×
Hulumtime/Analiza / Analiza

#ErdhiDita për punësim të farefisit

Insajderi
19 April 2022 - 13:03
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Kapja e shtetit. Punësime partiake. Farefisi janë për dasmë e ahengje. Janë këto vetëm disa nga frazat me të cilat masa do të argëtohej derisa Albin Kurti në opozitë iu fliste nga bina. Ia dhanë edhe votën. E votuan si askënd më parë. Mbi 51 përqind të kosovarëve vendosën që e donin Albin Kurtin për Kryeministër, e Vetëvendosjen për partinë që do ti qeveriste.

Visar Duriqi/Donjeta Islami

Mbi një vit në Qeverinë e tij të dytë situata ka ndryshuar. Hulumtimi i mediave për një konkurs në Korporatën Energjetike të Kosovës ku aplikuan mbi 4600 persona, e që nxori që ata që u punësuan kryesisht ishin simpatizantë të partisë në pushtet ka ngritur dyshime serioze se ato premtime të fushatës a ishin mashtrim.

Këto dyshime i rrit më shumë edhe hulumtimi i Insajderit për konkursin për gardianë në Shërbimin Korrektues, institucion nën ministrinë e Drejtësisë që udhëhiqet nga një funksionare e lartë e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

InDoks në këtë episod sjell rrëfime ekskluzive për këtë konkurs. Detaje të pa publikuara më parë edhe për punësime e emërime nëpër borde. Qëndrime nga ata që po e mbikëqyrin këtë Qeveri dhe që paralajmërojnë edhe beteja me të në organet e drejtësisë, po për mbushjen e ndërmarrjeve publike me simpatizantë të partisë në pushtet.

“Nuk mundemi me i mbushë ambasadat, sikurse nuk mundemi me i mbush as ministritë me kushërinjë. Kushërinjtë janë për shtëpi. Familja është te shpija. Kur të bahet ministër, zëvendësministër, deputet apo drejtor apo edhe në komunë nesër pasnesër, duhet me u ba veç ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat. S’ka dasma nëpër ministria”, kishte thënë Kurti.

Ky është llafi që Albin Kurti ua bënte njerëzve që grumbulloheshin për ta dëgjuar atë në fushatë. Është një nga momentet ku ai po përmbledhte kritikën që Vetëvendosje e kishte bërë me vite kundër punësimeve me lidhje familjare e politike.

Konkursi për punësim në KEK e ka treguar një situatë krejt tjetër nga ajo që Kurti po iu thoshte simpatizantëve të tij në fushatë. Nga mbi 4600 persona që aplikuan në këtë konkurs, në fund u pranuan 128 prej tyre.

Kur filluan të shikohen listat e të punësuarve, gjithandej shfaqeshin simpatizantë të partisë në pushtet, por nuk munguan as familjarë të njerëzve që direkt ishin të përfshirë në konkurs ose me pozita brenda korporatës.

Ky hulumtim i Insajderit do të zbulonte lidhjet e tyre me partinë në pushtet, me njerëz me pozita në KEK e po ashtu me njerëz të përfshirë direkt në konkurs si anëtarë komisioni.

Insajderi kishte shkuar tutje me hulumtimin në këtë ndërmarrje duke shpërfaqur kapjen e ndërmarrjes nga Vetëvendosje që kur kjo parti erdhi në pushtet në Qeverinë Kurti 1.

Partia në pushtet që i faturohet punësimi i mbështetësve të saj në KEK deri tash e ka mbrojtur këtë konkurs, ani pse Prokuroria ka njoftuar që po e heton atë. As nuk është anuluar ai e as që Qeveria ka marrë masa ndaj së paku bordit të ndërmarrjes.

Shkëmb Manaj nga partia opozitare LDK, parti që ka dërguar edhe një kallëzim penal për konkursin në KEK ka folur për InDoks. Ai tregon se si kjo parti e ka parë këtë zhvillim dhe pse nuk e lanë këtë punë veç me një kritikë në konferencë shtypi, derisa tregon që deri tash Prokuroria nuk i ka njoftuar se çka ka bërë me denoncimin e tyre.

“Unë e thashë që nepotizmi ka ekzistu edhe më herët edhe punësimet e militantëve partiak mirëpo për 20 vite me radhë nëse i sheshojmë të gjitha procedurat e rekrutimit edhe në institucionet e pavarura edhe në ndërmarrjet publike, nuk ka asnjë rast që është më eklatant se ky që ka ndodhur në KEK dhe për mendimin tim është shqetësues fakti edhe më i madh se si partia në pushtet, LVV  po tenton ti minimizojë këto procese të kundërligjshme në njëfarë mënyrë duke i mbrojtur edhe kryesuesit dhe anëtarët e komisioneve përzgjedhëse dhe menaxhmetin e KEK-ut”.

“Nëse e keni përcjell do të thotë se në vend që partia në pushtet të mbështet edhe LDK këtë rast për kallëzimin penal që ka bë në Prokurori të Shtetit sepse ne kallëzimin penale e kemi parashtruar ndaj kryesueseve dhe anëtarëve të Komisioneve dhe ndaj menaxhmetit të KEK-ut, ka ndodh e kundërta do të thotë edhe LDK edhe partitë tjera edhe mediat që e kanë ngritur këtë çështje janë goditur vazhdimisht nga LVVV dhe kjo tregon që ka një lidhje në mes LVV dhe këtyre komisioneve për punësime edhe të anëtarëve të familjeve të tyre por edhe të militantëve partiak”.

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, dikur nga aktivistët e dalluar të Vetëvendosjes, në këtë intervistë për InDoks ka treguar se si në një formë punësimet familjare e partiake në Qeverinë e Albin Kurtit do të bëheshin fenomen. I përmend dy raste që funksionarë të lartë të partisë që me kohë kishin nisur të arsyetonin politizimin e nepotizmin në institucione publike.

“Rrjedhimisht ti ki me këqyr me i shti vetëm këta të mirat, e këta të mirët janë krejt militant e familjarë të ty kjo është ideologjia dhe se di a e keni vërejt se nuk e fshehin këtë fakt, nëse dikur e ka në fsheh sot as nuk e fshehin e bëjnë hapur dhe thonë po jemi duke i punësu se këta janë tonët, i besojmë vetëm këtyre siç thoshte p.sh zëvendëskryeministri, Besnik Bisilimi ne si kemi për me i shti në turshi njerëzit tonë, i kemi për me i punësu apo siç thoshte deputeti, Ardian Gola se kur punësojmë na është vlerë a kur punësojnë të tjerët është krim, nepotizëm pra tash partia e merr përsipër dhe e bën hapur këtë pjesë dhe nuk e bën në mënyrë të fhshet as tinëzare por hapur sepse ata besojnë ideologjikisht se vetëm një shtet i kapur tërësisht nga militantët dhe familjarët e tyre munden vetëm më këtë lloj kapje munden me I shty përpara idetë e tyre të cilat janë ide totalitare dhe ide regresive”, ka deklaruar Frashër Krasniqi.

Betim Gjoshi nga PDK-ja, partisë që iu fatura për një kohë të gjatë kapja e institucioneve publike me njerëz të partisë, ka treguar për InDoks se ku e sheh dallimin mes asaj kohe dhe tash pushtetit të Vetëvendosjes.

“Dallimi mes qeverive tjera dhe kësaj është se kjo qeveri po e mbron kapjen e pushtetit, po e arsyeton derisa në të kaluarën ne jemi skuqur pak nëpër televizione kur na kanë pyet për politizim, është e kaluar e cila nuk është dashtë të jetë në drejtim të një institucioni, tanimë kjo është legalizu, këta po e arsyetojnë dhe po e mbrojnë nuk ju vije turp aspak – ne kemi parë që tek punësimet në KEK, ka pasur raste që janë punësuar njerëz edhe për interesa të garës së brendshme të VV-së që e shti në KEK, me qenë kandidat ke pasur zëvendësime prej vet aktivistëve të tyre mandaje kemi parë që anëtarë të komisioneve kanë futur familjarë të vet nëpër konkurse edhe tek pjesa e institucioneve dhe nuk kemi distancim se do të ishte krejt normale të ndodhte një rast i tillë dhe të ndalohej konkursi, të distancohej qeveria prej saj apo drejtuesit e saj. Mua më kujtohet zyrtarët e PDK-së kur janë distance nëpër media për raste, për ta kanë qenë të pa pranueshme PDK nuk ka qenë e pajtuar me atë që ka ndodhe, ndërsa tashmë partia në pushtet po mbron”, tha Betim Gjoshi.

Arton Demhasaj drejton me organizatën Çohu!. Kur InDoks transmetoi dokumentarin “Plaçkitja e shtetit nga armata e militantëve”, i ishte dhënë hapësirë edhe hulumtimeve që kjo organizatë kishte bërë për postet publike që mbushësin në atë kohë me njerëz të PDK-së, LDK-së, AAK-së e Nismës. Ai thotë se Çohu! pas një kohe do ta freskojë këtë bazë të të dhënave edhe me zhvillimet e fundit në këtë fenomen, pas ardhjes në pushtet të Vetëvendosjes.

“Mendoj që nuk ka dallim hiç për shkak se kështu njëjtë ka vazhdu sa ka qenë PDK ne pushtet kur ka bë koalicion me LDK kanë fillu me nda hisen, pastaj AAK e PDK edhe tash LVV që e ka pushtetin si e vetme pak a shumë është metoda e njëjtë e vendosjes dhe emërimeve që kanë qenë pjesë partisë, ose kanë lidhje direkt nëpër pozicione që nuk duhet të jenë partiake pra nuk ka dallim. Dallimi i vetëm ekziston tek jo që LVV sa ka qenë në opozitë vazhdimisht e ka kundërshtu këtë metodologji të punësimeve të njerëzve duke u bazu tek libreza partiake ose tek lidhja familjare kështu që ky është dallim i vetëm. Se partitë e tjera në të kalumen nuk është që e kanë kundërshtu shumë këtë punësimin partiak edhe e kanë vazhdu kanë punësu njerëz në anën tjetër LVV e ka kundërshtu shumë sa ka qenë në opozitë dhe me ardhjen në pushtet e harrojë atë tendencën që s’duhet të vendosen njerëz partiak nëpër borde nëpër ndërmarrje të pavarura ose publike dhe fillojë menjëherë me vendos, vetëm ky pra mund të jetë dallimi”, u shpreh Demhasaj.

Nuk është parti parlamentar, por PSD-ja është njëra nga forcat politike që i rri gati me kundërshtime veprimeve të Qeverisë që ata mendojnë që janë te gabuara. Në këtë intervistë për InDoks, nënkryetari i saj ka radhitur vetëm disa nga shumë punësimet me lidhje familjare e politike që i kujtohen aty për aty. Dhe, nuk janë hiç pak.

“Axha, motra, balldëska” – Krasniqi ua numëron listën e gjatë të farefisit që u punësuan nga VV

“P.sh e kemi Glauk Konjufcën që e ka punësu axhën në Ministrinë e Mbrojtjes, e keni Liburn Aliun, të cilit i punësohet motra në Këshillin Drejtues të Odës së Farmacistëve të Kosovës, Albin Kurti i punësohet ballëdeska e vëllaut, Taulant Kurtit në Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë. Xhelal Sveçlës i punësohet motra në Ministrinë e Bujqësisë, Vjosa Osamni i jep tender shokut të babës së vet dhe e punëson tezakën e saj e rrit në pozitë në Ministrinë e Pushtetit Lokal, Haxhi Avdylit, i punësohet djali i axhës në Ministrinë e Shëndetësisë , Besnik Bislimit e dini atë rastin me nipin e tij, Luan Aliut e Bordit të Teatrit Kombëtare e cila poashtu është militante e Lëvizjes Vetëvendosje, Ftim Uka që është deputet i VV i punësohet vëllai në Ministrinë e Shëndetësisë”.

“Salih Zyba që është deputet i LVV i punësohet gruaja në Byron Kosovare të Sigurimeve, 1 mijë euro rrogë. Nazlie Bala e cila është një prej njerëzve kyç në LVV i punësohet reja e motrës në Zyrën e Kryeministrit pastaj i keni skandalet në Komunën e Gjilanit, ku mijëra euro subvencione shkojnë për kompani të gjitha të afërta ose familjare ose mbështetëse të Vetëvendosjes dhe kjo pastaj tërhiqet sepse u bë e madhe mediatikisht por qëllimi ishte me ua dhënë e keni rastin e Komunës së Kamenicës ku në momentin që fitojë kandidati i LVV I jep subvencion në Kulturë, me mijëra euro kompanive që janë të afërta ose të lidhura direkt me LVV-në dhe individëve të tillë pastaj e keni në Akademinë Politike të Kosovës e qojnë Behar Ismën, i cili është bashkëshort i një prej zyrtareve të LVV, të njëjtin e bëjnë ushtrues detyre si sekretar I përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Mimoza Kusari e punëson biznesmenin të afërt në Ujësjellësin Gjakova, në krye – e kemi donatorin e LVV, Fadl Bejta i cili bëhet kryetar i Bordit të Postës dhe Telekomit të Kosovës”.

“E keni Bujar Bilalli ish-kandidat i LVV në Mitrovicë që bëhet anëtar i bordit të Trepçës, Nexhat Kryeziun ish-kandidat i LVV poashtu i përfolur në afera të ndryshme të keqpërdorimi në Ndërmarrje Publike Banesore I cili bëhet këshilltar në Këshillin për Raportime Financiare në të njëjtin këshill bëhët anëtare Ardita Haxhija, shoqe e Hekuran Muratit, i njëjtit Hekuran Murati rehaton shokun e vet në kryeshef të Bifurkacionit, i cili është poashtu militant I LVV, Jeton Shabani, e keni në Bordin e ZRrE-së, kryesues Ymer Fejzullahun është militant i LVV-së, e keni në bordin e Infrakosit , Selatin Retkocerin që është ish kryetar i LVV-së në Lipjan, e kemi kyresues të HidraMoravës, Habil Zeqirin ish-kandidat dhe militant I LVV-së, e keni në bord të KEK-ut, Arbnor Pulën i cili është i afërm me njërin prej militantëve të LVV-së që ka qenë poashtu i afërt me Mimoza Kusarin dhe bashkë kanë shku në LVV, e keni në Bordin e Ibër Lepencit, Milot Podvoricën që është militant i LVV-së dhe këshilltar në njërën prej ministrive nëse nuk gabohem në MSH por sjam i sigurt”.

“E keni në bordin e BQK-së anëtar Bashkim Rubojën që ka qenë ish-kryetar i LVV-së  në Pejë dh eish-kandidat për deputet, Zanita Halimin kryetare të Bordit të Këshillit Kombëtar të Trashëgëmisë Kulturore, që ka qenë ish-kandidate e LVV-së dhe e keni sot drejtor në KEK kryeshef të KEK-ut e keni ish poashtu anëtarin e LVV përkatësisht në komitetin e kësaj lëvizje për energji elektrike dhe tash kur ti krejt qeto punësime prej nivelit qendror në pozitat kyce të shtetit i ke kap me militant e familjar ti ua ke qu sinjalin edhe atyre qa me bë me lokal. Pras a më shumë militant, sa më shumë familjarë e njëjta ka ndodh në Obliq pra në rastin e KEK-ut e njëjta ka ndodhë në Shërbimin Korrektues të Kosovës”.

Valjeta Krasniqi ka aplikuar në konkursin e fundit të Shërbimit Korrektues të Kosovës. Ajo për Insajderin ka dhënë një rrëfim të gjatë se çka ndodhi me këtë konkurs. E ka takuar edhe vet Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Krejt tregimi për dyshimet që janë punësuar simpatizantë të Vetëvendosjes si gardianë nisi me këtë hulumtim të Insajderit. Duke tentuar që ta pengonte publikimin e tij, Zëdhënësi i Vetëvendosjes do ta linçonte gazetaren që e bëri atë dhe vet Insajderin.

Në këtë hulumtim Insajderi pos që do të gjente lidhje mes të punësuarve dhe Vetëvendosjes, gjeti se ka pasur edhe raste kur u punësua dikush jashtë kriterit të moshës. Ngjarja do të vazhdonte të zhvillohej dhe edhe institucione të tjera do të pranonin që janë duke shqyrtuar ankesa për këtë konkurs.

Gjatë testit me shkrim gjithçka ka qenë në rregull në bazë të komisionit dhe monitorimit të EULEX, mirëpo gjatë testit fizik ka pasur raste që kandidatë të tjerë, grupi jonë që ka qenë i fundit në testin fizik kemi pasur 15 rrotullime meshkujt dhe 12 minuta vrapim… mirëpo unë si kandidate që kam qenë në Shërbimin Korrektues unë e kam plotësu kushtin e testit fizik baraz me djemë. Mirëpo vlerësimi besoj që është bërë në rregull me testin fizik por gjatë vrapimit ka pasur kandidate që është dorëzu dhe kur e kemi pa ne si kandidatë që është dorëzu kandidatja kemi mëndu që ajo kandidate nuk do të vazhdon më në listën tjetër, të intervistimit, mirëpo ne gjatë përfundimit të testit fizik biseduam me kandidate e tjerë dhe tham se si është e mundur që kandidatja gjatë testit fizik është dorëzu dhe ka hy në listën plotësuese të intervistimit dhe ne si kandidatë grupi i fundit kur kemi qenë në Shërbimin Korrektues kandidatja që ka qenë e dorëzuar në testin fizik ka qenë më prindin dhe ajo ka qenë e shoqëruar lartë në Departamentit Korrektues me prindin, prindi ka qëndru  në Departamentin e Shërbimit Korrektues derisa ka përfundu vajza intervistimit”.

Ajo në këtë rrëfim për Insajderin ka zbuluar edhe parregullsi të tjera.

“Nuk e dimë ndoshta arsyeja është që prindi është edhe në institucionin e Shërbimit Korrektues është në paraburgimin e Lipjanit, mirëpo ne siç e pamë menduam se vetëm e ka shoqëru mirëpo ai prindi i saj qenka dhe punëtor i Shërbimit Korrektues”.

Në rrëfimin e saj të gjatë ajo tregon se si nga anëtari i komisionit Sadat Murati kanë marrë edhe pyetje si: cila është gjendja juaj ekonomike? Që e shohin si pyetje që nuk ka pasur asgjë të bëjë me vet konkursin, dhe tregon se si ankesa e tyre u hodhën poshtë. Edhe pse iu refuzua ankesa, ajo vendosi ta çonte rastin deri në fund. Deri te Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Ne vazhduam së bashku me kandidaten tjetër Fatlume Ademi shkuam lartë tek ministrja në kabinetin qeveritar dhe kërkuam takim me ministren që të na vlerësohet e drejta jonë se çfarë ka ndodh gjatë komisionit mirëpo ministrja ska qenë aty ka qenë zëvendësministri dhe vazhduam me zëvendësministrin takimin, biseduam i treguam parregullsitë që kanë ndodhur gjatë testit fizik, se 140 veta testin fizik e kanë kaluar dhe 140 veta vazhduan intervistën me gojë, kur njëra nga kandidatet ka qenë me abort para3 ditësh, si është e mundur që ajo kandidate të bëjë një rreth rrotullim 15 herë brenda 12 minutave, ose si është e mundur ti bëjë 15 pompa dhe 15 barkore. Dhe i treguam zëvendësministrit dhe zëvendësministri tha ne nuk mund të ndërhyjmë me çështjen e Shërbimit Korrektues ata na kanë treguar se gjithçka ka qenë në rregull, dhe ne i treguam si kandidatë si mund të jetë gjithçka në rregull kur ne po tregojmë se ka pasur parregullsi në komisioni dhe nuk ka pasur vlerësime. Duke i dorëzuar ankesat zëvendësministri na tha jeni bë horë dhe ju drejtova zëvendësministrit si është e mundur një zëvendësministri të më drejtohet mua je bë horë që ke bë ankesë, unë kam të drejtën e ankesës dhe rregullorja thotë kandidatët që nuk e kanë kaluar testin me shkrim apo intervistimin mund të bëjnë ankesë, mirëpo zëvendësministri tha ju jeni bë horë dhe arsyeja nuk mu doke e volitshme”.

Valjeta Krasniqi nuk është e vetmja që ka folur për këto parregullsi. Vedat Robelli që po ashtu aplikoi për gardian e nuk u pranua, ka ndarë përvojën e tij me Insajderin.

Intervista është zhvillu në formë të hajgares se spo di qysh me shpjegu këtë për shkak se nuk ka pas ndriçim salla ku jemi kanë, jemi kanë me blica të  telefonit dhe më kanë pyet normal a të pengon me u zhvillu qeshtu intervista se qeshtu qeto kushte i këna. I kam thënë nëse juve s’ju pengon  për mua është ok. Realisht unë jam frikësu me thënë se më pengon kjo se thashë nashta edhe qaty më rrëzojnë, nëse them që më pengon kjo pjesë. Edhe për mua ajo nuk u kanë normale edhe një fakt tjetër që u kanë aty, u kanë që ka pasur edhe ndërhyrje të personave të tretë më konkret u kanë prindi i një vajzës që u kanë grup me neve e cila vetëm ajo e kalu intervistën, ne të tjerët asnjë skemi kalu vetëm vajza e cila ka qenë me prindin e vet aty e ka kalu intervistën”, tha Vedat Robelli

Edhe ai ka treguar për kandidatë që kanë edhe familjarë të tjerë që tashmë punojnë në Shërbim Korrektues e kanë komunikuar me komisionin në sy të kandidatëve të tjerë.

“Sipas informatave tjera ka qenë punonjës në Shërbimin Korrektuese sipas të tjerëve sepse unë nuk e di saktë… E kam pyet vajzën e vet më ka thënë që realisht punon diçka tjetër por kur i kam pyet të tjerët më kanë thënë që prindi i vet punon në Shërbim Korrektues është pjesë e Shërbimit Korrektues. Pjesë e komisionit s’ka qenë po ka hy në sallë do të thotë ka komuniku me ata që kanë qenë pjesë e komisionit”.

Rrëfimin e saj për Insajderin gruaja që aplikoi në konkursin për gardianë e vazhdon duke treguar momente nga takimi me Ministren Haxhiu. Ajo aty thotë që ministrja përmendi edhe gjëra shumë personale të kandidatëve, në një rast edhe gjendjen pas abortit.

“Një ditë tjetër u takuam me ministren dhe ministrja na pranojë në takim dhe vazhduam me ministren gjatë bisedës se çka ka ndodhur në Shërbimin Korrektues, i treguam kur u futëm në sallë, ne para se me u prezantuam i treguam që ministre këto parregullsi kanë ndodhur në komision dhe ministrja u drejtua po tha jam pak a shumë e informuar a je ti ajo kandidatja që ke qenë më abort dhe s’ke qenë mirë, thashë jo ministre unë nuk jam kandidatja me abort, edhe kjo kandidate e ka kaluar testin fizik si është e mundur me kalu, ministrja ka heshtur dhe nuk ka kthyer përgjigje mandej vazhduam me ministren me biseda tjera dhe i thamë ministres çështjen tjetër që ka ndodhur dorëzimi gjatë testit fizik. Ne i thamë që kandidatja që ka kaluar në grupin e fundit ka kaluar intervistën me gojë si është e mundur kur ajo kandidate është dorëzu. Ministrja tha a ja dini emrin, na ju drejtuam me emër Dilleza dhe ajo tha qysh keni mujt ju me gjetë emrin. Si i keni zbulu tha ju këta emra, ne i thamë ministre emrat i kemi zbulu se kemi qenë me grupe dhe para grupit, po po krejt në rregull po qysh keni mujt ju me numra të letërnjoftimit me zbulu këta emra”.

Ajo tregon tutje që takimi me ministren Haxhiu përfundoi kur deshën ti tregonin për informacionet që kishin për dyshimet që ishin ngritur që pati edhe dhënie ryshfeti.

“Çështja tjetër që i interesojë më shumë ministres kanë qenë mjetet financiare tha kush janë ata njerëz që e kanë vazhdu për konkurs me mjete financiare, vazhduam për ti treguar emrat ajo na largojë prej sallës.  Në ia kemi dërgu ministres një imell për parregullsitë që kanë ndodhur ju kemi drejtu me ankesë mirëpo nga ministrja skemi asnjë përgjigje.  Shumica e kandidatëve kanë thënë që janë të Lëvizjes Vetëvendosje është thënë që ka kandidat që kanë ardhë ekstra prej Gjermanisë për këtë konkurs.”.

Insajderi kishte vazhduar që të raportonte për këtë rast. Hulumtimi për të po vazhdon ende dhe denoncimet flasin edhe për kandidatë të tjerë që janë pranuar e që janë me lidhje familjare me zyrtarë të Vetëvendosjes si dhe simpatizantë të partisë.

Derisa konkursi ende nuk është anuluar, apo edhe ndërmarrë ndonjë masë tjetër në lidhje me të, pas raportimeve të Insajderit, vet Ministrja Haxhiu njoftoi që e ka lajmëruar Policinë. Ky institucion, e as Prokuroria ende nuk kanë folur në publik se a po hetojnë për këtë konkurs.

Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë pasur numrin më të madh të simpatizantëve nëpër tubime. E morën edhe numrin më të madh të votave. Ndër premtimet që u mbanë mend ishte edhe ai që farefisi janë për dasmë e ahengje e jo për me i shti në punë.

Një vit në mandatin e tyre të dytë kësaj partie tashmë lista e të punësuarve me lidhje familjare e politike i është rritur aq sa nuk i zë një emision. Deri tash krejt çka ndodhi a mbetet veç një shkelje e fjalës së dhënë popullit që do të qeverisin ndryshe? Në veprimet e tyre a ka vend edhe për hetime? Për tu përfshirë Prokuroria?

“Këtë duhet me vlerësu normalisht Prokuroria mirëpo për mua më e rëndësishme se sa a ka element të veprës penale është më e rëndësishme çfarë modeli shtetëror je tu ndërtu se ndoshta këta krejt Brenda ligjit ka mujt me i bë mirëpo brenda ligji ti je tu e kap shtetin dhe je tu e instalu një sistem autoritar dhe je duke e përjashtu gjysmën e popullsisë për mundësinë e punësimit ose përfshirjes kjo për mua është problem pastaj e a e bën në mënyrë ligjore ose jo kjo ka rëndësi por nuk është kryesorja”, tha Frashër Krasniqi.

“Këtë është dashtë ta thonë sa kanë qenë në opozitë pra që po bëjka me u vendos njerëz partiak nëpër borde të ndërmarrjeve apo agjencioneve të pavarura por vetëm të jenë profesional edhe jemi në rregull, por nuk e kanë thënë kështu. E kanë thënë disidivisht që asnjë njeri partiak të vendoset nëpër borde madje e mbajë mend një deklaratë të tash kryeministrit Kurti në një studio televizive ku ka thënë që qoftë edhe 1 të vendosim nëpër borde që është partiak keni me kërku përgjegjësi prej meje. Do të thotë krejt këto janë harru dhe njerëzit po vendosen prandaj mendoj që arsyetimi i tyre nuk është i duhur sepse kështu janë arsyetu edhe PDK, LDK e AAK kur kanë vendos njerëz partiak nëpër pozicione të caktume kanë thënë që ky mund të jetë partiak por megjithatë është profesional – ky arsyetim nuk mund të pranohet”, tha Demhasaj i ‘Çohu‘.

“Unë besoj që së pari kjo është detyrë zyrtare e Prokurorisë së Kosovës, indicet që për veprën penale ekzistojnë dhe këto janë prezantuar në media, nëse dikush e përdorë pozitën e vet për me punuësu familjarë, të afërm ose zyrtarë politik atëherë i takon prokurorisë me hetu se si ka rrjedh ky proces. Dhe mendoj që Prokuroria e Shtetit të paktën për njërin prej këtyre konkurseve të paktën ka paralajmëru që ka fillu fazën e hetime. Por mendoj që kjo duhet të fillojë nga lartë duhet të hetohen prej ndërmarrjeve kur janë caktu bordet sepse aty ka fillu të vazhdojë kjo farë stërkeqej edhe mandej është pasqyru tek punësimet individuale e cila i cenon edhe të drejtat e kandidatëve tjerë”, tha Gjoshi.

Do t’i përcjellim të gjitha këto procedurat e rekrutimit edhe emërimet që do të bëhen edhe në borde dhe institucione tjera dhe në momentin kur vërejmë që ka elemente të veprave penale do t’i parashtrojmë, do të punojmë kallëzime penale për secilën procedurë në Prokurorinë e Shtetit.
Ne kemi filluar një betejë politike për 1 vit me radhe do të thotë nuk ka javë që LDK qoftë përmes konferencës, qoftë përmes përfaqësuesve të saj në Kuvend të Republikës e ka ngritë këtë shqetësim duke u kapur institucionet e pavarur kushtetuese dhe janë duke u bërë emërime politike në borde dhe ndërmarrje publike por kjo është vënë në veshë të shurdhur nga partia në pushtet, prandaj kemi ardhur në një moment që këtë betejë politike ta vendosim në në një betejë tjetër që është betejë në institucionet e drejtësisë”
, paralajmëroi Manaj i LDK-së.

Lexo edhe:

“Ne jemi skuqur pak” – zyrtari i PDK-së flet për kapjen e shtetit nga Vetëvendosje e Albin Kurtit

“Axha, motra, balldëska” – Krasniqi ua numëron listën e gjatë të farefisit që u punësuan nga VV

“Njëherë po ç ‘kapet e tani po kapet – VV po e vazhdon avazin e vjetër”

LDK paralajmëron betejë me Vetëvendosjen

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark