Partia Demokratike e Kosovës ka qëndruar edhe sot para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke i bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të shkojë në Kuvend dhe të kontribuojë në zhbllokimin e situatës institucionale.
PDK, përmes një postimi, ka akuzuar Kurtin se po e mban peng funksionimin e shtetit dhe institucioneve për interesa politike.
“Edhe sot jemi para Qeverisë: Albin, eja në Kuvend dhe hape rrugën për rikthimin e rendit kushtetues. Mos e mbaj peng shtetin, institucionet dhe interesin e qytetarëve për kalkulimet e tua politike!”, thuhet në postimin e PDK-së.
Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë aksionin e saj para Qeverisë, duke kërkuar konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve.