brezovicë, me ç’rast do të kryente veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”.
Për të njëjtin, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer edhe veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Ushtrimi i ndikimit”, si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, shkruan Gazeta Insajderi.
Lexo edhe:
Bratislav Nikoliq i njohur si Braçe ishte arrestuar dhjetorin e kaluar nga Policia e Kosovës pas një operacioni që ishte zhvilluar në 12 lokacione.
Nikoliq, dyshohet që ka përfituar mbi 1 milion euro dhe dhurata si vetura dhe vila për lëshimin e lejeve të ndërtimin në Brezovicë.
“Dyshimet konsistojnë në vlera që kalojnë milionat. Ish-Kryetari i Komunës së Shtërpcës dyshohet se ka marrë mbi 1 milionë euro, disa villa që janë përfituar si dhurata, vetura që janë dhënë si dhurata për lëshimin e lejeve”, pati thënë Policia.
Brezovica konsiderohet si një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit.
Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”./Gazeta Insajderi/
Shiko edhe: