Veljko Odaloviq, kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur në Serbi po pretendon se KFOR-i nuk po e kryen punën e vet në Kosovë. Ai madje sot e ka quajtur terrorist babain e Azem Kurtajt, pjesëtarit të FSK-së. Por, Odaloviqi po pretendohet se është përgjegjës për vrasjen e veprimtarit njëherit nënkryetarit të LDK-së, Fehmi Agani.
Kështu të paktën ka thënë në intervistë për InDoks Shukri Aliu, veprimtari që dëshmoi kundër Millosheviqit në Hagë.
“Veljko Odaloviq është përgjegjës për një vrasje që na ka ndodhë jashtëzakonisht e rëndë profesor, Fehmi Aganin, ky së bashku me një shqiptar Selim Gurgjufi me 6 maj 1999 kanë shku në shtëpinë e Fehmi Aganit, i janë drejtu gruas së tij të ndjerës Sadije Agani i kanë ofru ndihmë për varrimin kinse e ka vra ushtria e UÇK-së, Fehmi Aganin. Ajo i ka përzënë prej shtëpisë dhe ju ka thënë kurrfarë ndihme prej juve sdua se ju e keni kry atë vepër”, ka thënë Aliu.
Aliu thekson se është personi i parë që po zbulon detaje për vdekjen e profesor Aganit.
“Veprën e ka kry Njësiti për operacione speciale të Kosovës serbe. Është baba e bir, Obrat Vjeshtica me gjithë djalin, këta janë kryesorët. Ai njëri nga ata që ka marrë pjesë në vrasje, unë jam i pari që po i zbulojë. E për krejt këto më i informuari është Veljko Odaloviq. Fehmi Agani është vra në fshatin Suhodoll të Lipjanit. Mirë u bë që kjo ditë erdh me zbulu edhe këtë”, ka thënë Aliu për InDoks të Gazetës Insajderi.
“Përndryshe Veljko Odaloviq është kriminel i luftës edhe sa ka qenë në komunën Kaçanikut si kryetar i Kaçanikut”, deklaroi ai.
Shukri Aliu përmend se si një kriminel si Odaloviq qëndron në krye të komisionit për të zhdukur.
“Veljko Odaloviq në Beograd edhe udhëheq Komisionin serb për të zhdukurit në Kosovë. Qe çka kemi përfituar, një kriminel i luftës siç është Adalloviq dhe siç është Vuçiqi kryetar i shtetit edhe ky është kryetari i komisionit”, potencoi Aliu.