Erdogani, "armik i lirisë së shtypit" - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Erdogani, “armik i lirisë së shtypit”

    Insajderi
    02 November 2016 - 19:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Organizata ndërkombëtare “Reporterë pa Kufij” e klasifikon ndërkohë edhe presidentin e Turqisë ndër “armiqtë” e lirisë së shtypit.

    Në raportin e fundit për “armiqtë e lirisë së shtypit”, organizata “Reporterë pa Kufij” ka klasifikuar sivjet 35 presidentë dhe kryeministra, ekstremistë dhe organizata kriminale si dhe shërbime sekrete. Për herë të parë në këtë listë është futur edhe presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan. Ai pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme po kontrollon një pjesë të madhe të mediave në këtë vend.

    Përveç kësaj, në Turqi janë aktualisht në burgje rreth 130 gazetarë, ndërsa janë mbyllur të paktën 140 media, kumtoi organizata “Reporterë pa Kufij”, me rastin e ditës kundër krimeve ndaj gazetarëve, shkruan DW.

    Udhëheqësi i organizatës “Reporterë pa Kufij” Christian Mihr i tha Deutsche Welle-s se vala e dhunës ndaj gazetarëve në Turqi ka arritur ndërkohë përmasa tepër shqetësuese. Ky vend gjendet në “rrugën drejt diktaturës”. Ai kërkon nga qeveria federale gjermane që të marrë një qëndrim të prerë për gjendjen në Turqi. “Nuk mjafton sipas mendimit tonë ajo që ka bërë zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert, i cili tha se “gjendja në Turqi po shihet me shqetësim”. “Kohët e shqetësimeve kanë kaluar kaherë”, thotë Mihr në bisedë me DW.

    Në listë janë edhe presidenti i Egjiptit Abdel Fattah al-Sisi, shefi i Juntës në Tajlandë, Prayut Chan-o-cha dhe presidenti i Burundit Pierre Nkurunziza. Për herë të parë “Reporterët pa Kufij” kanë renditur në këtë listë edhe mbretin e Arabisë Saudite Salman, presidentin e Venezuelës Nicolas Maduro, rebelët Huthi në Jemen dhe “Shtetin Islamik”.

    “Kaq shumë emra të rinj ndër armiqtë e lirisë së shtypit dëshmon se autokratët dhe ekstremistët e të gjitha ngjyrave edhe më tej besojnë se mund të bëjnë shtypjen e mediave pa u dënuar fare”, thotë zëdhënësi i “Reporterët pa Kufij” Michael Rediske.

    Në listë gjendjen edhe “armiqë shumëvjeçarë të lirisë së shtypit”. Ndër ta janë për shembull: presidenti i Eritresë Isaias Afewerki, Sudanit Omar al-Baschir, presidenti dhe shefi i partisë në Kinë Xi Jinping si dhe diktatori i Koresë së Veriut Kim Jong Un. Në një gjendje katastrofale edhe më tej janë gazetarët e pavarur në Kubë, Singapur, Rusi dhe Siri. “Disa pushtetmbajtës për më shumë se dy dekada po i përndjekin, torturojnë dhe vrasin gazetarët, pa asnjë proces”, thotë Rediske. Ndaj kërkohet që “Kombet e Bashkuara të përcaktojnë një të ngarkuar të posaçëm për mbrojtjen e gazetarëve”.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark