Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se organizata e shpallur e jashtëligjshme, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) është përgjegjëse për sulmin e sotëm me bombë në qendër të qytetit, Kayseri.
Përmes një komunikate dërguar mediave më 17 dhjetor, Erdogan ka thënë se “organizata terroriste separatiste” është përgjegjëse për sulmin mbi autobusin i cili bartte ushtarë që nuk ishin në detyrë.
Autoritetet turke kanë thënë se 13 ushtarë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas shpërthimit të një veture bombë që kishte cak një autobus që bartte personel ushtarak në qytetin Kayseri, më 17 dhjetor.
Ministri i brendshëm turk, Suleyman Soylu iu ka thënë gazetarëve se 55 persona janë duke u trajtuar në spital prej shpërthimit. Ai ka thënë se 12 nga të lënduarit janë në kujdesin intensiv, prej të cilëve 6 janë në gjendje të rëndë.
Pamjet filmike tregojnë se autobusi është shkatërruar pothuajse i tëri nga shpërthimi.
Shpërthimi në Kayseri ndodhi një javë pasi 44 persona janë vrarë në dy sulme në Stamboll, përgjegjësinë e të cilit e kanë marrë militantët kurdë.
Zëvendëskryeministri, Veysi Kaynak, në një paraqitje televizive ka thënë se shpërthimi në Kayseri është “fatkeqësisht i ngjajshëm” me sulmet në Stamboll, njofton rel.
Turqia është përballur me sulme vdekjeprurëse me bomba gjatë tërë vitit 2016, shpërthime këto që kanë marrë jetën e dhjetëra njerëzve. Për këto sulme fajin e kanë marrë edhe militnatët kurdë dhe pjesëtarët e grupit, Shteti Islamik.