×
  • Lajme
  • Insajderi

    Ekstradohet “i rrezikshmi” i Shkodrës – i arrestuari për vrasjen e Haxhi Ahmetit nga Gjakova

    Insajderi
    19 April 2021 - 15:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Dodë Gjikolaj, i akuzuari për vrasjen e Haxhi Ahmetit, i cili u vra në hyrje të shtëpisë së tij në vitin 2018 me bomba të telekomanduara në Gjakovë, është ekstraduar sot nga Shqipëria në Kosovë.

    Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Gjakovës, Nustret Gjurkaj.

    Gjurkaj ka refuzuar të japë detaje se si erdhi deri te ekstradimi i tij, por theksoi se është vendosur masa e ndalimit prej 48 orësh.

    “Personi në fjalë është ekstradu prej Shqipërisë, është intervistu nga ana e Policisë dhe me urdhër të prokurorit i është caktu masa e ndalimit policor prej 48 orë”, ka thënë Gjurkaj.

    Familjarët e të ndjerit, Haxhi Ahmetit janë shprehur të lumtur për ekstradimin e Gjikolajt, duke theksuar se ai është vrarës me pagesë.

    Gani Haxhiu, djali i vetëm i mbetur i kësaj familje ka deklaruar se pret që drejtësia të vendoset dhe të arrestohet edhe ata që e paguan Dodë Gjikolajn, për ta kryer vrasjen e babait të tij.

    “Ne si familjarë, jemi shumë të lumtur që ai është ekstradu nga Shqipëria, po shpresojmë shumë që drejtësia ka mu vu në vend. Dodë Gjikolaj është paguar nga dikush për ta vrarë babain tim, por ne si familje shpresojmë që përveç tij, të arrestohen e ta vuajnë dënimin edhe ata që e kanë paguar për ta kryer këtë vepër”, ka thënë Ganiu për Insajderin.

    Por, si ndodhi e gjithë ngjarja?

    Më 14 tetor të vitit 2018, Haxhi Ahmeti, 61-vjeç, kishte mbërritur nga Gjermania në Gjakovë, vendlindjen e tij.

    Por, Ahmeti nuk do të mbërrinte të shkelte brenda shtëpisë së familjes së tij, në Smolicë të Gjakovës, atë ditë.

    Ai vdiq duke e hapur derën e shtëpisë, si pasojë e shpërthimit të një eksplozivi.

    Eksplozivi që doli të ishte fatal për 61-vjeçarin ishte vendosur ne kutinë postare afër derës së shtëpisë dhe në momentin kur ai ishte afruar, eksplozivi kishte shpërthyer.

    Ekzekutuesi i kësaj bombe me telekomandë nuk ishte identifikuar për një kohë të gjatë nga autoritetet e Kosovës.

    Por, sipas hetimeve të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, i dyshuari për vrasjen e Haxhi Ahmetit ishte Dodë Gjikolaj, një 41-vjeçar nga Shqipëria.

    I dyshuari për vrasjen e Ahmetit dhe për disa vepra të tjera penale u vendos në kërkim ndërkombëtar, sipas një urdhër arresti të lëshuar kohë më parë nga Gjykata Themelore në Gjakovë.

    Kush është Dodë Gjikolaj apo i njohur si i rrezikshmi nga Shkodra?

    Dodë Gjikolaj, i cili përveç dyshimeve për vrasjen në Gjakovë, akuzohet edhe për një sërë veprash penale të tjera, u arrestua në Gjirokastër të Shqipërisë, në tetor të 2020-ës, derisa po qëndronte në një hotel në lagjen muzeale të Gjirokastrës, qytetit jugor të Shqipërisë.

    Para ekzekutimit të Haxhi Ahmetit në Gjakovë më 2018, Gjikolaj dyshohet se më 2017 kishte rrëmbyer Pjetër Narkajn, një biznesmen shqiptar. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në Velipojë.

    Ai asokohe nuk kishte pranuar kryerjen e aktit, madje as i rrëmbyeri nuk e kishte pranuar se ishte marrë peng nga Doda.

    Të dy personat e përfshirë në këtë ngjarje pranuan se kanë pasur një konflikt për një borxh prej 4 mijë eurosh, nga Narkaj, ndaj Gjikolajt.

    Pavarësisht këtyre deklarimeve, 41-vjeçari Dodë Gjikolaj, lindur në Kurbnesh, Mirditë dhe banues në Velipojë, u akuzua për pengmarrje.

    Gjatë ditëve të ardhshme, Gjikolaj pritet të ekstradohet në Kosovë, ku pritet të gjykohet mbi dyshimet për vrasjen e 62-vjeçarit Haxi Ahmeti. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark