I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Përendimor, Gabriel Escobar, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ka paralajmëruar një raund të ri bisedimesh për dinarin në Bruksel.
Escobar shpreson që Qeveria do të jetë fleksibile në bisedimet të martën.
“Do të vazhdojmë në këtë çështje, por është çështje emergjente humanitare që duhet menjëherë të adresohet. Dhe shpresoj që qeveria të jetë e përgatitur të jetë fleksibile në diskutimet në dialog të marten”, ka thënë ai.
Ndryshe, Kurti si dhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë disa herë kanë thënë se dinari s’mund dhe s’do të diskutohet në dialog, meqenëse sipas tyre ky është një vendim i organit të pavarur siç është BQK-ja. Madje edhe në takimin e fundit në Bruksel delegacionit të Kosovës i priu Guvernatori i BQK-së.
Më 1 shkurt, Banka Qendrore e Kosovës fuqizoi një rregullore, e cila e përcaktoi euron si valutë të vetme për pagesa me para të gatshme në Kosovë.
Rregullorja, rrjedhimisht, ndaloi përdorimin e dinarit, valutë në të cilën komuniteti serb në Kosovë pranon pagesa të ndryshme nga Serbia – nisur nga pagat e pensionet e deri te shtesat për fëmijë.
Rregullorja shkaktoi zemërim në mesin e serbëve, por edhe te bashkësia ndërkombëtare.
Kjo e fundit kërkoi pezullimin e saj, derisa qytetarët e prekur të përshtaten me praktikën e re.
Autoritetet në Kosovë, deri më tash, nuk treguan shenja të zmbrapsjes. BQK-ja tha vetëm se do të ketë një periudhë tranzicioni për zbatimin e saj, por jo më gjatë se tre muaj.
Kosova nuk ka një ligj të veçantë që e përcakton përdorimin e monedhës kombëtare, por ka një rregullore që e mundëson përdorimin e euros.
Kushtetuta e Kosovës parasheh që si mjet pagese të përdoret një monedhë e vetme, por nuk specifikon se cila.