Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka vizituar nënën e së ndjerës Erona Cokli, 21-vjeçare, e cila u vra nga ish-bashkëshorti i saj.
Haxhiu, me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se me Melihate Coklin kanë diskutuar për përjetimet e familjes dhe se dhimbja vazhdon të jetë e madhe, shkruan Gazeta Insajderi.
“Përreth dy orë, mes emocionesh të forta dëgjuam dhe kuptuam për përjetimet e familjes dhe përjetimet e dhimbshme ndërvite të të ndjerës Eronës. Secila pjesë e shtëpisë ia kujton ndonjë moment me Eronën dhe Arin djalin e saj të vogël për të cilin mezi pret që t’i besohet kujdestaria”, ka shkruar Haxhiu.
“Erona Cokli u vra nga ish partneri i saj. Dhimbja për prindërit dhe vëllezërit e Eronës vazhdon të jetë e madhe. Mesazhi i zonjës Melihate ishte edhe thirrje për mbështetje të vajzave dhe trajtim me profesionalizëm e serioz dhe pa asnjë neglizhencë i rasteve të dhunës. Me Melin ky nuk ishte takimi i parë dhe u dakorduam që të mos jetë as i fundit”, vijon postimi i saj.
Erona Cokli më 12 prill u vra me armë zjarri nga ish-bashkëshorti i saj Valon Aliu, 36 vjeçar.
Gazeta Insajderi kishte raportuar se si Aliu këtij rasti ishte i njohur për organet e rendit. Ishte recidivist.
Akuzohej për; lëndim të lehtë trupor, për blerje, pranim ose fshehje e sendeve, për nxitje të akteve seksuale me premtimin e rrejshëm për martesë, për kanosje e së fundmi ndaj tij rëndon edhe vepra penale vrasje e rëndë.