Insajderi
Lajme

Edhe në Gjilan intervistohen të dyshuar për manipulim me vota

Insajderi
03 February 2026 - 15:41
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Edhe në Gjilan intervistohen të dyshuar për manipulim me vota
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka nisur hetime për keqpërdorim të votave gjatë procesit të numërimit, ndërsa disa persona tashmë po intervistohen si të dyshuar për manipulim, shkruan Insajderi.

Sipas njoftimit të prokurorisë, më 20 janar 2026 është autorizuar Policia e Kosovës që të evidentojë çdo keqpërdorim të votave gjatë procesit zgjedhor apo çdo formë tjetër të falsifikimit ose ndryshimit të rezultateve, qoftë në favor apo në dëm të subjekteve apo kandidatëve të caktuar për deputetë. Lidhur me këto dyshime, janë siguruar prova konkrete, të cilat prokuroria i ka pranuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 2 shkurt 2026.

Më 3 shkurt 2026, Prokuroria ka autorizuar policinë për intervistimin e të dyshuarve, fillimisht në Komunën e Vitisë, pasi në këtë komunë është evidentuar numri më i madh i ndryshimeve në rezultate pas rinumërimit, krahasuar me komunat e Gjilanit, Kamenicës, Novobërdës, Ranillugut dhe Parteshit.

Njoftimi i plotë:

Lidhur me keqpërdorim të votave gjatë procesit të numrimit

Gjilan, 03 shkurt 2026: Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, më datë 20.01.2026 ka autorizuar Policinë e Kosovës që të evidentojë çdo keqpërdorim të votave gjatë procesit zgjedhor apo ndonjë mënyrë tjetër të falsifikimit apo ndryshimit  të rezultateve, qoftë në favor apo në dëm të subjektit të caktuar apo kandidatëve të caktuar për deputet dhe përkitazi me këtë dyshim, të sigurohen  prova konkrete, të cilat i kemi pranuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më datë 02.02.2026.

Me datë 03.02.2026 kemi autorizuar policinë për intervistimin e të dyshuarve, fillimisht në Komunën e Vitisë, me që në këtë komunë ka pasur më tepër ndryshim në rezultat sipas rinumërimit, në krahasim me komunën e Gjilanit, Kamenicës, Novobërdës, Ranillugut, Parteshit, për të cilat intervistimet  e të dyshuarve janë duke vazhduar akoma.

Ju njoftojmë se në territorin, kompetencë e së cilës është Prokuroria Themelore në Gjilan, nuk është ndonjë dallim i theksuar nga rezultati i publikuar më parë në krahasim me rezultatin pas rinumërimit të votave (vlen të theksohet se vetëm një kandidat rezulton  me -145 vota pas rinumërimit dhe të gjithë të tjerët janë nën këtë shifër) siç ka rezultuar në  komunat e tjera të Republikës së Kosovës, andaj Prokuroria Themelore në Gjilan do të vazhdojë me hetime në procedurë të rregullt, deri në intervistimin e të gjithë të dyshuarve në gjitha komunat, përveq nëse paraqitet ndonjë rrethanë tjetër.

Prokuroria Themelore në Gjilan mbetet e përkushtuar të  hetojë dhe të vejë para drejtësisë çdo person i cili ka keqpërdorur qoftë edhe një votë në rezultatin zgjedhor me synimin e mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark