Ekspertët: Kosova në rrugën e duhur, pavarësisht goditjeve nga politika drejt mediave – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Ekspertët: Kosova në rrugën e duhur, pavarësisht goditjeve nga politika drejt mediave

    Insajderi
    03 May 2022 - 21:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Bazuar në Indeksin e Lirisë së Shtypit Botërorë të publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij, Kosova ka përparuar kur flitet për lirinë e mediave.

    Krahasuar me vitin e kaluar kur Kosova ndodhej në vendin e 78-të, sivjet sipas Indeksit radhitet në pozitën e 61-të.

    Megjithëse ka ngritje dhe përmirësim në këtë kontekst, prap sipas Reporterëve pa kufij ajo vazhdon të jetë pjesë e listës së vendeve me “situatë problematike”.

    Profesoresha universitare, Remzie Shahini-Hoxhaj e cila ligjëron në degën e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës tha se pavarësisht renditjes nga raporti i publikuar prej Reporterëve pa Kufij, kemi mjaftë kritika nga Freedom House.

    Remzie Sahini-Hoxhaj, profesoreshë universitare dhe eksperte e mediave

    “Kosova ka arritur për këto vite mbas luftës të krijoje një sistem plural te mediave i cili e ndihmon shume ne ruajtjen e demokracisë. Ketë vit ndodhemi më mirë të pozicionuar në Raportin mbi Lirinë e Shtypit sipas Reporterëve pa Kufinj dhe kemi shumë kritika nga Freedom House”, tha Shahini-Hoxhaj për Insajderin.

    Sipas saj, kjo gjendje është krijuar për shkak të zhvillimit teknologjik dhe betejës së informatave ku verifikimi sa vjen e bëhet më i vështirë.

    Dhe në përgjithësi, Shahini-Hoxhaj pohon se ky raport është shqetësues pasi flet për një epokë të polarizimit të skajshëm.

    “Domethënë në përgjithësi raporti i Reporters Without Borders është shqetësues. Pra, 12 vende iu kanë bashku vendeve në listën e kuqe ku gjendja është e keqe. Raporti flet për një epokë të polarizimit të skajshëm sidomos për shkak te rrjeteve sociale dhe kaosit informuese për ndarjet dhe polarizimin që po shkaktohet”, tha profesoresha univeristare.

    Rëndësia e lirisë së mediave

    Profesori dhe eksperti i mediave, Arben Fetoshi potencoi se liria e mediave në shtetet demokratike manifestohet si arenë e shqyrtimit të çështjeve që janë me relevancë për publikun.

    Arben Fetoshi, profesor universitar dhe ekspert i mediave

    Sipas tij, në shtetet ku nuk ka liri dhe pluralizëm të mediave nuk mund të flitet për shoqëri të lirë dhe shoqëri demokratike.

    “Aty ka s’ka liri dhe pluralizëm të mediave s’mund të flitet për shoqëri të lirë e demokratike. Media e lirë i shërben më së miri opinionit publik dhe një opinion publik i pa manipuluar mundëson zgjedhje politike të drejta e të pa ndikuara”, tha Fetoshi për Insajderin.

    Ndërkaq ai tha se në kontekstin e Kosovës liria e mediave shërben si indikator për progresin drejt Bashkimit Europian.

    Fetoshi shtoi se Kosova është në rrugë të drejtë pavarësisht goditjeve të herëpashershme nga politika dhe grupet e interesit.

    “Në kontekstin e Kosovës rëndësia e lirisë së mediave është edhe më e madhe, sepse shërben po ashtu si indikator për progresin drejt BE-së. Në këtë ditë të shënuar të Lirisë së Mediave, mendoj se Kosova është në rrugë të mirë, pavarësisht goditjeve të herëpashershme nga politika dhe grupet e interesit”, tha profesori universitar.

    Kurse ligjeruesja e mediave, Shahini-Hoxhaj tha se mediat konsiderohen si mbikëqyrës të demokracisë.

    “Media janë promovues dhe mbikëqyrës të një demokracie, kështu qe roli tyre është qenësor ne ekzistence e shtetit demokratik”, tha Shahini-Hoxhaj.

    Në anën tjetër, raporti i Freedom House,  sivjet e radhiti Kosovën në mesin e vendeve pjesërisht të lira.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark