×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    E ardhmja e Beqir Kalludrës në duar të “Dajës”

    Insajderi
    14 March 2018 - 14:46

    Nuk duhen aktgjykime të formës së prerë për të ditur nëse dikush është kriminel ose jo. Aq më pak të gjykatësve kosovarë.

    Aktgjykime të shumta lirues janë shpallur këto dy vjetët e fundit për kriminelë, mbi supet e të cilëve peshojnë krime prej më të rëndave – kryesisht kundër shtetit dhe integritetit të trupit dhe jetës.

    Të tillë ka shumë në Qeveri, e shumë më shumë në Kuvend.

    I këtij kalibri është Azem Syla.

    Të këtij kalibri janë edhe ata që e mbrojnë atë duke e sulmuar sistemin gjyqësor.

    “Pse Glauk duhet rastin ‘Toka’ me kthy si shenjë që nuk po luftohet korrupsioni. Ky burrë Azem Syka i ka ba nja pesë vjet nëpër procese gjyqësore. Pasha zotin ma në faj është gjyqësori se ai njeri”, tha kryeministri Haradinaj në foltoren e Kuvendit.

    Me këtë deklaratë, Haradinaj dha dy mesazhe: Njëri kërcënues për gjyqësorin dhe tjetri inkurajues për kriminelët.

    Prej ardhjes në krye të Qeverisë, Ramush Haradinaj ka treguar zemërgjerësi të jashtëzakonshme për kriminelë. Në zyrën e tij ka pritur disa prej tyre.

    E kësaj fryme është edhe mbrojtja e fundit që i bëri Sylës. Haradinaj, po e mbron një të akuzuar i cili ia ka zhvatur shtetit të Kosovës nja 30 milionë euro si drejtues i një grupi kriminal të përbërë nga vrasës si Shaban Syla, Bekim Syla, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe të tjerë.

    Ky burrë, pra Azem Syla siç e cilësoi kryeministri Haradinaj, ishte i pandashëm nga këta burrat tjerë kriminelë të dënuar me aktgjykim të formës së prerë.

    Nga dita e hënë, i mbrojturi i kryeministrit Haradinaj, Azem Syla është i lirë. Ai doli nga Burgu i Sigurisë së Lartë jo pse kishin ndryshuar rrethanat, por se rasti iu transferua gjyqtarëve kosovarë.

    Syla vazhdon të jetë kërcënim real për dëshmitarët. Ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale. Ekziston edhe rreziku i ndikimit në procedurë. Të tria këto elemente janë evidente.

    Por, gjyqtari Beqir Kalludra i njohur për simpatinë e tij për Hitlerin, vlerësoi se asnjëra prej këtyre rrethanave nuk është më reale. Mori vendim ta lirojë “Dajën”, përpara nisjes së procesit gjyqësor.

    Formalisht Azem Syla dhe të tjerët që zhvaten mbi 30 milionë euro pasuri të shtetit pritet të gjykohen nga një trup gjykues i kryesuar nga Beqir Kalludra.

    Realisht, Beqir Kalludra do të gjykohet nga Azem Syla.

    E ardhmja e tij si gjyqtar më nuk varet nga përformanca e tij, por nga vlerësimi që do t’i bëjë Azem Syla.

    Nëse Kalludra dëshiron të vazhdojë punën si gjyqtar dhe të ngritët në karrierë, Azem Sylën duhet ta shpallë të pafajshëm. Kur ta bëjë këtë, ai mund të avancohet në pozitën e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit. Mund të avancohet edhe në pozitë të kryetarit të Gjykatës. Madje mund të arrijë edhe në Gjykatën Supreme.

    Nëse ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij, Kalludra duhet të gjykojë drejtë bazuar në provat e shumta që ka para vetës duke e shpallur fajtor Azem Sylën.

    Por, nuk guxon do ta bëjë këtë.

    Fillimisht, një pjesë të madhe të provave dhe dëshmive të dy dëshmitarëve të mbrojtur do t’i shpallë prova të papranueshme. Rrjedhimisht do ta rrëzojë akuzën e krimit të organizuar. Do ta rrezojë edhe akuzën e ushtrimit të ndikimit. Në fund, do ta shpallë të pafajshëm.

    Disa zyrtarë të vegjël të Komunës, Gjykatës dhe disa avokatë do të dënohen me kusht. Në këtë mënyrë përmbyllet gjykimi për rastin “Toka”.

    Azem Syla pastaj do të bëjë akuza për gjykim të motivuar politikisht. Do ta padis shtetin duke kërkuar nja 5 milionë euro dëmshpërblim. Në këtë frymë, edhe mund të marrë dëmshpërblimin për të “të gjitha vuajtjet dhe dëmtimin e reputacionit që i është shkaktuar”.

    Rasti i tij do të merret si shembull nga politikanët tjerë të korruptuar se si “është persekutuar dikush në emër të drejtësisë”. Për këtë mund të flasë edhe Ramush Haradinaj. Sigurisht nga pozita e ish-kryeministrit.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark