Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë një intervistë të gjatë për mediumin shqiptar “Mapo” ku ka rrëfyer për jetën e tij që nga mosha e fëmijërisë, duke treguar edhe për vizatimet e para që i ka bërë.
Ai ka treguar se në shtëpinë ku ka jetuar nuk ka pasur hapësira të mjaftueshme, andaj është dashur ta improvizojë “studion e tij.”
“Piktura prej vërteti kanë filluar për mua në atelienë e Liceut Artistik dhe në banjën e shtëpisë, e cila ishte “studioja” ime”, ka thënë ai.
“Nuk është aspak shaka, nuk kishte vend tjetër në shtëpi, në kuzhinë apo dhoma ishte e pamundur. Kuzhina përveçse e vogël ishte gjithnjë e “populluar” nga gjyshja dhe mamaja, ndërkohë që në dhoma, as që bëhej fjalë të hapje bojërat e vajit. Sepse, përveçse mund të bëje dëme duke bërë njolla që pastroheshin vetëm me benzinë, era e vajit të lirit me terpentinë e bënte ajrin të padurueshëm për çdo “banor” tjetër, përveç meje vetë”./Insajderi.com