Tri ngjarje tragjike shënuan të hënën në Kosovë, ku tre persona humbën jetën në rrethana të ndryshme, ndërsa rastet po hetohen nga autoritetet.
Një person është gjetur pa shenja jete në Fushë Kosovë.
Vdekja e tij u konstatua pasi në vendin e ngjarjes, në rrugën “Pajazit Islami”, dolën njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe ekipi mjekësor. Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”.
Një tjetër rast tragjik ndodhi po të hënën, rreth orës 14:10, në fshatin Dobërçan të Gjilanit.
Sipas policisë, një burrë humbi jetën pasi ra në një bunar, të cilin ishte duke e pastruar. Trupi i tij u nxor nga bunari nga zjarrfikësit, ndërsa ekipi mjekësor konstatoi vdekjen në vendin e ngjarjes.
Me urdhër të prokurorit, edhe trupi i tij është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
Rasti i tretë tragjik ndodhi mbrëmjen e së hënës në fshatin Zlipotok të Dragashit, pas një rrahjeje mes disa personave.
Sipas Policisë së Kosovës, viktima dyshohet se paraprakisht kishte pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë.
Ai u dërgua për trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Dragash, ku mjeku kujdestar konstatoi vdekjen e tij.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari ndodhet në arrati, ndërsa rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë”.