Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka njoftuar se pas reshjeve të fundit të borës, kompania e kontraktuar nga komuna ka nisur menjëherë punimet për pastrimin e rrugëve që janë në përgjegjësi komunale. Sipas tij, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjente po e monitoron vazhdimisht situatën në terren.
Elezaj ka bërë të ditur se aktualisht të gjitha rrugët në territorin e komunës së Klinës janë të kalueshme dhe qarkullimi po zhvillohet normalisht.
“Ekipet janë të angazhuara maksimalisht për të siguruar pastrimin e plotë të rrugëve dhe funksionimin normal të komunikacionit në të gjitha lokalitetet”, ka theksuar ai.
Sipas njoftimit të kryetarit, pastrimi i borës po realizohet me prioritet në zonat ku nevoja është më e madhe, përfshirë Sferkën, Qupevën, Volljakën, Shtupelin dhe Gjurgjevikun, ndërsa punimet do të vazhdojnë edhe në fshatra të tjera të komunës.
Në fund, Elezaj ka apeluar te qytetarët që të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit, duke u rekomanduar drejtuesve të automjeteve që të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe rregullat e trafikut.