Bizneset në Kosovë i kanë shtetit borxh 131 % më shumë sesa para dy vitesh. Derisa se në janar të vitit 2020 borxhi i bizneseve ndaj shtetit ishte 357 milionë, sipas dokumentacioneve interne të ATK-së që ka siguruar Gazeta Insajderi del se ky borxh ka arritur në mbi 471 milionë euro
Sa herë që kryeministri Albin Kurti ka folur për tatimet ka potencuar me tërë fuqinë se “bizneset janë çliruar nga korrupsioni dhe se tash po ia paguajnë shtetit tatimin”.
Ka lënë të kuptohet se pagesa e tatimeve është duke u kryer më shpejtë se “shpërndarja e vajit në tepsi”, tashmë një instrument matës i Qeverisë Kurti për efikasitetin në punë, shkruan Gazeta Insajderi.
“… kur njerëzit kanë shpresë janë optimistë. Dhe kur shohiin që s’ka korrupsion në qeveri, në përgjithësi qytetarët janë të gatshëm që të paguajnë tatime”, ka pohuar Kurti para dy muajve në një takim të mbushur me biznesmenë, në Forum e Bizneseve të Diasporës të mbajtur në Prishitnë.
Ngjashëm foli edhe para një muaji.
Bëri një postim në Facebook. Tregoi se është rritur shuma e tatimeve të paguara në shtet prej se ai është bërë kryeministër.
Rritjes së shifrave nuk ia atribuoi rritjes së çmimeve, ku si pasojë konsumatori paguan shuma më të madhe të TVSH-së, por ia atribuoi vetës.
“Para zgjedhjeve, kemi thënë se do ta çlirojmë potencialin e biznesit duke e nivelizuar fushën e lojës dhe duke ia hequr pushtetin zhvatës nga qafa. Këtë e bëmë dhe kjo tani po jep edhe rezultat”, thoshte Kurti.
Mirëpo, dokumentet interne të Administratës Tatimore japin një pasqyrë krejt tjetër.
Dokumentet e siguruara nga Gazeta Insajderi, dëshmojnë se borxhi i bizneseve ndaj shtetit kurrë nuk ka qenë më i madh. Ka shkuar deri në mbi 471 milionë euro.
Kjo shifër e lartë e borxhit, sipas diskurit të Kurtit, tregon për nivel të lartë të korrupsionit meqë bizneset po refuzojnë ta paguajnë tatimin me rregull.
Çka tregojnë dokumentet e siguruara nga Gazeta Insajderi?
Bizneset në Kosovë i kanë shtetit borxh 131 % më shumë sesa para dy vitesh.
Kjo dëshmohet nga dokumentet interene të Administratës Tatimore të Kosovës.
Sipas dokumenteve që ka siguruar Insajderi del se në janar të vitit 2020 borxhi i bizneseve ndaj shtetit ishte 357 milionë. Por kjo shifër u rrit shumë.
Me 3 qershor të këtij viti, sipas këtyre dokumenteve ka arritur në 471 milionë euro e që e hedhë poshtë të gjitha deklaratat e Kryeministrit Albin Kurti se bizneset po paguajnë boxhin pasi ishin liruar nga korrupsioni, shkruan Gazeta Insajderi.
Pavarësisht kësaj, të marten përmes një konference për media drejtori i ATK-së Ilir Murtezaj, bashkë me ministrin Hekuran Murati, njoftuan se gjatë periudhës 6 mujore ky institucion ka mbledhur 355 milionë euro të hyra tatimore.
Asnjëri prej tyre nuk e përmendi se në fakt borxhi i bizneseve është rritur e as se ATK ka dështuar gjatë dy muajve të arrijë targetin që i kishin vendos vetës.
Për këtë raportoi Gazeta Insajderi.
Sipas dokumentacioneve zyrtare të ATK-së, del se gjatë muajit qershor kishin planifikuar të mblidhnin mbi 52 milionë euro tatime nga bizneset por inkasuan vetëm 42 milionë.
Kurse në muajin maj nga 47 milionë sa planifikonin, kanë inkasuar vetëm 43 milionë euro, shkruan Gazeta Insajderi.
Por në konferencë drejtori, Ilir Murtezaj kur fliste për “suksesin” e mbledhjes së 355 milionë euro të hyra tatimore për gjashtë muaj, meritat ia linte disa faktorëve, “si fuqizimit të kontrollit të brendshëm, efikasitetit në mbledhjen e borxheve e dixhitalizimit”
“Si rezultat i përformancës dhe të hyrave tatimore, ATK-ja në shumë fusha është institucion lider në rajon. Gjatë periudhës 6 mujore jemi vlerësuar nga FMN-ja. ATK ndër objektivat kyçe ka pasur ofrimin e shërbimeve. Si rezultat është arritur që ATK të mbledhë gjatë 6 mujorit të hyrat mbi 355 milion euro tatime. Në krahasim me planin kemi rritje prej 26.5 milionë euro, apo 8.1 përqind”, tha Ilir Murtezaj.
Por Murtezaj nuk e tha asnjë fjalë për dështimin e madh gjatë dy muajve në mbledhjen e tatimeve nga bizneset.
Për këtë nuk fol as ministri Hekuran Murati. Vecse ai e lavdërojë drejtorin e ATK-së, Ilir Murtezaj.
“I përgëzoj ATK dhe stafin për arritjet në gjashtë mujor, po ashtu edhe tatim paguesit sepse janë ata që e mbajnë shtetin dhe ATK-në në këmbë, secili që paguan me rregull është kontributor i këtij shteti”, tha Murati para gazetarëve përcjell Insajderi.
Murati, madje u shpreh se për të rritur suksesin e ATK-së dhe shtetit duhet të ketë besim në institucione.
Boxhi i bizneseve ndaj shtetit sipas komunave
Vetëm në Departamentin e Tatimpaguesve të mëdhenj, del se shifra e borxhit të biznesve ka arritur në 55 milionë nga 20 milionë.
Sipas dokumenteve interene që ka siguruar Gazeta Insajderi nga ATK del se nga 79 milionë sa ishte borxhi në bizneset e “Prishtina 1”, në vitin 2022 ka arritur në 96 milionë.
Kurse bizneset e “Prishtina 2” siç janë të ndara nga ATKnga 35 milionë në 47 milionë ndërsa në “Prishtina 3”
Bizneset nga Gjilani nga shuma prej 29 milionë eurove ka arritur në 34 milionë euro. Derisa ato nga Ferizaj nga 39 milionë euro, i kanë borxh shtetit 49 milionë euro.
Bizneset e komunës së Prizrenit të cilat sipas Administratës Tatimore të Kosovës, janë ndarë në dy kategori i kanë shtet borxh në total nga 44 milionë euro në 47 milionë euro.
Boxhi I bizneseve të Gjakovës nga 10 milionë është rritur në 12 milionë, i atyre të Pejës nga 27 milionë në 32 milionëeuro derisa bizneset e Mitrovicës nga 29 milionë në 38 milionë. /Gazeta Insajderi