×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    E dyshimtë | 5.6 milionë € dëm, Prokuroria kërkon ta lirojë bixhozxhiun me vetëm 200 mijë € konfiskim

    Insajderi
    11 October 2023 - 15:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Prokurorja Speciale, Merita Bina-Rugova po kërkon që të akuzuarin për bixhoz ilegal, Gaspër Kaçinari ta liroi nga aktakuza, me marrëveshje, duke ia konfiskuar 200 mijë euro prejardhjen e të cilave e vlerëson të dyshimtë. Në aktakuzën ku ai është pjesë e një grupi, vet Prokuroria Speciale konstaton se dëmi i grupit ishte mbi 5.6 milionë euro derisa fitimi mbi 940 mijë euro.

    Visar Duriqi

    24 mars 2021. Këtë ditë dikush mund të ishte duke përkujtuar nisjen e bombardimeve të NATO-s për çlirimin e Kosovës, por disa policë kosovarë ishin vënë në punë nga një urdhër i shpejt, vetëm me gojë, i Gjyqtarit të Procedurës Paraprake.

    Po e bastisnin një lokal në Kryeqytet ku në mënyrë të rregullt takohej një grup njerëzish. Hetimi do të zbulonte që qëllimi i takimeve të tyre ishte koordinimi i bixhozit ilegal që kishte filluar të lulëzonte fill pasi që në Republikën e Kosovës u bë çdo formë bixhozi e ndaluar.

    Atë ditë, pranga do t’iu viheshin Skerdi Feros, Sokol Stafajt, Alban Petit, Lulzim Paqaradës, Fidan Hoxhës, Gasper Kaçinarit, Jozef Gjinit, Fisnik Sadrijat, Flakron Kurteshit e Rrezarta Miftarajt.

    Ndaj këtyre personave tash rëndon edhe një aktakuzë, një kopje të së cilës e posedon gazeta Insajderi.

    Prokuroria rrugës për marrëveshje me vetëm 200 mijë euro konfiskim

    Një person në veçanti bie në sy, pasi që edhe Prokuroria i ka kushtuar pjesë brenda aktakuzës, dhe që për të cilin së paku ngre dyshime serioze për paratë që ai deponoi në bankë derisa grupi po operonte, sipas Prokurorisë, në një skemë të madhe bixhozi ilegale. Gaspër Kaçinari.

    “…vetëm për janar, shkurt dhe 15 ditë të muajit mars të vitit 2021, humbja e shkaktuar shoqërisë kosovare nga kjo vepër penale kapin shumen prej 5,668,584.08 €, ndërsa fitimi i organizatoreve ka qenë 947,724.65 €”, kështu e përshkruan Prokurorja e rastit, Merita Bina-Rogova këtë grup.

    Për vet të akuzuarin Kaçinari, ajo ka përshkruar se gjatë hetimeve kanë gjetur që mbi 200 mijë euro që ai i deponoi në bankë, nuk mund ti arsyetonte.

    Edhe pse Prokuroria pretendon që grupi ka shkaktuar dëm prej mbi .6 milionë eurosh, e ka përfituar për një periudhë relativisht të shkurtër mbi 940 mijë euro, po e njëjta Prokurore, Merita Bina-Rugova, sic merr vesh Insajderi, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special që të hyj në marrëveshje me të akuzuarin Gaspër Kaçinari vetëm duke ia konfiskuar shumën mbi 200 mijë euro në xhirollogarinë e tij.

    Në një përllogaritje të thjesht del që Prokuroria po kërkon lirimin nga akuza të Kaçinarit duke ia konfiskuar vetëm 22 përqind të fitimit të grupit, që vet Prokuroria deklaron që ka qenë mbi 940 mijë euro.

    Insajderi ka javë që ka dërguar pyetje në Gjykatën Themelore në Prishtinë për ti pyetur se a do ta pranojnë këtë marrëveshje, apo do ta refuzojnë atë. Gjykata nuk është përgjigjur ende.

    Insajderi për këtë marrëveshje e ka pyetur edhe Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, por as ata nuk kanë kthyer ende një përgjigje.

    Përgjigje nuk ka pasur as vet i akuzuari Gaspër Kaçinari.

    Pretendimi i Prokurorisë: Kaçinari i futi në bankë paratë e krimit

    “Duke e ditur se pasuria e tij buron nga aktivitetet kriminale të përshkruara në dispozitiv… dhe është e fituar me kryerjen e veprave penale, me qellim të fshehjes së këtyre aktiviteteve dhe burimit të vërtetë të pasurisë, parat e tilla i ka futur ne sistemin bankare përmes deponimeve të të hollave të gatshme, kryesisht në xhirollogarinë….. në emër të tij”, thuhet në aktakuzë.

    Sipas Prokurorisë, Gaspër Kaçnari i fuste këto para në xhirollogari, si deponime, nga 1000 euro, deri në një rast  ku deponoi 200 mijë euro, më 12 janar 2021.

    Pastaj, sipas Prokurorisë,  e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës së tyre përmes transfereve bankare, me qëllim që në fund ti integrojë duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe te paluajtshme – si garazha, toka pyjore e blere, vetura e modelit Mercedes Daimler – Chrysler e të tjera.

    “Me këtë e ka kryer veprën penale shpërlarja e parave nga neni 302 te KPRK lidhur me nenin 56 paragrafi 1 nenparagrafi 1.1. te Ligjit nr. 05/L 096 për Parandalimin e Pastrimit te Parave dhe Luftimin e Financimit te Terrorizmit”, thuhet në aktakuzë.

    Sipas Prokurorisë, shumën prej 200 mije eurosh, të deponuar me 12. 01.2021 “i pandehuri gjithashtu e ka shënuar se kinse e ka burim të ligjshëm, “nga shitja e shtëpisë familjare në Prishtine” dhe i kishte afatizuar.

    “Janë siguruar shumë prova të cilat e vërtetojnë se arsyetimi i lartcekur lidhur me prejardhjen e të hollave është i rrejshëm. Së pari, shtëpia në fjale sipas kontratës se lidhur mes nenës se te pandehurit dhe …. është e shitur në vitin 1990 ne vlerë prej 200,000 marka gjermane, që me rastin e konvertimit të tyre në euro do të bënin rreth 100,000 euro! Pra, shitja e lartë-cekur është kryer me shume se 30 vite me pare”, thuhet në aktakuzë dhe jepen sqarime të tjera se pse ky deklarim nuk qëndron, por kryesorja që përqendrohet Prokuroria është se si u ruajtën paratë 30 vite pa u deponuar, ose edhe 18 vite pas luftës pa u deponuar në bankë.

    Gjykimi ndaj grupit ku i akuzuar pos Kaçinarit të akuzuar janë edhe Sokol Stafa, Skerdi Fero, Alban Peti, Lulzim Paqarada, Fidan Hoxha, Fisnik Sadrija, Jozef Gjini, Flakron Kurteshi, Dardan Arifi Boban Stevanoviq, Taulant Palushi dhe Rrezarta Miftaraj po vazhdon në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Ata po ndiqen për organizim të bixhozit ilegal, dhe disa prej tyre edhe për shërparje parash.

    Insajderi do të publikoi edhe artikuj se si funksiononte ky grup. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark