
Infermieri i përgjithshëm në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, Liridon Kastrati, ditë më parë ka ngritur dyshime për parregullsi në konkursin për pozitën e kryeinfermierëve dhe drejtorit të infermierisë.
Ai kishte thënë për Gazetën Insajderi se dy ditë para përmbylljes së konkursit ishte shtuar si kriter edhe shkolla e mesme mjekësore, ndonëse bëhej fjalë për pozitë menaxheriale. Kastrati gjithashtu përmendi presionin që sipas tij ushtrohej në zyrën e arkivit për të marrë informacione mbi kandidatët, si dhe parregullsi gjatë testit me shkrim.
Pas këtyre pretendimeve, Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka reaguar duke iu përgjigjur pyetjeve të Insajderit. Nga ky Spital kanë mohuar të ketë pasur shkelje dhe e quan procesin transparent.
“Fillimisht duam të theksojmë se z. Liridon Kastrati nuk ka paraqitur ankesë në procedurë lidhur me konkursin në fjalë dhe as që ka ardhur ta shoh testet e tij që sipas procedurës ka të drejtë”, thuhet në reagim.
Sa i përket ndryshimit të kritereve, menaxhmenti shpjegon se kjo është bërë për të gjitha repartet, jo vetëm për ortopedinë.
“Kriteret gjatë konkursit ende pa përfunduar aplikimi nuk janë ndryshuar vetëm për repartin e Ortopedisë, por për të gjitha 25 pozitat e kryeinfermierëve. Arsyeja është se në disa reparte nuk ka pasur aplikime nga kandidatë me diplomë ‘bachelor’ dhe nuk kemi dashur që konkursi të dështoj”.
Në reagim shtohet se ndryshimi nuk ka dëmtuar askënd dhe se vendimi u mor që repartet të mos mbeten pa kryeinfermierë.
“Është paraparë mundësia që për këto pozita të aplikojnë edhe kandidatë me shkollë të mesme të mjekësisë dhe njoftimi ka dalë me kohë në vendet ku edhe është shpallur konkursi”.
“Nuk është faji i Menaxhmentit që kandidati nuk e kalon asnjërin test me shkrim siç ka ndodhur në rastin e z. Kastrati. Menaxhmenti i Spitalit i qëndron plotësisht pas transparencës dhe ligjshmërisë së procedurave të rekrutimit”.
“Nuk është e vërtetë që ndonjë kandidati i është kufizuar koha për pjesëmarrje. Në rastin konkret, intervistat për dy pozitat për të cilat ka aplikuar z. Kastrati janë në dy salla paralele me dy komisione të ndryshme. Z. Kastrati i është mundësuar që pasi ka kryer testin në njërën pozitë, të futet edhe në sallën tjetër… Asnjëherë nuk i është kufizuar koha dhe ai ka qëndruar sa ka dashur duke i plotësuar testet”.
Sipas menaxhmentit, për këtë janë dëshmitarë edhe anëtarët e komisioneve, shumica prej të cilëve nuk janë pjesë e spitalit, por edhe kandidatët që kanë marrë pjesë në konkurs.
“Që nuk i është kufizuar koha dhe që i është garantuar pjesëmarrja në të dyja testet janë dëshmitar gjithë anëtaret e komisionit që në Komision anëtaret kanë qenë jashtë Spitalit, por edhe gjithë kandidatët në këtë konkurs“.
Për detaje të mëtejshme, gjeni intervistën e plotë më poshtë: