×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Ekskluzive: Insajderi zbulon edhe një mashtrim të Kurtit, Qeveria ‘përmbushë apetitet për luks’ të biznemenit Hyda Krasniqi

    Insajderi
    12 October 2022 - 15:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gazeta Insajderi ka zbuluar se Administrata Tatimore e Kosovës, ka lidhur një kontratë me një biznesmen privat, e cila është në kundërshtim me premtimin e madh të kryeministrit Kurti. Administrata Tatimore është duke u zhvendosur në një objekt privat dhe shteti do t’ia paguajë 23 mijë euro në muaj një biznesmeni. Insajderi sjell detaje të marrëveshjes së shtetit me biznesmenin Hyda Krasniqi

    Në nëntor të 2019’ës, opozitari i atëhershëm Albin Kurti kishte bërë një premtim që kishte fituar simpatinë e njerëzve që kërkonin kursim të buxhetit publik.

    Kishte folur për të mirën publike dhe kishte goditur ashpër biznesmenët privat. I kishte portretizuar si llaskucë me apetite luksi.

    Qeveria e re ka si prioritet mbi prioritetet zvogëlimin e shpenzimeve qeveritare. Do të fillojmë me objektivin që asnjë institucion publik të mos vendoset nëpër objekte private“, kishte deklaruar Kurti.

    Ai e kishte sqaruar me tej se si do të realizohej ky premtim i madh. Po ashtu, Kurti biznesmenët që lëshonin me qira objektet e tyre private për nevoja të institucioneve i përshkruante si “individ me apetite për luks“.

    Kjo nënkupton që nuk mund të lejojmë rialokime të stafit nëpër ndërtesa vetëm e vetëm për të përmbushur apetitet për luks të individëve të caktuar në nomenklaturën politike e as nevojën për përfitime të paligjshme të pronarëve të objekteve të caktuara private“, kishte pohuar Kurti.

    Këtë premtim Kurti e kishte dhënë disa muaj para se të ngjitej në pushtet, në Qeverinë Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Gjatë atyre ditëve temë qendrore ishte Hashim Thaçi. Një vendim i tij për ta bartur presidencën në objektin e ish-komitetit ku ishin të vendosura Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Kulturës.

    Të dy ministritë parashihej të vendoseshin në një objekt privat. Përfitues nga ky vendim ishte një biznesmen i famshëm nga Shqipëria. Gazmend Demi. Thaçi e respektonte shumë këtë biznesmen. E kishte shpërblyer edhe me dekoratën “Urdhri i Pavarësisë”.

    Por, gati tri vite pas këtij premtimi të madh të Kurtit duket se ai ishte vetëm një postim sa për ta goditur rivalin e tij politik, Thaçin si dhe biznesmenin multimilioner Gazmend Demi.

    Gazeta Insajderi ka zbuluar se edhe Qeveria Kurti është duke u kujdesur që të përmbushë apetitet për luks të individëve nga bota e biznesit.

    Zhvendosja e ATK-së

    Që katër muaj Administrata Tatimore e Kosovës ka nisur zhvendosjen e stafit në zyrat e objektit të ri që kanë marr me qera në lagjen “Arbëria” në Prishtinë. Ndonëse ende nuk është zhvendosur i gjithë stafi, qeraja për shfrytëzimin e këtij objekti është paguar që nga muaji shkurt i këtij viti.

    Gazeta Insajderi ka kërkuar nga ATK qasje të plotë në kontratën e nënshkruar, çmimin e qerasë dhe kompaninë përfituese.

    Në përgjigjen e tyre, kanë dhënë qasje të pjesshme pasi që nuk kanë treguar kontratën e nënshkruar.
    Këtë kontratë Insajderi ka arritur të siguroj përmes rrugëve tjera.

    Detajet e kontratës rreth 900 mijë euroshe mes ATK-së dhe biznesmenit

    Administrata Tatimore e Kosovës ka lidhur kontratë 828 mijë euro me kohëzgjatje tre vjet me biznesmenin Hyda Krasniqi për shfrytëzimin e pronës së tij për zyrat qendrore të ATK-së dhe regjionale të Prishtinës.

    Vlera e kontratës për qera një mujore është 23 mijë euro. Kontrata është nënshkruar për periudhën 36 muajore. Në total për tri vite i bie se biznesmeni do të përfitoj 828 mijë euro pagesë bruto nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

    Kontrata është lidhur me 5 Janar 2022 ndërmjet Administratës Tatimore të Kosovës të cilën e përfaqëson Hamit Mulaj– zv. Drejtor i Përgjithshëm i Mbështetjes së Programeve dhe Qiramarrësit “The Hill L.L.C” kompanisë së biznesmenit Hyda Krasniqi .

    Kontrata hyri në fuqi me datën 1 Shkurt 2022, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sipas kontratës, Objekti përbëhet nga 3986 metra katror ( objekti është nga bodrumi, sutereni (hyrja kryesore, përdhesa, kati i parë), parkingu i automjeteve ku do të mund të parkohen deri 62 vetura që është i përfshirë në çmimin e kontratës.

    Çmimi i kontratës është 22.999.00 Euro bruto në muaj. Në këtë shumë është e përfshirë Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) me normën 18 %.

    Insajderi ju sjell ekskluzivisht kontratën

    Kush është biznemeni Hyda Krasniqi

    Sipas kontratës së siguruar nga Gazeta Insadjeri, pronari i objektit ku është zhvendosur Administrata Tatimore e Kosovës është biznesmeni Hyda Krasniqi.

    Qiramarrësi “The Hill L.L.C”, sipas ARBK-së është në pronësi të biznesmenit Hyde Krasniqi.

    Krasniqi posedon edhe dy biznese të tjera. “Expert – Pharma SH.P.K dhe “Hyda Krasniqi B.I.”

    Gazeta Insajderi ka arritur të siguroj edhe vendimin për lejen e ndërtimit të objektit “The Hill L.L.C”.

    Sipas dokumentit, Hyda Krasniqit i lejohet ndërtimi i ndërtesës rekreative-sportive në kuadër të bllokut urbanistik “D2.1”. Pra sipas këtij vendimi biznemeni ka marrë leje nga  Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës për ndërtimin e një salle sportive.

    Ndërkohë biznesmeni këtë objekt është duke e lëshuar me qera, madje për institucionet e shtetit – zyre të Administratës Tatimore të Kosovës.

    Gazete po ashtu mëson nga burimet e veta se ky objekt në katin e parë ka të lëshuar me qëra për një supermarket.

    ATK arsyeton çmimin prej 23 mijë euro për qera mujore

    Gazeta Insajderi, ka kërkuar sqarime nga Administrata Tatimore e Kosovës rreth kontratës së madhe të qerasë me biznesmenin Krasniqi.

    Në përgjigjen e ofruar nga kërkesa për qasje në dokumente zyrtare, ATK ka thënë se objekti i përzgjedhur i ka plotësuar më së miri nevojat e stafit të ATK-së.

    Me një çmim tejet të lartë, 23 mijë euro qera në muaj, nga ATK thonë se kanë përzgjedhur koston minimale dhe e cilësojnë si të arsyeshme.

    Zgjidhja e objektit për marrjen hapësirave me qira për nevojat e stafit te ATK-se është vlerësuar nga ATK se është bere zgjidhje me e mire e mundshme ne baze te hulumtimeve te bëra për gjetjen e hapësirave për punë, ku objekti i përzgjedhur i ka plotësuar me se miri nevojat e stafit te ATK-së, dhe njëherit përzgjedhja është bëre me kosto minimale shume të arsyeshme në vlerën totale mujore 22,999.00 € ( përfshire TVSH, tatimin ne qira) e cila zgjidhje vlerësohet se është ekonomike, efikase dhe drejtë. Ne kosto është përfshire edhe parkingu per 70 vetuar”, thuhet në përgjigjen  e tyre.

    ATK ka sqaruar se shumë prej 23 mijë euro qera mujore nuk do ta paguaj të gjithën Administrata Tatimore por vetëm 15 mijë e 329 euro. Ndërsa 7 mijë e 670 euro do të paguhen nga Drejtoria regjionale Prishtina 3.

    Vlen te theksohet se ne vlerën financiare te larte shënuar është përfshire edhe kostoja mujore e qirasë ne vlerën prej 7670.00€ e cila kosto nuk paguhet me nga ATK, për stafin e Drejtorisë regjionale Prishtina 3, ku zhvendosja është bere për shkak te krijimit te kushteve me te mira për pune, duke u zhvendosuri ne objektin ne Arbëri. Per sqarim, ju njoftojmë se kure te zbritet kostoja e qirasë qe nuk paguhet me nga ATK, atëherë kostoja totale mujore e objektit te marrur ne shfrytëzim ne Arbëri është; 15,329.00 €. Marrëveshje është ne kohëzgjatje prej 36 muajve me mundësi ndërprerje nëse ATK munde te bene zgjidhje duke krijuar kushtet për pune stafit te vendosur ne këtë objekt”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark