×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Ministri Murati lavdëron njeriun që u dënua me heqje të 50% të pagës (Dokument)

    Insajderi
    12 July 2022 - 14:27

    Në muajin prill të këtij viti, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës mori vendim për ndalimin e 50% të pagës mujore ndaj Ilir Murtezaj, Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës.  

    Vendimi ishte marrë pasi Murtezaj nuk kishte zbatuar në plotni dy vendime të Këshillit, të cilat ishin marrë me 16 dhe 23 qershor.

    Kështu thuhet në vendimin të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi.

    “I ndalohet 50% e pagës mujore z.Ilir Murtezaj, Zëvendësues i Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, për shkak se i njëjti nuk e ka zbatuar në plotni vendimin A.nr 461/2021 të datës 23.06.2021 dhe vendimin A.nr.484/2021 të datës 18.06.2021 të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës”, thuhet në vendim përcjell Gazeta Insajderi.

    Po ashtu ceket se ndalesa e pagës do të bëhet deri në zbatimin e plotë të vendimeve nga ana e drejtorit.

    Vendimi i KPMSHCK-së nuk e pengoi ministrin e Financave, Hekuran Murati që ky i fundit ta lavdërojë sot drejtorin e ATK-së, Ilir Murtezaj.

    Pavarësisht që Murtezaj ka shkelur ligjin duke mos i respektuar vendimet e Këshillit, ministri Murati sot e përgëzoi atë dhe stafin e tij për punën gjashtë mujore të këtij viti.

    “I përgëzoj ATK dhe stafin për arritjet në gjashtë mujor, po ashtu edhe tatim paguesit sepse janë ata që e  mbajnë shtetin dhe ATK-në në këmbë, secili që paguan me rregull është kontributor i këtij shteti”, tha Murati para gazetarëve përcjell Insajderi.

    Murati, madje u shpreh se për të rritur suksesin e ATK-së dhe shtetit duhet të ketë besim në institucione.

    “Për planet si ministri dhe si qeveri jemi të interesuar të shohim forcim të institucioneve. Për të rritur suksesin është parakusht të ketë besim në institucione. Është i rëndësishëm formalizmi i ekonomisë. Kemi rritje të vazhdueshme të të hyrave”, deklaroi Murati derisa në krahë kishte një person që u dënua nga një institucion, në rastin konkret nga KPMSHCK.

    Fjalën në këtë konferencë e mori edhe njeriu që si zbatoi vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Drejtori, Ilir Murtezaj tha se gjatë periudhës 6 mujore ATK-ja ka mbledhur 355 milionë euro të hyra tatimore.

    Për këtë ia lë meritat disa faktorëve, si fuqizimit të kontrollit të brendshëm, efikasitetit në mbledhjen e borxheve e dixhitalizimit.

    “Si rezultat i përformancës dhe të hyrave tatimore, ATK-ja në shumë fusha është institucion lider në rajon. Gjatë periudhës 6 mujore jemi vlerësuar nga FMN-ja. ATK ndër objektivat kyçe ka pasur ofrimin e shërbimeve. Si rezultat është arritur që ATK të mbledhë gjatë 6 mujorit të hyrat mbi 355 milion euro tatime. Në krahasim me planin kemi rritje prej 26.5 milionë euro, apo 8.1 përqind”, tha Ilir Murtezaj.

    /GazetaInsajderi

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark