Adil Olluri, i lindur në vitin 1984 në Lipjan, është shkrimtar nga Kosova, i cili shkruan prozë artistike dhe kritikë letrare.
Olluri ka botuar deri më tani monografitë “Trilogjia postmoderne”, “Romani postmodern shqiptar”, “Fytyra e tiranisë”, “Shkrimtari polimorf”. Ka shkruar romanin “Bartësi i shpirtrave të përzënë”, i cili kishte një sukses të madh si në vendin tonë, ashtu edhe jashtë kufijve. Gjithashtu ka botuar edhe dy veprat me tregime “Kthimi i profetit” dhe “Shumë rrugë dhe një rënie”. Adil Olluri është fitues i shumë çmimeve letrare, ku ndër to është edhe çmimi “Premio Ostana Internazionale”. Ai aktualisht punon në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Libri i parë
Nuk më kujtohet cili ka qenë libri i parë që e kam lexuar. Mund të ketë qenë ndonjë lektyrë shkollore, por nuk e mbaj mend. Mund ta shënoj ndonjë titull për “mirësjellje” dhe “korrektësi” me leximet e një filloristi, por do të ishte e pandershme. Por, në moshën e fëmijërisë së vonë u njoftova me një libër me poezi të martirit, mësuesit dhe poetit, Fazli Grajçevci, i vrarë nga komunistët jugosllavë. Më sa mbaj mend, libri mbante titullin “Flamur nga Drenica”. Pas leximit të këtij libri, gjyshi më tregonte se si e kanë vrarë jugosllavët dhe se si një mjek i ndershëm shqiptar nuk kishte pranuar që ta nënshkruante mashtrimin dhe ta shpallnin si të vetëvrarë, jo vrasje në duart e sigurimit famëkeq. Ndoshta përmes këtij libri dhe jetës së këtij martiri jam njoftuar për herë të parë me armiqësinë shqiptaro-serbe dhe faktin se jemi të okupuar nga Serbia. Mund të kem qenë njëmbëdhjetë apo dymbëdhjetë vjeçar atëkohë dhe secili mësues i imi më dukej si një viktimë e mundshme për t’u rrëmbyer dhe për të pësuar njëjtë sikurse martiri në fjalë. Fshati im i lindjes nuk ishte larg prej fshatit të Fazli Grajçevcit dhe një ndjesi e tillë pas leximit të librit të tij dhe dëgjimit të rrëfimit për të ishte e natyrshme për kohën e okupimit. Jemi rritur me frikë dhe kush i mban mend lektyrat e para apo librat për fëmijë. Megjithatë, mbaj mend që atëherë e pata lexuar edhe një libër të Anton Çettës me titull “Prozë popullore nga Drenica”, të cilin gjyshit tim ia kishte dhënë një historian i njohur i anës sonë, gjegjësisht profesori i ndjerë Muhamed Pirraku. Gjyshi im, ndjesë pastë, ishte imam që lexonte shumë, jo vetëm literaturë fetare, por edhe literaturë laike. Ai më rriti me idenë se religjioni është një akt i përshpirtshëm personal, si lutje e falënderim për Zotin, e jo si mjet për urrejtje ndaj tjetrit. Gjyshi im ishte një imam humanist dhe dashamirës ndaj secilit që kishte nevojë për të. Ai ishte një njeri që lexonte vazhdimisht. Ai ishte njeriu që ma nxiti kureshtjen për librin dhe leximin e tij. Edhe pse lexonim literaturë të ndryshme e me mesazhe krejtësisht të ndryshme, pasionin për lexim e kishim të njëjtë. Këtë dëshirë të pashtershme për lexim, ai e kishte të trashëguar nga gjyshi i tij, Azem Efendi Olluri, poet i rrymës së letërsisë së bejtexhinjve dhe njëri nga intelektualët më në zë të kohës së tij.
Libri që do të doje ta kishe shkruar
Unë jam vetë shkrimtar dhe nuk do të dëshiroja t’i përgjigjesha kësaj pyetje. Një shkrimtar i mirëfilltë nuk do ta bënte një gjë të tillë. Edhe nëse ndonjëherë kam thënë se do të doja të isha autori i këtij apo atij libri, ta dini se kam gabuar. Mund të më ketë rrëmbyer ngazëllimi i çastit pas leximit të ndonjë vepre që mund të më këtë pëlqyer.
Libri që në këtë moment do të doje ta lexonte tjetri
Nëse këtij interesimi tuaj i përgjigjem si krijues, natyrisht se do të doja që tjetri t’i lexonte dy romanet e shkruar nga unë, si “Vdekja e Omerit” (Onufri, Tiranë, 2022) dhe “Bartësi i shpirtrave të përzënë” (Onufri, Tiranë, 2020). Mendoj se është kërkesë dhe dëshirë e natyrshme e një shkrimtari që tjetri, lexuesi, t’ia lexojë veprat e tij. Nuk keni pse çuditeni me këtë vullnet të brendshëm prej shkrimtari. Unë nuk jam demagog që t’i gënjejë lexuesit dhe të them se lexojeni atë, lexojeni këtë, sepse për veprën time nuk më bëhet vonë. Jo, unë synoj që të më lexojnë dhe pikërisht për këtë gjë i kam shkruar romanet. Sa më lexojnë dhe sa më vlerësojnë të tjerët është çështje tjetër dhe unë nuk mund të ndërhyj në këtë gjë. Megjithatë, një shkrimtar do të dëshironte që lexuesi apo tjetri pikësëpari t’ia lexonte veprat e tij, romanet apo poezitë, varësisht se ç’lloj e ç’formë letrare shkruan. Vetëm ata që iu gënjejnë dhe e luajnë të mirësjellshmin para publikut do të thoshin ndryshe.
Libri që jua ka ndryshuar jetën
Nuk mund ta shënoj një titull libri dhe të them se ky ma ka ndryshuar jetën, por mund të them se letërsia ma ka ndryshuar jetën. Letërsia më ka bërë besimtar të saj. Padyshim, sot mund të them se jam besimtar i letërsisë. Një vepër e caktuar letrare ma ka ndryshuar një mendim rreth një çështje të caktuar kulturore a letrare. E kam thënë një intervistë të ngjashme për javoren letrare “ExLibris” se para se ta lexoja romanin “Muzeu i pafajësisë” të Orhan Pamukut kam menduar se një rrëfim për dashurinë nuk mund të prodhojë më romane të mëdha. Një mendim tërësisht i gabuar. Para se t’i lexoja poezitë e Rumiut kam menduar se perëndimoret e shkruajnë më mirë poezinë. Po ashtu, një mendim tërësisht i gabuar. Pra, veprat e caktuara m’i kanë ndryshuar mendimet e caktuara, ndërsa letërsia si tërë ma ka ndryshuar jetën. Më ka bërë besimtar të saj.
Libri i përfolur që ende s’e keni lexuar
Të them të drejtën, nuk ngarend shumë pas leximit të librave që përfliten shumë. Kam një mënyrë tjetër të leximit. Nëse më pëlqen një vepër e filan autorit, bëhem kureshtar për ta lexuar edhe një vepër tjetër të tij. Kam dëshirë që librat e përfolur t’i lexoj kur ndalojnë llafet rreth tyre, kur nuk përfliten më.
Libri i përfolur që ju ka zhgënjyer
Përflitej shumë libri i një autori kosovar. Flisnin, shkruanin e bërtisnin rreth tij. E pata lexuar katër vite pas botimit të tij. U ndava më se i zhgënjyer prej tij. Nuk dua t’ia përmend emrin, meqë formati i intervistës suaj nuk është polemizues, jo pse frikësohem se ai do të më rrahë rrugës.
Libri që ju ka befasuar
Në jetim time leximtare jam befasuar më shumë se njëherë nga letërsia e mirë. Jam befasuar për të mirë, natyrisht. Jam befasuar këndshëm nga Homeri, Virgjili, Eskili, krijues të rrëfimeve për heronj e hyjni, nga Dante i rrëfimit për stërkeqjen e virtyteve njerëzore, nga Servantesi, Balzaku, Hygoi, Gogoli, Dostojevski, Tolstoj, Kamy, Sabato, Hesse, Kafka, Borghes, Markezi, M. Selimoviq, D. Kish, Rulfo, Kadare, Qosja, Petro Marko, Agolli, Arapi, Rr. Dedaj, Ymer Shkreli dhe së fundi nga Hajdar Salihu, por edhe nga shumë shkrimtarë të tjerë shqiptarë dhe të përbotshëm, për të cilët mund të flasim ndonjë ditë tjetër. Letërsia e madhe, e mira, e bukura, jo vetëm që më ka befasuar, por më ka bërë që të dashurohem e të “marrosem” tërësisht pas saj. Thash edhe më parë, e quaj veten besimtar të devotshëm të letërsisë.
Libri të cilit i jeni rikthyer disa herë
Ka më shumë se një vepër që i jam rikthyer për të lexuar për të dytën e të tretën herë. Tash synoj që ta rilexoj, t’i rikthehem romanit “Mjeshtri dhe Margarita” të Bulgiakovit, një roman me një rrëfim për dy kohë, të cilin e kam lexuar para disa viteve, nuk e di saktë, kur botuesi prishtinas “Koha” e pat botuar kolonën e njëzetë romaneve të rëndësishme e të vlershme. Kam dëgjuar se një botues tiranas e ka botuar në një format më të këndshëm për lexim dhe besoj që do ta rilexoj së shpejti.
Libri i fundit
Libri i fundit që e kam lexuar është “Tymi”, një novelë e shkrimtarit të rëndësishëm amerikan Uilliam Fokner. Meqë ditë më parë e lexova romanin “Dritë e gushtit” të këtij shkrimtari, u gëzova që e gjeta edhe një vepër të tij të përkthyer në shqip dhe dëshiroja që ta njihja më shumë këtë prozator. “Dritë e gushtit” është një kryevepër, më goditi me fuqinë rrëfyese dhe me bukurinë e krijimit të situatave dhe personazheve, ndërsa “Tymi” më zhgënjeu goxha shumë./GazetaExpress