×
  • Lajme
  • Insajderi

    Escobar i prerë: “Zajednica” do të bëhet me këtë qeveri, apo me atë që vjen pas saj

    Insajderi
    07 June 2023 - 14:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, deklaroi sot në Beograd se situata në veri të Kosovës duhet të de-përshkallëzohet menjëherë, gjë që, siç tha ai, do të thotë se kryetarët e sapozgjedhur në komunat veriore nuk do t’i kryejnë detyrat e tyre nga ndërtesat komunale, që pjesëtarët e Policisë së Kosovës të tërhiqen nga objektet komunale dhe kryeministri Kurti t’i rikthehet dialogut.

    Duke iu drejtuar mediave në ambasadën amerikane në Beograd, Escobar tha se SHBA dhe BE shpresojnë që do të mbahen zgjedhjet e reja dhe se duan që serbët të marrin pjesë në to, përcjell Gazeta Insajderi.

    “Sfida më e madhe për Serbinë është të bindë serbët që të kthehen në institucione. Presidenti Aleksandar Vuçiq tha se do të përdorë ndikimin e tij që serbët të marrin pjesë në zgjedhje”, deklaroi Escobar.

    Sa i përket çështjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ai tha se do të ketë një të tillë.

    “Pyetja e vetme është nëse me këtë qeveri të Kosovës apo me atë të ardhshme. Asociacioni është një kërkesë që Qeveria e Kosovës duhet ta përmbushë. Është e thënë në Marrëveshjen e Brukselit, në konkluzionet e Këshillit të BE-së dhe në Marrëveshjen e Ohrit. Nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë, por mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Escobar.

    Ai ka thënë se Marrëveshja e Ohrit është shumë e rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbise dhe se ajo thekson obligimet e të dyja palëve.

    “Ne duam që të dy palët të ulen së bashku dhe të përqëndrohen në planin e zbatimit dhe formimin e Asociacionit. Unë mendoj se ne mund të kemi shumicën e elementeve të arritura deri në fund të vitit”, tha Escobar.

    I pyetur nga një gazetar serb se cili është afati i fundit për tre kërkesat, përfshirë zgjedhjet e reja, nëse është ndoshta mesi i korrikut, apo edhe pas kësaj, Escobar tha se “sigurisht nuk do të pres deri në korrik”.

    “Pra, unë mendoj se sfida më e madhe për Serbinë është që të bindë serbët në Kosovë që të kthehen në institucione. Ne duhet të sigurohemi që serbët që marrin pjesë në zgjedhje dhe kthehen në institucionet janë të mirëseardhur”, vuri në dukje Escobar.

    Ai tha se pret që dialogu në mes të të dërguarit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, dhe Qeverisë së Kosovës të vazhdojë edhe pas largimit të tij nga Beogradi.

    “Nuk e di nëse ka pasur ndonjë reagim nga Qeveria e Kosovës deri më tani. Shpresoj se ata do ta pranojnë se ka pasoja, të cilën e kam treguar, e cila është se, siç thashë, t’i kthesh shpinën propozimit evropian do të thotë t’i kthesh shpinën BE-së, dhe kjo përfshin Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Kjo, në vetvete, është pasojë shumë e rëndë. Ne si miq të tyre i inkurajojmë që të bashkëpunojnë, të koordinohen dhe të harmonizohen me ne dhe të arrijnë stabilitetin rajonal”, tha emisari amerikan.

    Ai ka theksuar se partneriteti SHBA-BE është i hapur për Kosovën, por nëse vazhdojnë me veprime të njëanshme, do të largohen nga ai partneritet.

    “Edhe kjo është gjithashtu një nga pasojat”, tha Escobar.

    Ai ka theksuar se as në Prishtinë e as në Beograd nuk ka dhënë afate deri në të cilat duhet të përmbushen kërkesat e SHBA-së dhe BE-së për de-përshkallëzim të krizës.

    “Si Lajçak edhe unë do të dorëzojmë raporte pas këtyre vizitave. Të premten, unë do të dorëzoj një raport në Shtëpinë e Bardhë nëse ka ndonjë përparim apo jo. Lajçak do t’i paraqesë një raport Borrellit. Nuk ka afat, por është hapi i radhës për mua dhe në bazë të raportit tim do të vendosim për hapat e ardhshëm”, tha Escobar. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark