Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Drejtësisë ka kërkuar të ketë qasje të plotë në evidencat penale dhe jo vetëm në statistika. Kështu deklaroi të hënën, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj. Ai përmendi edhe raste tjera të tendencës për ndërhyrje në sistemit të drejtësisë nga ana e ministres, Albulena Haxhiu, shkruan Gazeta Insajderi
Derisa po fliste për rastin e dhunimit të 11 vjeçares në kryeqytet, Zogaj e quajti të pa vërtetë deklaratën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu se kjo ministri nuk ka qasje në statistika.
Ministria e udhëhequr nga Haxhiu ditë më parë kishte akuzuar KGJK-së për mos ofrim të qasjes në statistika.
“Duke pasur parasysh faktin që kishim një deklarim të ministrisë së Drejtësisë se KGJK e ka penguar me statistika diçka që është krejtësisht e pavërtetë, e pa arsyeshme dhe e pa pranueshme pasi që siç është e njohur edhe për publikun ka ndërmarrë një numër të madh të nisma për rritjen e transparencës në gjyqësor”, tha Hoxhaj përcjell Insajderi.
Zogaj ka përmendur disa raste se si Ministria e Drejtësisë po tenton të ndërhyrje.
“E them me përgjegjësi të plotë nuk ka asnjë kërkesë të vetme të ministrisë së Drejtësisë që nuk iu është përgjigjur KGJK-së. Ne i jemi përgjigje të gjitha iniciativave të drejtësisë. Por ka diçka që do të duhej me diskutu me pas vëmendje që së fundmi kemi ndryshimin e ligjit për sanksionet penale ku është parapa që paneli për lirimin me kusht nuk do të ketë më përbërjen prej 3 gjyqtarëve por do të ketë edhe një anëtar nga Ministria e Drejtësisë dhe kjo me logjikën profesionale konsiderohet si ndërhyrje, përpjekje me ndërhy në sistemin e drejtësisë”, ka deklaruar ai para mediave.
Ai sqaroi saktësisht se çka po kërkon Qeveria e Kosovës, jo veç statistika.
“Çështja dy, që lidhet prapë me tendencën që është krejtësisht e papranueshme, ju e dini që ne kemi një sistem për menaxhimin e dosjes dhe të evidencës penale… shikojeni nenin 7 ku ministria kërkon qasje të plotë, të pa kufizuar në evidencën penale“, u shpreh Zogaj.
“A është e pranueshme që Ministria e Drejtësisë të ketë qasje të plotë në hyrjen penale?”, pyet Zogaj i KGJK-së.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës tha se plotë 320 mijë qytetarë kanë vepra penale por që asessi nuk do t’i lejojnë ministres së Drejtësisë të ketë qasje në to.
“Në sistemin tonë ekzistojnë 320 mijë qytetarë që kanë precedentë penal dhe Këshilli Gjyqësor e them këtu edhe njëherë publikisht, asnjëherë nuk do të lejojë asnjë institucion të ketë qasje në të dhënat e qytetarëve që kanë precedent penal. Do të lejojë gjithmonë sipas mekanizmit penal të kenë qasje në statistikat që janë shumë me rëndësi për vlerësime dhe analiza të ndryshme“, shtoi ai përcjell Insajderi.
Zogaj deklaroi se Ministria e Drejtësisë po ndërhyn edhe për projektligji për ekspertët që sipas tij është përgjegjësi e Këshillit Gjyqësor sot, dhe tani ka tendencë të kalojë në duart e Ministrisë së Drejtësisë, e që është e paarsyeshme.
Konferenca e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, është ndërprerë nga organizatorët e protestës për mbrojtjen e grave dhe vajzave, të cilët kërkuar përgjegjësi për dy rastet e dhunimit të 11 vjeçares gjatë muajit qershor e gusht nga 11 persona.
Në anën tjetër dje, Kurti përmes një konference të përbashkët me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se mbi 200 gjykatës kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht, me gjobë ose kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës.
“Sipas të dhënave për veprat penale për rastet e dhunës mbi 200 gjykatës kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht, me gjobë ose kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës… Mandej mbi 85 për qind e këtyre rasteve viktima ishin vajza të mitura dhe rreth 140 prokurorë kanë lejuar parashkrimin e lëndëve për këto raste”, tha Kurti
Sipas tij, fakti që qytetarët dalin të protestojnë në protesta publike, nuk është i çuditshëm pasi ata po kërkojnë akte morale të dorëheqjeve në prokurori e gjyqësor.
/GazetaInsajderi