×
Insajderi

Ekskluzive | Armë pa leje, bixhoz ilegal e lëndime trupore, Insajderi sjell dosjen kriminale të kryeinfermierit gjakovar

Insajderi
08 July 2022 - 16:21
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Këtë vit, Kreshnik Abrashi, shef i Transfuzionit të Gjakut në Gjakovë u arrestua për organizim të bixhozit ilegal. Ai do të lirohej shumë shpejt për t’u kthyer në punë. Por një hulumtim i Insajderit zbulon që ky nuk ishte as rasti i parë e as i fundit i tij duke rënë ndesh me ligjin. Cila është dosja kriminale e Abrashit? Në sa raste u dënua e në sa raste është nën hetime?

Më 16 prill të këtij viti shefi i Transfuzionit të Gjakut në Gjakovë, Kreshnik Abrashi ra në prangat e Policisë së Kosovës. Në lokalin e tij që ndodhet në rrugën “Izet Hima” në Gjakovë u zunë lojëra të fatit. Veprimtari kjo e ndaluar me ligjet e Kosovës.

Gjatë kontrollit të Policisë i kishin gjetur gjashtë aparate të lojërave të fatit Apex.

Por, ky nuk është rasti i vetëm kur Abrashi ka rënë ndesh me ligjin.

Shefi recidivist i shkeljeve ligjore

Gazeta Insajderi ka siguruar gjashtë raste kur Kreshnik Abrashi pati problem me drejtësinë kosovare.

Insajderi nga burimet e saj ka kuptuar se shefi i Transfuzionit të Gjakut në Gjakovë, është i njohur për organet e drejtësisë qysh nga viti 2010.

Më 21 maj të 2010-ës, Abrashi ishte arrestuar nga policia, pasi dyshohej se ia kishte marrë çelësat e lokalit A.P (emër i njohur për redaksinë), pasi ky i fundit nuk ia kishte kthyer paratë që i kishte marrë nga Kreshnik Abrashi.

Në janar të 2013-ës, Kreshnik Abrashi arrestohet nga Policia e Kosovë pasi i gjejnë armë zjarri në shtëpi, më konkretisht dy revole.  

Ndërkohë në vitin 2014, Kreshnik Abrashi akuzohet për bashkëpunim në krim.

Sipas aktakuzës të cilën e ka siguruar Insajderi, i dyshuari Kreshnik Abrashi, së bashku me vëllain e tij Sh.A, babain e tij Xh.A dhe shtetasin G. Xh nga Gjakova, gjatë periudhës kohore prej vitit 2012 deri në vitin 2013, duke vepruar si grup, i kanë dhënë para me fajde të dëmtuarit S. D (emër i njohur për redaksinë).

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, Kreshnik Abrashi ishte dënuar me 10 muaj burg, kurse i dyshuari G. Xh u dënua me 1 vit burg, ndërsa babai dhe vëllai i Kreshnikut janë liruar nga akuza.

Problemet e Abrashit me ligjin nuk përfundojnë këtu.

Gazeta Insajderi nga burimet e saj ka mësuar se edhe në vitin 2017 Kreshnik Abrashi, u arrestua pasi gjatë kontrollit të një lokali në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në Gjakovë, i cili ishte në shfrytëzim nga Kreshniku, ishin gjetur katër aparate të lojërave të fatit “Apex”.

Abrashi siç mëson Insajderi u arrestua edhe në vitin 2018. Ai kishte sulmuar viktimën A.K (emër i njohur për redaksinë), si pasojë e një mos marrëveshjeje mes fëmijëve të tyre në shkollë.

Në këtë rast viktima kishte pësuar lëndime trupore, duke humbur edhe vetëdijen.

Në vitin 2018 arrestohet edhe për një rast tjetër. Ai u arrestua në cilësinë e një pronari ku zhvilloheshin lojëra të fatit.

Në muajin tetor, Policia e Kosovës gjatë kontrollit të lokalit “Stars Casino”, në rrugën “Xhelal Hajda – Toni”, në Rahovec, janë gjeti 10 aparate të lojërave të fatit Apex dhe Kajot, ku si menaxher i kësaj pike ishte arrestuar Kreshnik Abrashi, pasi këto aparate ishin pa licencë.

Prokuroria konfirmon se gjykata e dënoi Abrashin për pesë raste kriminale

Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, për të kuptuar se sa herë ishte ngritur aktakuzë ndaj Kreshnik Abrashit.

Zëdhënësja e kësaj prokurori, Yllka Shehu konfirmoi se në pesë raste, Abrashi ishte dënuar nga gjykata kompetente në Gjakovë. Veprat penale për të cilat u dënua ishin; organizim i skemave piramidale, armë mbajtje pa leje dhe lëndim i lehtë trupor.

Shehu konfirmoi për Insajderin se në vitin 2014 nga Prokuroria në Gjakovë ishte ngritur aktakuzë ndaj Kreshnik Abrashit për veprën penale “armë mbajtje pa leje”. Vetëm në vitin 2015 u dënua nga gjykata.

Ndërkohë, prokuroria konfirmoi se në dy raste Kreshnik Abrashi u dënua nga gjykata në vitin 2010 për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

Prokuroria Themelore në Gjakovë për Insajderin dha detaje edhe për dy aktakuzat e ngritura në vitin 2018.

Në njërin rast (17.09.2018), Shef i transfuzionit të gjakut u dënua nga gjykata për veprën penale “organizim i skemave piramidale”. Teksa në po këtë vit, veçse me 18 maj u dënua për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

Përgjigjet e Prokurorisë për Gazetën Insajderi

Abrashi refuzon të japë përgjigje për akuzat

Për krejt të bëmat e tij, Gazeta Insajderi provojë të marrë  një përgjigje nga Kreshnik Abrashi, por ky i fundit nuk iu është përgjigjur pyetjeve të gazetës.

Shefi i transfuzionit të gjakut, Kreshnik Abrashi në një rast tjetër u tregu ‘i fortë’ edhe me gazetarët.

Qershorin e këtij viti, një ekip e televizionit Syri ia kishte mësyrë Spitalit të Gjakovës për të përcjellur një aktivitet nga afër aty.

“Jemi pranë repartit të transfuzionit të gjakut në Spitalin “Isa Grezda”  në Gjakovë kjo për të përcjellur një aktivitet të zyrtarëve komunal për nder të Ditës së Çlirimit të Gjakovës, nuk na u lejua të hynim brenda nga shefi i këtij reparti, me arsyetimin se një muaj më parë publikuam lajmin për arrestimin e tij…”, deklaronte gazetarja përcjell Insajderi.

Për ndalimin e përcjelljes së aktivitet nga ana e medias në fjalë reagoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

AGK, e dënoi këtë veprim të Abrashit, njëherësh e cilësoi se është shkelje flagrante e së drejtës për qasje në informacion, dhe bie në kundërshtim me vlerat e përgjithshme të lirisë së shtypit dhe shprehjes.

“Gazetarja Edmonda Avdija nuk është lejuar te hyjë në Repartin e Transfuzionit të Gjakut në Spitalin “Isa Grezda”, nga shefi i këtij reparti, Kreshnik Abrashi, me arsyetimin se më keni publikuar në portal kur jam arrestuar. Ai e ka mbyllur derën me sjellje të vrazhda dhe ka thënë se derisa është shef këtu nuk keni me xhiru”, thuhej në ankesën e televizionit drejtuar AGK-së.

“Përpjekja për t’ua imponuar gazetarëve se çfarë të raportojnë, është tendencë për kontrollim të informatave. AGK-ja, njëherësh inkurajon gazetarët që të vazhdojnë të raportojnë dhe të mos heqin dorë nga informimi i qytetarëve”, theksohej në reagimin e Asociacionit.

/GazetaInsajderi  

Lexo edhe:

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark