×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    E kafshoi qeni, pejani humb rastin me komunën qe e përfaqësoi avokatja Shendrita Muriqi

    Insajderi
    02 October 2023 - 10:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ndodhë rrallë, por në këtë rast Komuna e Pejës në Gjykatën Tehemelore në Pejë ka fituar rastin ku një qytetar e ka paditur se është kafshuar nga qeni endacak. Një proces gjyqësor, ku janë prezantuar prova nga të dyja palët, ka sjell në vendimin ku Gjykata nuk ka gjetur që qytetari që po kërkonte kompensim ka mundur ta vërtetojë kërkesën e tij.

    Në këtë lëndë, komunën e ka përfaqësuar avokatja Shëndritë Muriqi- Berisha.

    “REFUZOHET NË TËRËSI E PABAZUAR kërkesëpadia e paditësit…me të cilën ka kërkuar që të DETYROHET e paditura Komuna e Pejës që paditësit…, në emër të kompensimit të dëmit nga kafshimi i qenit endacak me datën 04.06.2019, ti paguajë shumat e të hollave të specifikuara si, në emër të dhimbjeve fizike trupore për të gjitha llojet në shumën prej 2,000 euro, në emër të frikës, për të gjitha llojet në shumën prej 2,000 euro, kurse në emër të dëmit material për shpenzime për ushqimin e përforcuar në shumën prej 150 euro, si dhe të DETYROHET e paditura Komuna e Pejës që paditësit ti paguajë edhe kamatën ligjore prej 8% të llogaritur nga data e ushtrimit të padisë e deri në pagesën përfundimtare si dhe shpenzimet e procedurës”, thuhet në vendim.

    Për më shumë, Gjykata ka vendosur që qytetari që paditi komunën Komunës së Pejës, të ia kompensojë shpenzimet e procedurës kontestimore në lartësi prej 441,50 euro.

    Historiku i çështjes:

    Paditësi, përmes të autorizuarit të tij, me datën 19.06.2019, ka ngritur padi kundër të paditurës Komuna e Pejës, me bazë juridike kompensim i dëmit.

    Gjykata, fillimisht paditësit i’a ka kthyer në plotësim padinë fillestare, pasi që bazuar në nenin 76 të LPK-së, lidhur me legjitimitetin procedural të palëve në procedurë, gjykata duhet të kujdeset sipas detyrës zyrtare, andaj pasi që kemi pasë të bëjmë me person të mitur, e njëjta është kthyer paditësit në plotësim, në atë mënyrë që padia të rregullohet në aspektin subjektiv.

    I autorizuari i paditësit, me datën 07.06.2023, ka bërë rregullimin e padisë në aspektin subjektiv, ashtu që gjykata sipas aktvendimit procedural të datës 25.07.2023, ka lejuar rregullimin e padisë në aspektin subjektiv, ashtu që padia është rregulluar si paditës i mitur është përfaqësuar nga  prindërit

    Sa i përket precizimit të padisë në aspektin objektiv, i autorizuari i paditësit, pas pranimit të ekspertizave mjekësore, ka bërë precizimin e padisë në aspektin objektiv, të cilin gjykata e ka lejuar me aktvendimin procedural në seancën e datës 01.09.2023.

    Paditësi, me padi fillestar ka deklaruar se me datën 04.06.2019 rreth orës 15:00 min, në rrugë e me rastin e daljes nga automjeti ku ishte me babain e tij dhe nënën, befas i kanë kërcyer dy qen endacak dhe e kanë kafshuar në këmbën e djathtë dhe e kanë shtrirë për toke, dhe disa minuta e ka kafshuar, ku ka provuar ta gjuajë me këmbë për tu mbrojtur, ashtu që duke qarë i shastisur vrapon babai dhe nëna e tij dhe ia nxjerrin femiun e mitur nga goja.

    Qentë me këtë rast ja kanë ngulur dhëmbët në këmbë, ku ka pësuar lëndime dhe në dorë dhe në hundë pasi që është rrezuar në asfalt, ku më pas prindërit e tij e kanë dërguar në emergjencë, ku ka marrë ndihmën e mjekëve. Si rezultat i kësaj, paditësi nuk ka mundur që të shkojë në shkollë disa ditë e kjo për shkak të frikës dhe stresit, ku si rezultat i kafshimit të qenit ka pësuar dëm material dhe jo material. Gjatës shqyrtimit dhe në fjalë përfundimtare, ka deklaruar se mbetet pranë padisë, duke shtuar se e paditura si Institucion i nivelit lokal është përgjegjës për sigurimin e qytetarëve brenda territorit të saj dhe natyrisht e bën mbikëqyrjen e qenve endacak, sepse bëhet vaksinimi dhe kastrimi i tyre. Në fjalën përfundimtare kanë theksuar se duke u bazuar në provat që gjenden në shkresat e lëndës, si raportet mjekësore dhe ekspertizat e mjekëve, konstatohet besueshmëria e kërkesë padisë dhe se Komuna është përgjegjëse për kompensimin e dëmit që i është shkaktuar paditësit, duke i propozuar gjykatës që të bie aktgjykim të drejtë dhe të bazuar në ligj, ashtu që të aprovojë kërkesëpadinë e paditësit.

    Pala e paditur përmes të autorizuarës së saj, avokates Shëndrita Muriqi me përgjigje në padi të dorëzuar në gjykatë me datë 14.04.2023, ka deklaruar se palës së paditur i mungon legjitimiteti pasiv për të qenë palë në procedurë.

    Mbi bazën e dispozitave ligjore, kompetente për mbrojtjen dhe mirëqenin e kafshëve, posaçërisht qenve endacak është Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës, i cili ka fituar tenderin nga Qeveria e Kosovës me qëllim të menagjimit të këtyre kafshëve endacake.

    Gjatë shqyrtimit gjyqësor, ka deklaruar se paditësi me asnjë provë nuk ka argumentuar pretendimet e veta, respektivisht faktin se i mituri është kafshuar nga qeni, përveç deklaratave të tij dhe fotografive që tregojnë se i njëjti i ka disa lëndime trupore për të cilat nuk ka asnjë provë se nga kanë ardhur.

    Ka kundërshtuar faktin se Komuna është përgjegjëse për vaksinimin dhe të tjera dhe se Agjencioni i Veterinës ka fituar tender nga Qeveria e Kosovës e pastaj duke kontestuar faktin nëse paditësi është kafshuar nga qeni, si dhe nëse paditësi Jendimet e pësuara nuk i ka marrë fare nga qeni endacak.

    Nga Raporti i Spitalit të Përngjitëm në Pejë – Emergjenca i dt. 04.06.2019, gjykata vërtetoj faktin se pala paditëse, me datën 04.06.2019, ka marrë tretman në qendrën Emergjente, e cila është dita të cilën paditësi pretendon se është kafshuar nga qeni endacak.

    Përmes Raportit mjekësor i dt.07.06.2019 për … lëshuar nga Qendra diagnostiko Terapeutike Biohit, është vërtetuar fakti se paditësi ka realizuar kontrollë mjekësore në këtë qendër, ku është trajtuar nga eksperti psikiatër, ku ndër të tjera theksohet se simptomat e sëmundjes për të cilën është paraqitur paditësi për kontrollë, janë si rezultat i kafshimit nga qeni endacak.

    Këtyre provave materiale të mësipërme, gjykata u ka falur besimin në tërësi, pasi që përmes të njëjtave vërtetohet fakti se pala paditëse ka marrë tretman mjekësor lidhur me rastin që i kishte ndodhur, e të cilat prova paraqesin gjendjen shëndetësore në aspektin fizik dhe psikik të palës paditëse.

    Si provë materiale, është administruar dhe ekspertiza mjekësore e përpiluar nga një ekspert psikiatrik dhe një kirurg me dt.28.07.2023, përmes së cilës gjykata vërtetoj faktin se pala paditëse si pasojë e kafshimit të qenit ka pësuar plagë në regjonin femoral (kofshës) të djathtë nga kafshimi i qenit, ku natyra e lëndimit karakterizohet si lëndim i lehtë trupor.

    Nga këto lëndime të pësuara, paditësi ka përjetuar dhimbje fizike me intensitet të lartë në periudhën kohore prej dy ore, dhimbje fizike me intensitet të mesëm në periudhë prej 10 ditë dhe dhimbje fizike me intensitet të ulët kohë pas kohe me ndërrim kohe me sforcime fizike, në periudhë prej 20 ditë. Sa i përket frikës, paditësi ka përjetuar frikë sekondare me intensitet të lartë në periudhën kohore prej dy orëve, duke e llogaritur kohën nga momenti i ndodhjes se rastit.

    Në fjalën përfundimtare, avokatja Shendritë Muriqi ka shtuar se pa paditësit i bie barra e ofrimit të provave mbi të cilat i mbështet kërkesat e veta, pasi që thënie nga referati i padisë nuk janë provuar dhe se në bazë të fotografive, vërehet një lëndim trupor i cili nuk tregon se kush është personi i dëmtuar dhe se kur janë bërë këto foto. Ka shtuar se nga deklarimi i ekspertit, është vërtetuar se lëndimet e paditësit, përkatësisht shkaktari i këtyre lëndimeve mbetet i panjohur.

    “Po ashtu, paditësi me asnjë provë nuk ka argumentuar thëniet mbi vendin dhe kohën kur supozohet të ketë ndodhur rasti, e që rrjedhimisht edhe sikur të ishte kafshim i qenit, me asnjë provë nuk argumentohet se a ishte nga qeni i pronarit, apo qen nën mbikëqyrjen e një organi tjetër. Si përfundim, ka propozuar që të refuzohet në tërësi kërkesëpadia e paditësit si e pabazuar”, ka deklaruar ajo në seancë .

    Si erdhi Gjykata deri te vendimi?

    Gjykata, me qëllim të vërtetimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, sipas propozimit të palëve, ka bërë administrimin e këtyre provave materiale.

    “Deklaratës së paditësit të dhënë në stacionin policor, gjykata nuk i ka falur besimin, pasi që e njëjta paraqet një deklarim i cili është subjektiv, por që thëniet e pretenduara në këtë deklaratë, nuk janë vërtetuar më tutje në procedurë penale apo edhe në këtë shqyrtim gjyqësor. Për më tepër, sikur gjykata ti falte besimin kësaj deklarate, do të cenohej në tërësi parimi i kontradiktoritetit, pasi që vetë paditësi ka qenë palë në procedurë, dhe ka mundur që të japë deklarimin e tij në këtë procedurë, ashtu që do të i ishte dhënë mundësia edhe palës së paditur që të njëjtin ta ballafaqojnë me pyetje lidhur me rastin”, thuhet në vendim.

    “Gjykata pas vlerësimit të deklarimeve të palëve dhe provave të nxjerra në kuptim të nenit 7 dhe 8 të Ligjit të Procedurës Kontestimore (LPK), me kujdes dhe me ndërgjegje ka çmuar çdo provë veç e veç dhe të gjitha ato së bashku, ashtu që ka gjetur se duhet të vendoset si në dispozitiv të këtij aktgjykimi, për këto arsye”, thuhet tutje në vendim.

    Gjykata nuk u ka falur besimin, për shkak se të njëjtave u mungon përshkrimi dhe data, dhe nuk dihet se kur janë bërë, kush është personi që gjendet në foto.

    Gjykata fillimisht thekson se lidhur me legjitimitetin pasiv të palës së paditur në këtë çështje, në rastet kur të përfshira janë qentë endacakt, pra kur pretendohet që dëmi ka ardhur si rezultat i qenve endacak, e njëjta ka legjitimitet pasiv në procedure, sepse sipas nenit 17 të ligjit për Vetëqeverisje Lokale i cili ka papërcaktuar se “Komunat kanë kompetenca të plota dhe ekskluzivë, për sa i përket interesit lokal, duke i respektuar standardet e përcaktuar në legjislacionin e zbatueshëm, në fushat që vijojnë” ndërsa par.1 pika e) “mbrojtjen e mjedisit lokal” dhe pika i) “promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut” andaj në bazë të kësaj dispozite e paditura Komuna e Pejës ka legjimitet pasiv.

    Sa i përket çështjes së përgjegjësisë së dëmit me këtë rast, me nenin 154 të LMD-së ku është përcaktuar se “Demi i shkaktuar lidhur me sendin e rrezikshëm, përkatësisht me veprimtarinë e rrezikshme konsiderohet se rrjedh nga ky send, përkatësisht nga kjo veprimtari, përveç nëse provohet se ato nuk kanë qenë shkak i demit”.

    Sipas nenit 7 të LPK-së “Palët kanë për detyrë të paraqesin të gjitha faktet mbi të cilat i mbështesin kërkesat e veta dhe të propozojnë prova me të cilat konstatohen faktet” e tilla lidhur me nenin 319.1 të LPK-së “Secila nga palët ndërgjyqëse ka për detyrë të provoje faktet mbi të cilat i bazon kërkimet dhe pretendimet e veta.” Pala paditëse me këtë rast, ka dështuar që të provojë faktin qenësor në këtë rast se dëmi i cili i ka ndodhur palës paditëse, ka ardhur si rezultat i kafshimit të qenit endacak. Ndonëse rezulton të jetë i provuar fakti se paditësi është kafshuar nga qeni, i cili fakt u provua me raportet mjekësore të administruar si prova, kurse lartësia e dëmit është provuar përmes ekspertizave mjekësore, në këtë rast ajo e psikiatrisë dhe kirurgjisë, por nuk u provua baza e kërkesëpadisë.

    “Në rastin konkret, pala paditëse nuk ka provuar në mënyrë të sigurte se është kafshuar nga qentë endacak. Në deklarimin e tyre në padi, ka theksuar se është kafshuar nga qentë ku më pas është dërguar nga prindërit e tij në spitalin e Pejës. Për qëllim të vërtetimit të këtij fakti, pala paditëse nuk ka ofruar ndonjë provë ku do të vërtetohet ky fakt krucial në këtë çështje”, thuhet ne vendimin e Gjykatës Themelore të Pejës.

    Gjykata thekson se, nga ajo që është provuar në procedurë, palës së paditur (Komunës së Pejës) nuk mund mveshet përgjegjësia për kompensim të dëmit në këtë rast, sepse nga provat nuk mund t vërtetohet në mënyrë të pakontestuar që kafshimi i paditësit ka ardhur nga qentë endacak. Raporti policor, përkatësisht deklarata e paditësit e dhënë në polici, ka mbetur vetëm në nivel të deklaratës dhe asgjë më shumë. Pavarësisht kësaj, gjykata është e vetëdijshme që nuk është i domosdoshëm lajmërimi i rastit në polici në mënyrë që të provohet ky fakt, por se nuk kishte ndonjë provë tjetër qoftë materiale apo ndonjë dëshmitar i cili do të provonte se sulmi ka ndodhur nga qentë endacak. Mënyra se si pala paditëse i provon faktet e pretenduara, është barrë ekskluzive e tij.

    Për më tepër, gjykata në bazë të provave të cilat janë marrë, nuk ka mundur që në mënyrë të pakontestueshme të provojë këtë fakt qenësor në procedurë, andaj ka vepruar në atë mënyrë që për provimin e këtij fakti, të aplikohen rregullat mbi barrën e provës, sepse mbështetur në nenin 322.2 të LPK-së parashihet që “Pala që pretendon se i takon një e drejtë ka për detyrë të provojë faktin që është qenësor për krijimin ose realizimin e saj, po që se ligji nuk parasheh diç tjetër”.

    Në një gjendje të tillë, gjykata thekson se qentë të cilët e kanë kafshuar palën paditëse, shumë lehtë kanë mundur të jenë qenë të cilët kanë pasur pronar, ku në bazë të nenit 163 të LMD- së, përgjegjës do të mund të mbahej pronari i qenit.

    Në kuptim të nenit 154 të LMD-së, pala e paditur do të mund të mbahej përgjegjëse për rastin e ndodhur, vetëm sikur të ishte provuar që qentë të cilët e kanë kafshuar palën paditëse, ishin qenë endacak, përndryshe, gjykata vendimin e saj nuk mundet që ta mbështet vetëm në thënie të palës paditëse, por që pretendimet lidhur me faktet e caktuara duhet të mbështeten në prova, qofshin ato materiale apo edhe personale.

    Pretendimet tjera të palës paditëse, gjykata i ka marrë në konsideratë, mirëpo të njëjtat nuk kanë luajtur rol për një vendosje ndryshe nga ana e gjykatës, sepse përcaktuese në këtë rast ishte të provohet nëse qentë të cilët e kanë kafshuar paditësin, ishin apo jo qe endacak.

    Lexo edhe...
    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    24 May 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark