×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Ekskluzive: Zbuloi keqpërdorimin 16 milionësh, flet për Insajderin kryeauditori që po kërcënohet nga Liburn Aliu e Hysen Durmishi

    Insajderi
    06 July 2022 - 15:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeauditori Begzad Musliu i cili po kërcënohet nga ministri Liburn Aliu dhe zëvendësi i tij Hysen Durimishi ka folur për auditimin që ia ka bërë tenderit 16 milionësh për mirëmbajtjen e autostradave.

    Begzad Musliu, drejtori i Njësisë së Auditmit të Brendshëm në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, i ka kërkuar ministrit Liburn Aliut, që ta anulojë tenderin që peshon mbi 16 milionë euro për mirëmbajtjen e dy autostradave të Kosovës.

    Këtë thirrje ai bëri pas përpilimit të raportit për kontratën në fjalë, ku gjeti se “ky Aktivitet i Prokurimit ishte i manipuluar, kurdisur dhe koordinuar me operatorët ekonomikë të caktuar. Ishte një konstruksion korruptiv me pasoja të mëdha të humbjeve financiarë për MMPHI”.

    Musliu i tha Gazetës Insajderi se auditimin e brendshëm të tenderit 16 milionësh, e bazoi në Ligjin për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike.

    “1. Udhëheqësi i subjektit të sektorit publik krijon sistemin për parandalimin e rrezikut për parregullsi dhe mashtrim, dhe ndërmerr veprime kundër parregullsive dhe mashtrimeve; 2. Çdo punonjës, përfshirë edhe auditorët e brendshëm, informon për çdo parregullsi ose mashtrim të mundshëm, udhëheqësin e subjektit të sektorit publik dhe, nëse e konsideron të dobishme, organet kompetente”, citon Musliu pikën 1 dhe 2 të Nenit 32, ku sqarohen procedurat për raportimin e parregullsive.

    Auditori ka sqaruar për Gazetën Insajderi, se ai mund ta fillojë auditimin e secilit proces, kurdo që mund të ketë dyshime, edhe nëse ajo nuk i kërkohet nga askush.

    “Ne në çdo kohë brenda orarit të punës sa herë që ne shfaqim dyshimet tona për mashtrim të kontrolleve të brendshme menaxheriale apo dhe operacionale, i ofrojmë me shkrim apo me gojë shërbime të sigurisë objektive Udhëheqësit të SSP/Ministrit/es. Është në diskrecionin e tij/saj që t’i ndërmerr masat e duhura ligjore për ta evituar, shmangur apo pranuar rrezikun”.

    Kjo deklaratë ka ardhur një ditë pas paralajmërimit të zëvendësministrit Hysen Durimishi se mund të merren masa ndaj drejtorit të Auditimit.

    “Na tash i marrim masat që duhet të mirren, faktikisht ministri [Liburn Aliu] – sepse ai i raporton ministrit – masat administrative që janë të parapara me Ligj, kur një zyrtar nuk i respekton ato”, tha dje Durmishi për Gazetën Insajderi.

    Kjo pasi, sipas zëvendësministrit Durimishi, auditorit Musliu nuk i është kërkuar raporti për 16 milonëshin, andaj paralajmëroi masa ndaj tij.

    “Qysh është e mundur një auditor me bë një raport që nuk ja ka kërku kurrkush, me jua dërgu mediave, e mos me ja dërgu ministrit dhe as zëvendësministrit”.

    “Ai as nuk ka dosje, as nuk ka dokumentacion, as nuk e ka shqyrtuar dokumentacion – duhet me i kërku ato, nuk i ka kërku prej kurrkujt, dhe e ka bë një raport të cilin e keni marrë ju mediat – në ndërkohë që ai raport nuk i ka ardh as ministrit dhe as mu”, tha Durmishi, për Gazetën Insajderi.

    Pikërisht për këtë çështje, auditori e ka demantuar zëvendësministrin.

    “Për rastin në fjalë, ne i kemi ofruar me shkrim Shërbime të Sigurisë Objektive Ministrit dhe Sekretarit. Shërbimet e Sigurisë Objektive u janë dërguar me shkrim në rrugë zyrtare Ministrit dhe Sekretarit përmes Arkives Qëndrore të Ministrisë dhe përmes e-malit zyrtar të tyre. Materiali zyrtar u është dërguar me datën: 23.06. 2022 pjesa e parë dhe me datën: 29.06.2022 pjesa e dytë”, tha Musliu për Gazetën Insajderi, pavarësisht që dje – Durimishi insistonte për të kundërtën.

    Ky i fundit, e Aliu posedojnë një raport tjetër të cilin e kanë përpiluar dy auditorë dhe një zyrtar i ministrisë së Mjedisit të autorizuar nga ata, gjë për të cilin Musliu u la jashtë grupit auditues, veprim ky për të cilin konfimroi se nuk iu asnjë arsye “deri më sot”.

    Historiku i tenderit 16 milionësh për të cili raportoi ekskluzivisht Gazeta Insajderi

    Në fillim të qershorit, 2022, emri i Liburn Aliut po shkonte trending në mediat e vendit.

    “E ka jaran Liburnin”, ishte vetëm njëra nga pjesët e përgjimit që ishte publikuar në aferën njohur si ‘Liburnia’ e përmes së cilës dëshmohet se daja i këshilltarit të minsitrit Liburn Aliu, Florent Ramqajt është i përfshirë në marrje të ryshfetit.

    30 mijë euro kërkohen nga një biznesmen në emër të kompanisë “Infratek”, që udhëhiqet nga daja i Ramqajt, Halil Jahaj.

    Gazeta Insajderi do të publikonte edhe lidhje më direkte mes Liburn Aliut e Halil Jahajt. Aliu edhe Jahaj janë pjesë e një bordi të përbashkët. Ata janë anëtarë të Bordit Industrial të Fakultetit të Ndërtimtarisë.

    Audi-incizimi i ryshfetit dhe lidhja me tenderin 16 milionësh

    Aliu, që drejton një konglomerat ministrish, atë të Mjedisit e Infrastrukturës, të bashkuara tash, do të dilte në televizion për tu sqaruar për atë audio-incizim ku përmendej edhe emri i tij.

    Në një intervistë të gjatë në Presing të T7, Aliu do të tregonte se beson që ky publikim erdhi pasi që ai mori veprime për të pezulluar një tender fortë të shtrenjtë – tenderin për mirëmbajtjen e autostradave – që peshon hiç më pak se sa 16 milionë euro.

    Ai në këtë intervistë tha që ka kërkuar hetim të brendshëm, pasi që dyshohej se si u shpallën fitues në këtë tender 16 milionësh kompanitë që në mars 2022 u rekomanduan për këtë kontratë.

    Kompanitë që fituan 16 milionëshin për herën e parë

    Në atë dokument del që kompanitë që ishin bërë gati ta merrnin këtë tender ishin: lot 1: grupi i kompanive me lider “Lika Company”, loti 2: grupi i kompanive me lider  kompaninë “2A Group”, loti 3: grupi i kompanive, me lider kompaninë “Damastion Project” dhe loti 4: grupi i kompanive me lider kompaninë “Arbotec”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Dokumenti:

    Aliu duke folur se si nxjerrja në publik e audio-incizimit për dyshime për ryshfet lidhej me pezullimin e këtij tenderi, tha edhe që për këtë ka kërkuar “auditim special”.

    Për më shumë, ai kishte mohuar se po për këtë tender ka prishje të raporteve mes tij dhe Hysen Durmishit, zëvendësit të tij në Ministri, që ka përgjegjësi më shumë Ministrinë e Infrastrukturës.

    “Unë kam qenë në burg me Hysen Durmishin. Sot i kemi raportet shumë të mira. Sot jemi taku, kemi pi kafe bashkë”, tha Aliu.

    Kompanitë që fituan 16 milionëshin pas ‘auditimit special’

    Duke folur rreth tenderit, ku thuhet se zë fill përplasja mes tyre, Aliu mohoi se Durmishi po hetohet, por theksoi se ai ka kërkuar auditim.

    “Hysen Durmishi e ka kërkuar auditimin…ai ka iniciuar auditimin, jo hetimin, ne s’bëjmë hetim”, shtoi ai.

    Por, ende pa u bërë një muaj nga këto deklarime, duket që ‘hetimi’ i Liburn Aliut ka përfunduar. Nuk ka gjetur asgjë të keqe. Kjo pasi që më 27 qershor, 2022 Ministria që ai drejton ka bërë njoftimin e fundit për dhënie të kontratës për mirëmbajtjen dimërore të Autostradave ‘Ibrahim Rugova” e Arbën Xhaferi”, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Vlera e parashikuar e kontratës: 16 milionë e 434 000 euro”, thuhet në këtë dokument.

    Edhe në këtë njoftim, si në atë që e dërgoi në ‘auditim special’ Liburn Aliu e Hysen Durmishi, rezultati është i njëjti.

    Loti 1 i është dhënë grupit të kompanive me lider “Lika Company”, loti 2 iu dha grupit të firmave që udhëhiqet nga “2A Group”, loti 3 iu dha grupit të kompanive me lider “Damastion Project”  dhe loti 4: grupi i kompanive me lider kompaninë “Arbotec”.

    Pos auditimit që Liburn Aliu bëri me dije që ka kërkuar për këtë tenderi 16 milionësh, e që tha që u bë me kërkesën e zëvendësit të tij, Hysen Durmishi, po për të njëjtin disa firma që ishin në garë ishin ankuar në Organin Shqyrtues të prokurimit.

    Gazeta Insajderi merr vesh se po për këtë kontratë në Gjykatën e Tenderëve deri tash janë deponuar hiç më pak se katër ankesa nga katër kompani të ndryshme./Gazeta Insajderi/

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark