×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Ekziston mundësia se do të arratiset përsëri”- Arsyetimi i Apelit për kthimin e Enver Sekiraqes në arrest shtëpiak

    Insajderi
    27 February 2024 - 17:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gjykata e Apelit më 23 shkurt 2024, ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke vendosur që i akuzuari Enver Sekiraqa të kthehet në arrest shtëpiak, me ç’rast ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

    Apeli, ndaj tij ka caktuar sërish masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 muaj.

    Ndryshe, me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 9 shkurt 2024, të pandehurit Enver Sekiraqa i ishte ndërprerë masa e arrestit shtëpiak më 10 shkurt 2024, dhe ndaj të njëjtit ishte urdhëruar masa e paraqitjes në stacionin policor.

    Kurse, në vendimin e publikuar të Gjykatës të Apelit, thuhet se pas shqyrtimit të ankesës së PSRK-së, kjo gjykatë ka gjetur se në aktvendimin e shkallës së parë nuk janë dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me peshën dhe përshtatshmërinë e kësaj mase, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “…dhe nuk ka vepruar drejt kur ndaj të pandehurit është bërë zëvendësimi i masës së arrestit shtëpiak me masën e paraqitjes në stacionin policor me arsyetimin se i pandehuri në këtë masë gjendet për me shumë së dy vite dhe se gjatë kësaj periudhe kohore nuk ka pasur asnjë njoftim apo raportim nga ana e Policisë së Kosovës se i njëjti nuk e ka respektuar masën dhe se ka konstatuar se edhe me masën e paraqitjes në stacionin policor çështja penale do të zhvillohet pa vështirësi”, thuhet tutje në këtë vendim të Apelit.

    Po ashtu, thuhet se kolegji penal i Gjykatës së Apelit gjen se arsyeshmëria nuk është e drejtë dhe e ligjshme.

    “…prandaj ndaj të pandehurit duhet të caktohet masa e arrestit shtëpiak, e kjo për faktin se sipas të dhënave në shkresat e lëndës del se i pandehurit akuzohet për vepër të rëndë penale më të cilën kemi edhe humbje jetë të zyrtarit policor”, thuhet tutje në vendim.

    Më tej, thuhet edhe se ndaj të njëjtit është duke u mbajtur shqyrtim gjyqësor ku do të administrohen prova materiale dhe personale kështu që duke marrë parasysh të kaluarën e të pandehurit mund të ndikohet në forma të ndryshme nga ana e të njëjtit dhe në këtë mënyrë do të pengonte rrjedhën me sukses të procedurës penale.

    Gjithashtu, në këtë vendim thuhet se nga të gjitha rrethanat e kësaj çështje penale ekziston rreziku permanent se nëse i pandehuri gjendet në liri ekzistojnë rrethanat e ikjes, marrë parasysh faktin se i pandehuri pas kryerjes së veprës penale për të cilën dyshohet se e ka kryer është arratisur për një kohë të gjatë, dhe nëse lihet në liri të plotë ekziston mundësia se i njëjti do të arratiset përsëri.

    Sipas këtij vendimi, kjo masë do t’i llogaritet nga data 23 shkurt 2024 dhe se masa e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit është caktuar konform dispozitës ligjore nga nenin 181 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 e 1.2 të KPPRK.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark