×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Ekipi për draftin e Asociacionit po e injoron Qeverinë, paralajmërohet ndryshimi i tij

    Insajderi
    30 April 2023 - 10:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri Albin Kurti do të shkojë të martën në Bruksel për ta takuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pa u informuar nga ekipi menaxhues për Asociacionin që e ka formuar Qeveria se çfarë draft-statuti është hartuar. Zyrtarë qeveritarë paralajmëruan ndërrimin e përbërjes së këtij ekipi, që përbëhet nga katër serbë, në rast se vazhdojnë të mos raportojnë në Qeveri dhe të mos u përgjigjen thirrjeve për takime

    Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar të shtunën se do ta ndryshojë përbërjen e ekipit menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe (ASK), nëse vazhdon të mos përgjigjet në kërkesat për raportim.

    Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, ka thënë se është e patolerueshme sjellja e anëtarëve të këtij ekipi që vite më parë është emëruar nga Qeveria, pas propozimit të emrave nga komunat e veriut të banuara kryesisht me serbë.

    “Neve nuk na pëlqen sjellja e tyre deri në këtë moment, pasi që nuk është dashur as të pritet që t’i ftojmë ne, e ata të raportojnë. Është dashur të raportojnë. Por nuk ka ndodhur ndonjë raportim më herët, e as nuk i janë përgjigjur deri më tash thirrjes për takim dhe në gjykimin tonë nuk është sjellje e tolerueshme. Ne do t’ua bëjmë edhe një ftesë për takim dhe nëse nuk na përgjigjen, atëherë me të njëjtin autorizim, siç janë emëruar këta persona në ekip menaxhues, do të thotë do të ndryshohen”, ka deklaruar Vokrri.

    Ekipi menaxhues përbëhet nga katër serbë të Kosovës, një nga të cilët është zgjedhur deputet në Parlamentin e Serbisë.

    Në takimin e 2 majit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ekipi do ta prezantojë draftin e statutit të Asociacionit, për përmbajtjen e të cilit nuk është informuar Qeveria e Kosovës.

    “Neve nuk na kanë dhënë informacione dhe nuk e kanë kompetencën e as autonominë që të draftojnë një statut pa miratimin tonë. Mund ta draftojnë, por së pari duhet të kalojë nëpër filtrin e Qeverisë së Kosovës dhe të miratohet, që të kalohet tutje dhe deri në këtë moment, ata nuk na janë përgjigjur”, ka thënë zëvendësministri Vokrri.

    Politologu Seb Bytyqi ka theksuar se përbërja e ekipit menaxhues ka rëndësi edhe pasi ta paraqesë dokumentin në Bruksel.

    “Në të ardhmen, kur do të diskutohet për statutin e Asociacionit, rol të rëndësishëm do të ketë ekipi menaxhues, kështu që është e rëndësishme përmbajtja e këtij ekipi”, ka thënë Bytyqi.

    Kosova dhe Serbia janë pajtuar në vitin 2013 për statutin, e dy vjet më vonë janë dakorduar edhe për parimet mbi bazën e të cilave do të krijohet ky mekanizëm, por që Gjykata Kushtetuese ka gjetur se shumë nga to nuk janë në frymën e Kushtetutës. Për pasojë, autoritetet nuk e kanë themeluar deri tash këtë mekanizëm.

    Kryeministri Kurti sa ka qenë në opozitë, vazhdimisht e ka kundërshtuar marrëveshjen për Asociacionin, pasi ka thënë se me të bosnjëzohet Kosova.

    Por, pas trysnisë ndërkombëtare, ka pranuar ta themelojë atë.

    Gjatë së shtunës, edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se është arritur në një pikë, ku themelimi Asociacionit është një çështje shumë reale.

    “Serbët e kanë pritur këtë për një kohë të gjatë, por ne kemi arritur në një pikë ku formimi i Asociacionit do të jetë shumë reale”, ka thënë Hill. “Sapo çështja e Asociacionit të përfundojë, ne do të shohim përparim në aspekte të tjera të normalizimit”.

    Konform marrëveshjes Kosovë-Serbi, ekipi menaxhues për Asociacionin është themeluar në kohën e Qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa. Ndërkaq, gjatë Qeverisë së Avdullah Hotit, kryesuese është bërë Danijela Vujiçiq, e cila më vonë nuk është larguar nga kjo trupë, ndonëse është zgjedhur deputete në Kuvendin e Serbisë.

    Një ditë më parë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se nuk është në interesin e Kosovës një ekip menaxhues i cili nuk vepron bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

    Ai të premten në një deklarim për media, pasi një diskutimi të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se një institucion i cili e konsideron veten të Kosovës, duhet të mbajë qëndrime që janë të Kosovës.

    “Unë nuk pres ndonjë gjë të mirë prej një kryesueseje të këtij ekipi menaxhues e cila është deputete e Aleksandër Vuçiqit. Dhe, deputetja e Aleksandër Vuçiqit nuk mund të shkruajë pjesë të rregullimit institucional të Republikës së Kosovës. Kjo është ABC-ja e interesit tonë shtetëror”, ka theksuar Konjufca.

    Ai ka pyetur se si mundet një deputete e Kuvendit të Serbisë ta prezantojë Kosovën në dialogun në Bruksel.

    “Një deputete e Kuvendit të Serbisë nuk mund të jetë kryesuese e ekipit menaxhues. Qysh mundet një deputete e Kuvendit të Serbisë ta prezantojë Republikën e Kosovës? Ajo s’ka çka të prezantojë hiq, faktikisht”, është shprehur Konjufca. “Unë mendoj që edhe nëse e shkruan mirë draftin e statutit të Asociacionit, nuk bën t’ia pranojmë, sepse nuk është çështja se çka ajo po shkruan, por që ajo nuk e ka të drejtën fare që të shkruajë, sepse është përfaqësuese në Serbi e presidentit të Serbisë, e partisë së presidentit të Serbisë në Parlamentin e Serbisë”.

    Autoritetet kanë pranuar se në takimin e së martës Kurti-Vuçiq do të prezantohet drafti i statutit të Asociacionit, por me të cilin Kosova pritet të mos pajtohet. Sipas zyrtarëve qeveritarë, pas këtij momenti, palët do të punojnë në draft dhe Prishtina zyrtare ka shprehur qëndrimin se përmbajtja e tij duhet të jetë konform Kushtetutës së Kosovës.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark