
Ergys Dashi, ishte një emër jo shumë i lakuar në ambientet e kronikës së zezë në Shqipëri. Të paktën, kështu dukej, deri më 23 janar 2022. Mbrëmjen, ku 20 plumba të derdhur ndaj tij në një lokal në Ekuador, do të zbulonin edhe Cv-në e tij të pasur në botën e narkotrafikut. Emisioni ‘Në shënjestër’ i gazetares Klodiana Lala sjell detaje të pathëna në lidhje me profilin dhe veprimtarinë e Dashit.
Se si një djalë nga Durrësi që jetonte midis Torinos dhe Amsterdamit, kishte mundur të ngjitej kaq lart në organizimin e një prej rrjeteve më të sofistikuara ndërkombëtare të tregtisë së kokainës. Që lidhte në mënyrë të enkriptuar, dy botët e drogës, atë të Amerikës së Jugut dhe Evropës. Por si mundi ky 34-vjeçar të ishte ndërlidhësi i kokainës midis Ekuadorit dhe Evropës. Si arriti të krijonte në fare pak kohë një rrjet kaq të sofistikuar trafikimi dhe shpërndarje, në disa prej lokacioneve më të rëndësishme metropolitan të Evropës.
Por mbi të gjitha, si mundi të ishte një emisar i suksesshëm i drogës në Ekuador, duke qenë vetë ndërmjetësi për kalimin e tonelatave me kokainë drejt Evropës. Ndërkohë, që Ekuadori ishte kthyer nga një parajsë, në varrin e trafikantëve shqiptarë të drogës. Të cilët po eleminoheshin një e nga një, duke e kthyer këtë vend të largët për Shqipërinë, në vendin funebër të bosëve dhe komisarëve të rinj shqiptarë të drogës.
Fat, të cilit duket se nuk do t’i shpëtonte as Ergys Dashi. I riu nga Shqipëria ishte një emër jo shumë i trazuar në Shqipëri në botën e krimit. Të paktën kështu dukej deri ditën kur nga përtej Oqeanit Paqësor erdhi lajmi për ekzekutimin e shqiptarit të radhës në Ekuador. Një ekzekutim tipik mafioz që zbuloi njëkohësisht edhe udhëtimin e një personazhi enigmatik për shqiptarët, por jo për drejtësinë e huaj. Drejtësi, e cila e kishte në monitorimin e saj të vazhdueshëm, si një nga organizatorët më të mëdhenj të transportit të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.