Insajderi
Lajme

Elezi: Më 27 dhjetor votohet në 37 përfaqësi diplomatike në 24 shtete

Insajderi
12 December 2025 - 08:18
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Elezi: Më 27 dhjetor votohet në 37 përfaqësi diplomatike në 24 shtete
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Nga Australia e Japonia, e deri në SHBA e Kanada, qytetarët e Kosovës që janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës do të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës më 27 dhjetor 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për Ekonomia Online detajet e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas të cilit votimi jashtë vendit do të organizohet në gjithsej 37 përfaqësi diplomatike, të shpërndara në 24 shtete të ndryshme të botës.

“Më 27 dhjetor, procesi i votimit për zgjedhjet e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të organizohet në 24 shtete të ndryshme të botës. Sipas vendimit të KQZ-së, votimi do të zhvillohet në 23 ambasada dhe 14 konsullata. Numri i përgjithshëm i votuesve që janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike dhe në të cilat sipas vendimit të KQZ-së do të zhvillohet procesi i votimit, është 19,256”, theksoi Elezi.

Ai sqaroi se ky vendim është marrë duke u bazuar edhe në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Supreme dhe vendimin e PZAP-it, të cilat lejojnë organizimin e votimit vetëm në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, duke përjashtuar hapësirat shtesë jashtë tyre.

Sipas Elezit, planifikimi fillestar i KQZ-së kishte qenë që procesi të organizohej në 50 përfaqësi diplomatike në 36 shtete, si dhe në 10 qendra votimi jashtë përfaqësive diplomatike. Por vendimi i datës 10 dhjetor u përshtat në përputhje me aktgjykimet e institucioneve të lartpërmendura dhe me të dhënat e procesit të regjistrimit të votuesve, duke e reduktuar numrin në 37 përfaqësi diplomatike.

Kujtojmë se më 25 nëntor, KQZ kishte miratuar një listë paraprake të Qendrave të Votimit dhe vendvotimeve jashtë vendit, ku planifikohej votimi në 50 përfaqësi diplomatike me gjithsej 66 vendvotime në 36 shtete. Po ashtu, sipas këtij vendimi, ishte paraparë hapja e 10 qendrave shtesë të votimit jashtë përfaqësive diplomatike, me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Megjithatë, kjo pjesë e vendimit u shfuqizua nga PZAP dhe Gjykata Supreme, pasi ligji për zgjedhjet e përgjithshme e përcakton qartë se votimi fizik mund të mbahet vetëm në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.

Pavarësisht ndryshimeve, diaspora e regjistruar tashmë e ka të garantuar procesin e votimit në 37 pikat zyrtare diplomatike më 27 dhjetor.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark