Emri i sopranos së famshme botërore Inva Mulës është futur në një listë të Agjencisë Kundër Korrupsion. Ligji nuk është shkelur përkundër namit të madh të sopranos.
Emri i saj figuron në listën e personave që nuk e kanë deklaruar pasurinë. AKK-ja ka bërë publik emrin e saj. Ka konkluduar se ajo obligohet që ta bëjë këtë meqë është emëruar në pozitën e anëtares së Këshillit Përgatitor për inicimin dhe funksionalizimin e Institucionit të Operës së Kosovës.
Por, i njëjti brutalitet ligjor nuk është duke u treguar me një anëtar të një trupë tjetër. Me anëtarin e Këshillit të Shkencës, i nominuar në këtë pozitë nga ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci.
Madje, Morina ka shkuar edhe më larg. Nuk e ka deklaruar pasurinë qëllimisht. Ka bërë vlerësime që ligji për deklarimin e pasurisë duhet të ndryshohet dhe t’i përshtatet atij.
Rasti i tij është duke i habitur të gjithë anëtarët e tjerë të Këshillit të Shkencës. Gazeta Insajderi sjell prapaskenën që është duke u zhvilluar në mbledhjet e këtij këshilli, në të cilat më shumë flitet për kapadaillëkun e Ardian Morinës se sa për projektet shkencore.
Ndonëse Morina është propozuar nga Qeveria Kurti, e cila e ka vendosur si prioritet të saj verifikimin e pasurisë së zyrtarëve publikë, ai është duke insistuar dhe është duke u lejuar nga pushtetarët që t’i shmanget deklarimit të pasurisë.
Kapadaillëku i Morinës – Jep “dorëheqje të përkohshme” dhe e cakton vetën ekspert të jashtëm
Ardian Morina, është shfaqur sot në mbledhjen e Këshillit të Shkencës, ndonëse ka dërguar që më shumë se një muaj letrën e “dorëheqjes së përkohshme”, një veprim që nuk e mundëson asnjë ligj në Republikën e Kosovës.
Nuk dihet se për çfarë arsye është ftuar i dorëhequri, mirëpo ka nxitur pakënaqësi te anëtarët tjerë të Këshillit të Shkencës.
Kanë kërkuar llogari nga kryetarja e këshillit Myzafere Limani. Ajo ka dhënë një arsyetim të çuditshëm, sipas burimeve të Gazetës Insajderi brenda këtij këshilli.
“Nuk ka dhënë dorëheqje të parevokueshme. Ende nuk ia ka pranuar Kuvendi dorëheqjen”, i ka thënë Limani anëtarëve tjerë të këtij këshilli.
Mirëpo, Morina ka bërë edhe planin B nëse veç i pranohet dorëheqja. Ka vendosur që të jetë ekspert i jashtëm i kësaj trupe.
Gazeta Insajderi, ka siguruar shkresën e Morinës që ia ka dërguar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës.
Aty Morina nuk jep njoftime. Por, merr vendime për pozitat e tij.
Më 10 qershor të këtij viti, Ardian Morina iu kishte drejtuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës me një letër ku e kishte njoftuar për dorëheqjen e tij të përkohshme nga pozita e anëtarit të Këshillit Kombëtar të Shkencës.
Në shkresën e tij, Morina kishte treguar se deklarimi i pasurisë është pengesa kryesore e tij e cila po ia pamundëson vazhdimin e punës si anëtar i Këshillit të Shkencës.
Ndonëse, këtë obligim ligjore në kuadër të Agjencisë Kundër Korrupsionit e kishin bërë tashmë edhe drejtuesit më të lartë të vendit, siç janë Presidentja, Kryeministri e Kryeparlamentari. Por, jo edhe Morina, i cili preferoi të dorëhiqej duke kërkuar edhe ndryshimin e këtij ligjit.
Sipas shkresës së siguruar nga Gazeta Insajderi, Morina thoshte se ai dhe familja e tij nuk mund ta bëjnë deklarimin pasurisë për shkak të obligimeve kontraktuale që kanë me punëdhënësit e tyre në Angli.
“Ky veprim është si rezultat i kërkesës për deklarimin e pasurisë që për fat të keq, unë dhe familja nuk kemi mundësi ta kryejmë për shkak të obligimeve kontraktuale që kemi ndaj punëdhënësve tonë në Angli”, thuhet në letrën e Morinës drejtuar Konjufcës.
Më tej, në shkresën e tij Morina nuk harron ta cek që pasi të jetë ndryshuar Ligji që obligon zyrtarët e shtetit për deklarimin e pasurisë, i njëjti do ta tërheq dorëheqjen dhe t’i kthehet prapë punës.
“Arsyeja pse dorëheqja ime nuk është e parevokueshme është pasi që sipas projektligjit nr. 08/L-108 për deklarimin e pasurisë, i cili është në proces të shqyrtimit nga Kuvendi i Kosovës, pritet që anëtarët e KKSh të mos konsiderohen si zyrtarë të lartë dhe që shtetasit e huaj të mos të jenë të obliguar të deklarojnë pasurinë. Me këtë dorëheqje të përkohshme e ruaj të drejtën që të tërheqë dorëheqjen në momentin që projektligji nr. 08/L-108 të votohet në Kuvend, që shpresoj të jetë së shpejti”, thuhet më tej.
Për, të mos mbetur pa një post institucionet e shtetit, shkencëtari Morina e emëron vetën në një postë tjetër. Përmes letrës ai e njofton kryekuvendarit për vazhdimin në pozitën e re si ekspert i jashtëm në këtë Këshill.
“Në ndërkohë, unë do të vazhdoj të kontribuoj për zhvillimin e shkencës në Kosovë duke e mbështetur punën e Këshillit si ekspert i jashtëm, në pajtueshmëri me rregulloren e KKSh”, thuhet më tej në shkresë.
Ndryshe, me 23 nëntor të vitit të kaluar Ardian Morina ishte emëruar nga Kuvendi i Kosovës në pozitën e anëtarit të Këshillit Kombëtar të Shkencës.
Ai kishte fituar mandate katër vjeçar për shërbimin në degën e Inxhinierisë dhe Teknologjisë në kuadër të KKSH-së. Propozimi i tij për këtë pozitë kishte ardhur nga vetë Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. /GazetaInsajderi/