×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Aktuale

    Ekskluzive: Djali i multimilionerit të PDK-së rrezikon burgun, akuzohet për mashtrim në tendere

    Insajderi
    17 March 2022 - 16:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Djali i multimilionerit të PDK-së, Ali Stublla, Avniu rrezikon të përfundoj në burg pasi që shteti ka ngritur aktakuzë ndaj tij. Dyshohet për mashtrim në një tender publik. Ka manipuluar dokumentet tatimore për interes së firmës së tij dhe firmës së babait të tij, Ali Stubllës së PDK-së.

    Pavarësisht se kishte borxh ndaj shtetit lidhur me mos pagesën e tatimit, djali i bisnesmenit multimilioner nga Lipjani, Ali Stublla, Avniu ia mësyu një tenderi të komunës së Malishevës. Arriti ta fitonte pasi që u ndihmua nga menaxheri i prokurimit.

    Por, për veprimet e tij të jashtligjshme, Avni Stublla ra në llupën e Prokurorisë së Shtetit.

    Para pak ditësh Prokuroria Themelore në Gjakovë, e zyrtarizoi aktakuzën për mashtrim në dëm të shtetit ndaj Avni Stubllës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Stublla që është pronar i biznesit “Groweco Shpk” dhe person i autorizuar në biznesin e babit të tij, Ali Stublla “Stublla Shpk”, arriti ta fitonte tenderin e komunës së Malishevës për  “Rregullimin e varrezave në lagjen Hoti në Malishevë”.

    Ky tender që peshonte 17 mijë e 182 euro, u nënshkruar në nëntor të vitit 2020, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por, Stublla në kundërshtim me rregullat e prokurimit dyshohet se e mori këtë tender.

    Në aktakuzën e prokurorisë që është ngritur me 9 mars, thuhet se Avni Stublla, dyshohet se nga tetori deri në nëntor 2020 kishte shkelur rregullat për prokurimin publik.

    Sipas aktakuzës biznesi i Stubllës, nuk kishte paguar tatimet duke iu shmangur kështu specifikave të kërkuara në dosjen e tenderit nga institucioni i shtetit.

    “Me qëllim ndikimi te autoriteti kontraktues, në cilësinë e personit përgjegjës për bizneset e lartcekura, në mënyrë individuale dhe si grup i operatorëve ekonomik ka ofertuar në mënyrë të kundërligjshme duke fituar tenderin e lartcekur, duke fituar kontratën e punës për operatorët ekonomik të tenderit në kundërshtim me rregullat dhe Udhëzuesin operativ për prokurimin publik me nenin 27, paragrafin 5”, thuhet në aktakuzë.

    Me këto veprime Stublla dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Lidhur me këtë tender në llupën e prokurorisë ka rënë edhe menaxheri i zyrës së prokurimit në Malishevë, Nuhi Shalaj.

    Në aktakuzën ndaj tij, prokuroria e ngarkon me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ai dyshohet se i ndihmoi, Avni Stubllës në mënyrë të kundërligjshme ta fitojë tenderin për rregullimin e varrezave. 

    Lidhjet e familjes Stublla më të fortët e PDK-së

    Aliu dhe djali i tij Avni Stublla, kanë raporte të mira me njerëz me ndikim brenda Partisë Demokratike të Kosovës.

    Kur në hapën fabrikën, ata e nderuan Elmi Reqicën, deputetin e PDK-së, për të prerë shiritin bashkë me familjarët në janar të këtij viti.

    “Hapja e fabrikes për prodhimin e dritareve PVC & Aluminium ,,Romer Ëindoës sh.p.k,, në lokacionin Mbreteria dardane,nr 67-Lipjan”, shkruante Avni Stublla në përshkrimin e fotografive dhe videove nga eventi ku mysafir nderi ishhte Elmi Reçica.

    Ali Stublla ishte dy herë kandidat për deputet nga PDK-ja. Edhe në vitin 2019 edhe në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2021. Nuk mori votat e mjaftueshme për të zënë një vend në kuvendin e Kosovës.

    Nuk u ndal me kaq, Ali Stublla edhe një herë i hyri garës. Kësaj here si kandidat për asamble komunale në zgjedhjet lokale të tetorit të vitit të kaluar. /Gazeta Insajderi

    No photo description available.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark