Gazetari Ernest Luma ka bërë të ditur se Radio Televizioni i Kosovës (RTK) e ka larguar nga puna më 28 gusht, pas një procedure disiplinore të iniciuar për disa postime të tij në rrjetin social Facebook.
Luma ka njoftuar se për këtë vendim ka paraqitur padi në gjykatë dhe në instancat e tjera kompetente, duke e cilësuar largimin si të padrejtë dhe diskriminues.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka pretenduar se masa ndaj tij është marrë për shkak të sarkazmës në shkrimet e tij lidhur me zhvillimet në vend.
“Vendimi kishte ardhur ngase dikush diku nuk e ka duruar sarkazmën ndaj zhvillimeve në vend, në shkrimet e mia”, ka shkruar Luma.
Sipas tij, procedura disiplinore ishte iniciuar nga ushtruesi i detyrës së kryeredaktorit të RTK-Radios dhe më pas ishte aprovuar nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të këtij mediumi.
Luma ka thënë se vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës i ishte dërguar përmes postës elektronike, brenda pak ditësh dhe pa arsyetime të detajuara për shkeljet që pretendohej se kishte bërë.
Ai ka argumentuar se postimet në profilin e tij personal nuk kishin të bënin me angazhimin profesional në RTK dhe se në to nuk e kishte përmendur mediumin publik.
Gazetari ka pretenduar gjithashtu se masa ndaj tij ishte selektive, duke thënë se edhe të punësuar të tjerë në RTK shprehin opinione personale në rrjetet sociale, por ndaj tyre, sipas tij, nuk janë ndërmarrë masa të ngjashme.
Luma e ka krahasuar largimin e tij me largimet nga puna të shqiptarëve gjatë viteve 1989-1990, në kohën e regjimit të Slobodan Millosheviqit.
“Largimi im nga puna në RTK, fatkeqësisht më ka kujtuar vitet e largëta e të hidhura, 1989/90 të kohës së regjimit okupator të Millosheviqit”, ka shkruar ai.
Ai ka theksuar se RTK-ja duhet të jetë medium i publikut dhe jo i pushtetit, ndërsa ka shprehur shpresën që çështja e tij të marrë epilog përmes instancave kompetente dhe gjykatave.
Luma ka bërë të ditur se ka bashkëngjitur edhe postimet në rrjetet sociale, të cilat, sipas tij, ishin përdorur si bazë për inicimin e procedurës disiplinore dhe vendimin për largimin e tij nga puna.