Vendimet e fundit të ekzekutivit për ndarjen e mjeteve financiare të dedikuara për mbulimin e biletave dhe sigurimeve të makinave për diasporën kanë nxitur reagime të shumta në skenën politike. Së fundmi, ndaj këtyre masave ka reaguar ashpër kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani.
Përmes një shkrimi në “Facebook” të shoqëruar me të dhëna konkrete, Rrahmani ka kritikuar ndarjen e 2 milionë eurove për biletat e mërgatës dhe 10 milionë eurove për sigurimet e makinave të tyre, duke e cilësuar këtë si një strategji të dëmshme që nuk përfaqëson vullnetin e vërtetë të diasporës shqiptare.
Sipas kandidatit të PDK-së, këto politika po bëhen me pretekstin e ndihmës ndaj mërgatës, por në realitet po dëmtojnë buxhetin dhe ekonominë e brendshme të Kosovës.
“Kjo nuk është kërkesë, as dëshirë e as vullnet i mërgatës. Ky është veprim për shkatërrimin e vendit duke u thirrur në emër të mërgatës”, ka deklaruar prerazi Rrahmani.