Elisa Spiropali, deputete e Partisë Socialiste, ish-ministre e Jashtme dhe ish-kryetare e Kuvendit, ka reaguar pas deklaratës së Kryeministrit Edi Rama, i cili një ditë më parë paralajmëroi përjashtime brenda radhëve të partisë.
Spiropali ka kundërshtuar ashpër përdorimin e paralajmërimeve publike si instrument presioni politik, duke theksuar se debati i brendshëm dhe mospajtimi nuk duhet të trajtohen si shkelje disiplinore.
“Më përjashto. Debatet e brendshme, sado të forta, nuk duhet të shndrrohen në spektakël ndëshkimor publik. Nëse kjo ndodh, problemi nuk është më mospajtimi, është frika nga mospajtimi. Ky fakt kokëfort, ky konstatim i dukshëm, më tepër se vetë paralajmërimi, më detyron të flas. Kur paralajmërimi publik bëhet instrument kërcënimi, heshtja nuk është më maturi, është dorëzim”.
Ajo e ka përmbyllur reagimin e saj me mesazhin simbolik “Më përjashto”, duke e vendosur theksin te e drejta për kritikë dhe nevoja për vetëkorrigjim brenda partisë dhe institucioneve.
“Nëse qëndrimi im për mënyrën si po funksionon partia, qeveria, shteti, konsiderohet arsye për përjashtim, atëherë po e them qetë dhe qartë: Më përjashto. Jo si sfidë personale. Jo si dramë politike. Jo si show mediatik. Por si provë se problemi nuk është te fjala që ngre shqetësim, por te sistemi që shqetësimin nuk e duron.