“Ende po diskutohet për heqjen e masave ndaj Kosovës” – BE flet për Insajderin, por pa koment për Serbinë – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Ende po diskutohet për heqjen e masave ndaj Kosovës” – BE flet për Insajderin, por pa koment për Serbinë

    Insajderi
    05 December 2024 - 12:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kanë kaluar 17 muaj që kur Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkimore ndaj Kosovës dhe kanë mbetur më pak se një muaj deri në fund të këtij viti kalendarik, por ende nuk kemi parë ndonjë lëvizje nga BE-ja drejt heqjes së këtyre masave. Janë deklaruar edhe për sulmin terrorist në Ibër-Lepnec, por nuk kanë dhënë ndonjë koment sa i përket Serbisë.

    Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga zyrtarët e Bashkimit Evropian, për të parë nëse do të ketë ndonjë veprim konkret ndaj Kosovës.

    Ata kanë deklaruar se po diskutohet ende mes shteteve anëtare të BE-së për mundësinë e heqjes së masave ndëshkimore ndaj Kosovës.

    “Përfaqësuesi i Lartë Borrell ka lëshuar më 3 qershor 2023 një Deklaratë në emër të BE-së, e ndjekur nga një raport për përmbushjen nga Kosova të kërkesave të BE-së. Diskutimet për heqjen e masave për Kosovën vazhdojnë mes shteteve anëtare në Këshill”, thuhet në përgjigjen e tyre.

    Në anën tjetër, Insajderi ka kërkuar një koment edhe për sulmin terrorist në kanalin “Ibër-Lepenc” dhe për atë se çfarë masash do të merren ndaj Serbisë.

    Bashkimi Evropian ka dënuar aktin duke shprehur solidaritet dhe mbështetje ndaj Kosovës, por nuk kanë dhënë asnjë koment sa i përket Serbisë.

    “Bashkimi Evropian dënon me shprehjen më të ashpër sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin ujor në Ibër Lepenc në Zubin Potok në veri të Kosovës. Është një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën kritike civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të Kosovës.”

    Tutje, BE-ja ka deklaruar se është e gatshme të ofrojë ndihmë të vazhdueshme për autoritetet kosovare dhe të koordinojë hapat me partnerët ndërkombëtarë.

    “BE-ja u ka ofruar mbështetje autoriteteve të Kosovës dhe vazhdon të koordinojë hapat e ardhshëm me partnerët përkatës, duke përfshirë këtu edhe KFOR-in. Misioni civil i BE-së për sundimin e ligjit EULEX po ofron ndihmë për autoritetet e Kosovës në përputhje me mandatin e tij.”

    BE ka bërë thirrje që autorët të sillen para drejtësisë.

    “Veprimi kriminal i kryer në Zubin Potok duhet të hetohet dhe autorët e tij të sillen para drejtësisë. Në këtë aspekt, BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës dhe do të vazhdojnë të ndjekin nga afër zhvillimet.

    Ndërkohë, ende mbetet të shihet nëse këto deklarata dhe përpjekje të Bashkimit Evropoian do të përkthehen në veprime konkrete për heqjen e masave ndëshkimore ndaj Kosovës./Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark