×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Rasti Brezovica – Ngritet aktakuzë ndaj ish-sekretarit të Mjedisit që në aferën “Pronto” përmendej si i besueshëm i njerëzve të Adem Grabovcit

    Insajderi
    09 December 2022 - 17:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Sot është ngritur aktakuzë kundër Arben Çitakut, ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, si i përfshirë në rastin “Brezovica 1”.

    Gazeta Insajderi

    Prokuroria Themelore e Ferizajt ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, Arben Çitaku në rastin “Brezovica 1”.

    Sipas njoftimit të Prokurorisë Arben Çitaku dyshohet se si person fizik në periudhën 2016 dhe 2017 ka keqpërdorur detyrat zyrtare.

    “Për të pandehurin A.Ç- ekziston dyshimi i bazuar mirë se gjatë vitit 2016 dhe 2017, si person zyrtar- Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, ka keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, me këtë do të kryente veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 të lidhur me par.2 nënpar.2.2 KPRK-së. Për të njëjtin, ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontrolle ose në posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par. 1 të KPRK-së”, njofton Prokuroria, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ish-sekretari i ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku, ishte arrestuar më 6 janar të këtij vitit nga Policia në rastin e njohur si Brezovica.

    Çitaku ishte emëruar në pozitën e sekretarit të Ministrisë së Mjedisit me 6 korrik të vitit 2011, në kohën sa Hashim Thaçi kishte qenë kryeministër i vendit, teksa ishte larguar nga puna me vendim të kryeministrit aktual Albin Kurti në shkurt të vitit 2020.

    Gjatë periudhës kur ai kishte qenë sekretar në ministri, Çitaku ishte përmendur edhe në një nga bisedat telefonike të të Adem Grabovcit, në aferën e njohur “Pronto”, të zbuluar në vitin 2016 nga Gazeta Insajderi.

    Në bisedën e Grabovcit me një doktor që nuk identifikohet, Arben Çitaku përmendet si person “i zgjedhur” për të qenë pjesë e një komisioni për zgjedhjen e një zyrtari të lartë shtetëror.

    Pozita e Sekretarit të Përgjithshëm, që Çitaku e mbajti rreth 9 vite, është pozita më e lartë drejtuese në Ministri, me status të shërbyesit civil, i cili udhëheq me punën e departamenteve, zyrave dhe njësive institucionale. Sekretari i Përgjithshëm i përgjigjet drejtpërdrejt Ministrit.

    Gjatë kohës që Arben Çitaku ka qenë Sekretar, Ministria e Mjedisit është njohur për disa ‘skandale’, ku shpesh lakohej edhe emri i tij.

    Një vendim kundërthënës ishte marrë në shtator të vitit të kaluar nga Ministria e Mjedisit, ku ish-ministri Fatmir Matoshi, kishte vendosur ta heqë bllokadën për hidrocentrale. Ish-sekretari i MMPH-së, Arben Çitaku me 6 shtator të vitit 2019, kishte kërkuar nga ministri Matoshi që ta zhbllokojë këtë proces, duke thënë se marrëveshja në të cilën ishte thirrur ish-ministrja Albena Rashitaj, tashmë nuk është në fuqi, pas shpërbërjes së parlamentit.

    Një tjetër ‘skandal’ ishte shkaktuar edhe kur në draft-ligjin e ri për ujërat të Ministrisë së Mjedisit, në kohen kur Çitaku kishte qenë sekretar i saj, ishte paraparë shuarja e Këshillin Ndërministror të Ujërave, këshill i cili mbështetej nga ambasadat e huaja dhe është funksional që nga viti 2013.

    Kjo tentativë i kishte alarmuar ambasadat që deri tash e kanë mbështetur këtë këshill. Atëkohë sekretarit të Përgjithshëm të MMPH, Arben Çitakut me 25 shtator të vitit 2019, i kishte shkuar një letër nga Ambasadat e Zvicrës, Suedisë, Francës dhe Gjermanisë dhe nga Bashkimi Evropian, zyra në Kosovë, të cilët e kishin shprehur shqetësimin rreth tentativës së ministrisë për shuarjen e Këshillin Ndërministror të Ujërave.

    Brezovica konsiderohet si një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit.

    Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”./Gazeta Insajderi/

    Shiko edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark