×
  • Hulumtime/Analiza
  • Aktuale

    Ekskluzive: Pushteti i Kurtit i bënë gati 2.7 milionë euro për kompaninë e afërt me biznesmenin e dënuar për mashtrim

    Insajderi
    23 December 2021 - 17:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Nuk do të përfitojnë më ata që janë pasuruar në mënyrë të dyshimtë gjatë regjimeve të kaluara”, ky premtim i madh i Albin Kurtit është shpërfillur nga Policia e Kosovës. Pikërisht këtë muaj është shpallur fituese e 2.7 milion eurove një kompani që i  përket rrjetit të famshëm të dilerëve të armëve, të dënuar për mashtrim e të akuzuar për ryshfet

    Dy zhvillime të kundërta me njëra-tjetrën i ndodhën biznesmenit Armend Selimi, me 16 dhjetor të këtij viti.

    Ishte i ulur në bankën e të akuzuarve. Prokurorja  Dulina Hamiti, i kërkonte trupit gjykues që biznesmenin Selimi ta dëntonte me burgim për shkak të akuzave për mashtrim, shkruan Gazeta Insajderi.

    Jashtë sallës së gjyqit ndodhte një zhvillim pozitiv për Selimin. Kompanisë Sodex Group, që është pjesë e rrjetit të tij, i kishte ardhur një letër nga shteti. Nga Policia e Kosovës. Njoftohej se ishte shpallur fituese e tenderit të madh në vlerë prej mbi 2 milion e 700 mijë eurosh.

    Njoftimi kishte ardhur nga zyrtarja e Policisë së Kosovës, Xhevahire Vatovci. Biznesmeni Selimi njihet moti me këtë zyrtare të Policisë.

    Të dy ata ishin të akuzuar në vitin 2015 për skandalin e madh të armëve, Vatoci si zyrtare e Prokurimit në Polici e Selimi si biznesmen.

    Një ditë më pas gjërat u përkeqësuan për Armend Selimin, për sa i përket zhvillimeve në proces gjyqësor. U gjetë fajtor për veprën penale të “Mashtrimit” dhe është dënuar me gjashtë muaj burgim.

    Mirëpo, përkundër kësaj Policia e Kosovës vendosi që të shkojë tutje duke mos eliminuar nga gara firmën “Sodex Group”, që është pjesë e rrejetit të biznesmenit Selimi. Këmbëngul që ka respektuar ligjin kur e ka shpallur fitues kompaninë e afërt me biznesmenin tashmë të dënuar për mashtrim.

    Policia i jep 400 mijë euro më shtrenjtë tenderin kompanisë së biznesmenit të dënuar për mashtrim

    Gazeta Insajderi, ka gjetur se përveç që Policia e Kosovës, i dha tender mbi 2.7 milionë euro kompanisë së rrjetit të  biznesmenit Armend Selimi, e kaluara e të cilit lidhet me korrupsion me furnizim me armë, ajo kishte edhe çmimin për 400 mijë euro më të shtrenjtë.

    Policia e Kosovës, fillimisht kishte pranuar shtatë oferta për tenderin e madh “Furnizim me Antiplumba”.

    E shpalli fituese, herën e parë kompaninë Pricom/Seyentex NV. Oferta e këtij operatori kapte vlerën e 2 milionë e 346 mijë euro. Pasi që u shpall fituesi, operatorët tjerë konkurrentë kanë bërë ankesë duke kërkuar rivlerësim të tenderit.

    Zyra e Prokurimit e Policisë së Kosovës, e ktheu në rivlerësim. Por me datën 16 dhjetor të këtij viti, shpalli fituese kompaninë e dytë “Sodex Group”, e afërme me biznesmenin e dënuar për mashtrim.

    Kompania “Sodex Group” përveç së është pjesë e rrjetit të biznesmenit, e kaluara e të cilit lidhet edhe me korrupsion me furnizimin e armëve, kishte ofertën çmimin për 400 mijë euro më të lartë, sesa kompania e parë që ishte shpallur fituese.

     “Sodex Gropu”, fitoi tenderin e Policisë për furnizim me antiplumba në vlerë prej 2 milionë e 758 mijë e 950 eurosh, shkruan Gazeta Insajderi.

    Zyra e Prokurimit në Policinë e Kosovës kanë arsyetuar veprimin e saj karshi kompanisë “ “Sodex Group”,  duke thënë se kompanitë tjerë pas rivlerësimit kanë dal si oferta të papërgjegjshme.

    “Komisioni ka bërë rivlerësimin  e ofertave sipas  kritereve të kërkuara në njoftimin për kontratë, dosjen e tenderit dhe specifikacionin teknik të detyrueshëm të dosjes së tenderit dhe ka rekomanduar për kontratë ofertën e operatorit ekonomik, si ofertë e vetme e përgjegjshme duke plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara  në njoftimin për kontrate, Dosjes se Tenderit dhe specifikacionin teknik të detyrueshëm”.

    Derisa për kompanisën që fillimisht vet e kishin shpallur fituese, me cmimin për 400 mijë euro më pak sesa “Sodex Group”, Policia e Kosovës thonë se nuk i kishte plotësuar specifikacionet teknike.

    “Operatori ekonomik që ka çmimin më të ulët  nga komisioni i rivlerësimit është shpallur ofertë e pa përgjegjshme pasi që nuk i plotëson Specifikacionet teknike të detyrueshëm të dosjes së tenderit të kërkuara nga AK”, thuhet në përgjigjen e policisë për Gazetën Insajderi.

    Historia e Armend Selimit me zyrtaren Xhevahire Vatovci dhe tenderët e Policisë së Kosovës

    Edhe më skandaloze tërë këtë proces tenderimi të Policisë së Kosovës e bënë fakti se zyrtarja e lartë e prokurimit në policinë e Kosovës, Xhevahire Vatoci ishte e përfshirë edhe më herët në skandalin e korrupsionit me armë bashkë më Armend Selimin.

    Kjo zyrtare më datën 5 tetor 2011 ishte arrestuar bashkë me biznesmenin Armend Selimi. Nën akuzën se kanë krijuar rrjet kriminal të keqpërdorimeve financiare në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

    Në vitin 2015 Prokuroria Speciale, pati akuzuar përvecse biznesmenët Armend Selimi e Astrit Pira nga kompania “Friends” edhe Xhevahire Vatovci dhe dy zyrtarë tjerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

    Ata dyshoheshin për veprime të dyshimta lidhur me tenderin e armëve dhe favore ndaj biznesmenëve.

    Vatoci si Drejtoreshë në Drejtorinë e Prokurimit në Policinë e Kosovës, akuzohej se bashkë me kolegët e saj, u kishin paguar faturat e lëshuara Policisë së Kosovës për artikujt që përmendeshin në tenderë për shuma më të larta se çmimi real, duke mos zgjedhur kompaninë e cila kishte dorëzuar ofertën me çmimin me të ultë dhe shume veprime tjera.

    Dyshoheshin se kanë derdhur rreth 3,1 milionë euro nga buxheti i policisë në gjashtë kompanitë që kontrolloheshin nga biznesmenët Armend Selimi dhe Astrit Piraj.

    Këta pesë persona sipas aktakuzës, kanë punuar së bashku për të manipuluar së paku tre tenderë ndërmjet vitit 2009 dhe 2011. Sipas aktakuzës ata duke përdorur informata të brendshme, kanë eliminuar ofertat më të favorshme për arsye të rreme, dhe kanë pranuar mallrat me çmime shumë të fryra.

    Skandali i armëve ishte zbuluar nga Prokuroria e EULEX-it.

    Kjo rezultoi me ngritjen e aktakuzës ndaj dy biznesmenëve, e tre zyrtarëve të MPB-së përfshirë edhe Vatocin.

    Tash e njëjta zyrtare që ishte e përfshirë në akatkuzë e skandalit të armëve bashkë me biznesmenin Armend Selimi, me 16 dhjetor e njoftoi kompaninë Sodex Group, se është shpallur fituese e një tenderi të ri të policisë së Kosovës.

    Atij për “Furnizim me Antiplumb”, me vlerën prej 2 milionë e 758 mijë e 950 eurosh.

    Policia e Kosovës nuk është përgjigjur në pyetjen e Gazetës Insajderi, nëse zyrtarja Xhevahire  Vatovci, është deklaruar për konfliktin e interesit gjatë procedimit të këtij tenderi publik. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark