Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se qëndrimi në Francë i është bërë bajat atij, pasi ka deklaruar se po mbahet padrejtësisht në shtetin francez.
Në një intervistë me Albinfo.ch, lideri i AAK-së ka rrëfyer kohën që po kalon në një hotel të qytetit të Strasburgut. Ka thënë se e ka të vështirë të qëndrojë në Francë, për vet faktin se e ka të detyruar të qëndrojë aty.
“Tani unë jam i lirë këtu në Francë, nuk kam kufizime në liri, por ajo që është e vështirë, është se jam i detyruar të qëndroj këtu. Pra është një padrejtë në vete dhe, po, u bë bajat qëndrimi këtu”, ka thënë Haradinaj në një intervistë të zhvilluar me Albinfo.
Haradinaj u shpreh se gjatë kohës sa po qëndron në Francë, ka kontakte të përditshme me familjarët e tij.
“Unë flas me babën dhe nënën çdo ditë në telefon, flas edhe me Dautin, me fëmijët dhe Anitën e cila vjen kohë pas kohe. Ndërsa fëmijët i nuk i kam sjell këtu se janë në shkollë. Mirëpo këtu e kam pas gjatë gjithë kohës prej se jam ndaluar, përkrahjen e Gani Dreshajt, të cilin e kam edhe koleg, por kam pasur përkrahje të jashtëzakonshme edhe të bashkatdhetarëve tanë prej të gjitha trevave shqiptare dhe prej gjitha vendeve ku jetojnë. Ka qenë një kujdes, një ngrohtësi e jashtëzakonshme edhe e atyre që jetojnë këtu në Strasburg. Janë shumë të afërt, shumë të dashur”, tha Haradinaj.
Kreu i AAK-së u arrestua më 4 janar të këtij viti në Basel të Francës, në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëashuar nga Serbia në vitin 2004. /Insajderi.com