×
  • Lajme
  • Lajme

    Ende nuk ka të dyshuar si përgjegjës për vdekjen e fëmijës në Prizren

    Insajderi
    09 June 2016 - 11:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Autoritetet e drejtësisë në Kosovë ende nuk kanë asnjë të dyshuar si përgjegjës për vdekjen e një vajze tre vjeçare pas shembjes së murit të një shtëpie të vjetër të hënën në Prizren.

    Kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, i ka thënë Insajderit se aktualisht vetëm është duke vazhduar mbledhja e provave.

    “Nuk jam i autorizuar, në polici janë duke punuar edhe duke mbledhur prova hetuesit janë duke mbledhur provat jemi duke bërë hetime” ka thënë Hoxha për Insajderin.

    Por,  të martën, Prokurori Hoxha, duke paralajmëruar hetimet e prokurorisë lidhur me këtë rast, ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe elemente penale dhe të neglizhencës së institucioneve në këtë rast.

    “Të shohim, ne duhet gjurmuar një herë.  Nëse dikush nuk është kujdes për ato shtëpi, për mirëmbajtjen e tyre se ne e kuptojmë zonën historike por nuk e kuptojmë edhe mu rrënuar e mi zënë qytetarët”, kishte thënë ai.

    Të hënën rreth orës 15:30, një fëmijë tre vjeçar humbi jetën pasi një mur i një shtëpie të vjetër u shemb duke lënduar edhe dy anëtarë të tjerë të familjes.

    Sipas Policisë, shembja e murit ka ndodhur pas reshjeve të shiut dhe se në gjendje të rëndë janë edhe nëna me fëmijë tjetër, 10 vjeçar.

    Ngjarja tragjike ka nxitur Ministrinë e Kulturës dhe Komunën e Prizrenit që të fajësojnë njëra tjetrën si përgjegjëse për atë zonë.

    Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Vjollca Aliu, ka thënë se ministria ka insistuar që ajo zonë ku ka edhe shtëpi të tjera të vjetra duhet të ruhet, porse sipas saj, ata kanë dërguar kërkesë nga Komuna e Prizrenit që të ndërmarrë masa për të siguruar ambientin.

    Kryeprokurori Hoxha ka thënë se në këtë rast ka elemente të neglizhencës.  “Ka diçka, me siguri do të ketë diçka.  Sigurisht që ne do të marrim ndonjë veprim”, ka thënë ai.

    Shtëpia e vjetër në Zonën Historike të Prizrenit, një mur i së cilës u shemb sot gjatë ditës, ku një fëmijë 3-vjeçar gjeti vdekjen, ndërsa nëna e saj dhe tjetri fëmijë janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ka qenë në listën e shtëpive në të cilat Komuna e Prizrenit thotë se ka pasur në plan të intervenoj duke mënjanuar rrezikun nga shembja.

    Komuna e Prizrenit ka një muaj që ka hapur tenderin për intervenim në këto shtëpi, por si pasojë e vonesave burokratike të tenderimi është vonuar./Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark