×
  • Lajme
  • Lajme

    ​KPK: Deklarimet e Kurtit kundër sistemit prokurorial janë për konsum dhe agjendë politike

    Insajderi
    04 September 2022 - 16:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit shprehin sërish shqetësimin e thellë ndaj, siç thuhet, deklaratave të pamatura e të pa verifikuara ndaj sistemit prokurorial që po bëhen vetëm për konsum dhe agjendë politike nga ana e kryeministrit të Qeverisë së Kosovës.

    Në reagim thuhet se prononcimet publike të kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu për parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale në Prokurori, demantohen tërësisht nga raportet zyrtare të sistemit prokurorial.

    Nga raportet e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, sipas të dhënave për veprat penale për rastet e dhunës seksuale nga viti 2017 deri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, janë parashkruar katër raste, që ka pasur të bëjnë me dhunën seksuale.

    Në këtë rast, theksojmë se informacionet e deklaruara sot nga kryeministri janë të pasakta, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe janë krejtësisht tendencioze ndaj sistemit prokurorial, thuhet më tej në reagim.

    KPK dhe Prokurori i Shtetit ia bëjnë me dije kryeministrit dhe Qeverisë se statistikat zyrtare nuk hartohen me paragjykime, por verifikohen, analizohen me profesionalizëm dhe miratohen në takimet e hapura për publikun nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

    Për më tepër, ky deklarim i pasaktë dhe tendencioz shpreh nevojën që kryeministri Kurti të bashkëpunojë dhe bashkëveprojë me sistemin prokurorial në suaza të kompetencave përkatëse, duke respektuar normat dhe standardet e funksionimit demokratik të institucioneve në Republikën e Kosovës.

    Kryeministri Kurti sot në një konferencë për media tha se sipas të dhënave për rastet e dhunës seksuale, mbi 200 gjykatës kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht, me gjobë ose kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale.

    Ai tha se mbi 85% e këtyre rasteve, viktimat ishin vajza të mitura dhe rreth 140 prokurorë kanë lejuar parashkrimin e lëndëve për këto raste.

    Më tej, ai tha se 70% të prokurorëve kanë lejuar parashkrimin e lëndëve për këto raste.

    Kurti tha se nëse kryerësi ka qenë i dënuar për vepra penale dhe ndërkohë gjendet i lirë, atëherë kjo dëshmon dështimin e zinxhirit institucional. Për këtë arsye, sipas tij, vettingu është alternativa e vetme për sistemin gjyqësor e prokurorial.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark