Presidenti turk Recep Tayip Erdogan duket se ka marrë krahë pas takimit me homologun rus Vladimir Putin, aq sa t’i kërkojë Uashingtonit që të zgjedhin.
“Shtetet e Bashkuara duhet të zgjedhin, Turqinë ose Gulenin”, ka deklaruar Erdogan duke i dhënë administratës amerikane ultimatumin për ekstradimin e klerikut, të cilin e akuzon për organizim të grushtit të dështuar të shtetit.
“Herët a vonë Shtetet e Bashkuara do të duhet të bëjnë një zgjedhje, ose Gulen, ose neve”, ka thënë Erdogan përpara mijëra mbështetësve në një tubim në Ankara.
Apelet e Turqisë drejtuar Amerikës kanë qenë të shumta pas dështimit të grushtit të shtetit, i konsideruar si një shfaqje e Erdogan.
Por edhe përgjigjia e Uashingtonit nuk ka munguar. Sekretari i Shtetit, John Kerry i ka bërë thirrje presidentit turk që të ketë kujdes me fjalët.
Megjithatë, për të vlerësuar nivelin e marrëdhënieve me Turqinë, sidomos pas vizitës së Erdogan në Moskë, vetë Kerry do të vizitojë Ankaranë. /TCh