Ikja e mjekëve nga sektori publik në atë privatë po shënon rritje të madhe. Klinika e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intenziv do të mbetet me një anesteziolog më pak, pasi mjeku Burhan Hadri ka ofruar dorëheqjen nga kjo klinikë për t’i vazhduar aftësitë e tij profesionale në një spital privatë.
Doktori Hadri i cili momentalisht është në pushim vjetor, nga data 26 shtator nuk do të jetë pjesë e klinikes së Anesteziologjisë.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, drejtori i kësaj klinike, Gazmend Spahija. Ai tha se arsyeja e dorëheqjes se anesteziologut është paga e ulët në QKUK.
“Burhan Hadri ka ofruar dorëheqjen tij nga 26 shtatori, pasi momentalisht gjendet në pushim vjetor. Arsyeja kryesore ka qenë paga pasi në spital privatë ka pagë më të lartë dhe ka kujdestarit me pak”, tha Spahiju për Insajderin.
Pas largimit të Hadrit, QKUK-së do t’i mbesin vetëm 48 anesteziologë.
Kujtojmë se, para mjekut Burah Hadri, dorëheqje nga kjo klinikë ka dhënë edhe drejtori i anestezionit në QKUK, Nehat Baftiu.
50 specialistë shëndetësor lënë spitalin e shtetit për atë privat
Kuadri mjekësor po vazhdon të ikë nga Kosova për të kërkuar punë dhe kushte më të mira në vende të ndryshme të botës. Vetëm për tre vjet nga Kosova janë larguar 403 mjekë. Kushtet e punës, politikat shëndetësore dhe moskalimi i Ligjit të pagave, bënë që në sytë e mjekëve Kosova të duket si vend që nuk ofron mundësi.
Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu në një intervistë për Gazetën Insajderi ka treguar se përveç ikjes së mjekëve nga Kosova, një fenomen i ikjes së mjekëve nga sektori publik në atë privatë po shënon rritje masive.
Sipas Sejdiut, vetëm gjatë këtij viti 50 specialistë kanë lënë sketorin publik për atë privat, për shkak të pagave të ulëta.
”Ikja e mjekëve nga sektori publik tek sektori privat, po ashtu është një fenomen shumë brengosës sidomos kur kemi të bëjmë me mjekët me përvojë dhe eksperiencë të madhe. Sipas të dhënave që kemi marrë nga drejtorët e klinikave dhe spitaleve rajonale gjatë këtij viti nga sektori publik në atë privat kanë kaluar rreth 50 specialistëve të fushave të ndryshme”, tha Sejdiu për Insajderin.