"Është shkelur ligji, por të mos shfuqizohen kontratat" - raporti skandaloz i ekspertit të OSHP-së për rrugën “Prishtinë-Podujevë” - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Është shkelur ligji, por të mos shfuqizohen kontratat” – raporti skandaloz i ekspertit të OSHP-së për rrugën “Prishtinë-Podujevë”

    Insajderi
    24 August 2023 - 21:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Se nuk është respektuar Ligji i Prokurimit Publik, kur janë lidhur kontratat për zgjerimin e rrugës Prishtinë –Podujevë e ka konfirmuar edhe një organ tjetër që është i thirrur për të vendosur ligjshmërinë në tender. Eksperti shqyrtues i Organit Shqyrtues të Prokurimit –OSHP ka gjetur se ministria që udhëhiqet nga Liburn Aliu e ka shkelur ligjin në këtë rast. Raporti i është dorëzuar Panelit të OSHP-së, i cili si organ vendimmarrës do ta shqyrtojë atë, dhe i cili pritet të vendosë nëse do ta miratojë ose jo mendimin e ekspertit të vet. Por, tashmë nuk ka asnjë rendësi nëse raporti do të miratohet me të gjetura, pasi punët në terren kanë nisur. Ai mund t’i kryej punë vetëm prokurorisë. Periskopi e posedon një kopje të raportit dhe do të shpalosë disa detaje nga ai.

    Janë dashur disa javë që eksperti i OSHP-së të nxjerrë një raport të ekspertizës lidhur më ankesën që ka ushtruar kompania “Sallahu” për tenderin “Zgjerimi i rrugës Nacionale N25, Prishtine-Besi – Podujeve, Loti 0,1,2 , 3 dhe strukturat Lot 5.”, iniciuar nga Ministria e Infrastrukturës.

    Ani pse janë vërtetuar pretendimet ankimore, bazuar në parimet e Ligjet të Prokurimit Publik dhe detyrat e ekspertit shqyrtues, raporti është jo profesional dhe kontrovers. Kjo për shkak se ekspertja shqyrtuese që ka hartuar raportin, Blerina Huruglica nuk ka shqyrtuar pretendimet kryesore të ankesës, nëse kanë qenë të përgjegjshëm operatorët ekonomikë të cilëve u është dhënë kontrata, apo jo.

    Mendimi përfundimtar i Hurgliut ka rezultuar që të jetë kontravers për faktin se ka vlerësuar fillimisht se është bërë shkelje ligjore, por se ka rekomanduar që të mbetët në fuqi vendimi i ministrisë për dhënie të kontratës.

    Për më tepër, kjo eksperte e OShP-së, ka dalë edhe jashtë kompetencave të saj, duke arsyetuar rekomandimin e saj për mos shfuqizimin e kontratave,”pasi interesi publik është më i madh”.

    “Pra, ky aktivitet i prokurimit veçse ka nënshkruar kontratat si dhe kanë filluar punimet, marrë parasysh dëmet dhe interesin publik i cili mendoj se është më i madh nëse shfuqizohet kontrata nga ky veprim, se sa rivlerësimi dhe dhënia e qasjes për OE ankuesin, andaj si e tillë duke u bazuar në këtë fakt pretendimi i OE ankuesit lidhur me shkeljet e përmendura si më lartë konsideroj se gjenden të bazuara, ku të cilën ankesë e kualifikon si pjesërisht të bazuar ndërsa rekomandoj panelin shqyrtues që vendimi AK-së të mbetet në fuqi. Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet pjesërisht si e bazuar, ndërsa të mbetet në fuqi vendimi i Autoritetit Kontraktues”, thuhet në fjalën përfundimtare të ekspertit shqyrtues të cilën e ka shënuar në raportin që përmban 53 faqe. (RAPORTI)

    Fillimisht, kompania ankuese ka shprehur faktet e saj, duke pretenduar se ministria ka shkelur ligjin duke mos i lejuar që të ketë qasje në dokumentet e kompanive që janë shpërblyer me tender.

    “Eksperti Shqyrtues sa i përket pretendimit të OE ankues lidhur me shkeljet e autoritetit kontraktues për refuzim të qasjes, konsideroj se janë qëndrueshme, për faktin se AK në momentin që OE ankuesi ka kërkuar qasje mbi ofertat e OE të rekomanduarve me datën e njëjtë të publikimit të njoftimit B58 pra 31.05.2023, po ashtu duke tentuar OE ankuesi edhe përmes e-mail me datë 01.06.2023 dhe 02.06.2023, ky i fundit me datë 02.06.2023 nuk i ka dhënë qasje meqë autorizimi dhe kërkesa në fjalë ka qenë diskutabile për AK-në”, thuhet në mendimin e eksperti tek pika parë.

    Po, ashtu, eksperti e ka vërtetuar edhe shkeljen më flagrante të ministrisë e cila nuk e ka pezulluar tenderin, kur operatori ekonomik ka dorëzuar në ankesë në OSHP, por ka proceduar më nënshkrim të kontratave.

    “Tutje pretendimi i rradhës, lidhur me nënshkrimin e kontratës, eksperti shqyrtues pas analizimit dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës në e-prokurim gjegjësisht datat, sqaron se, AK në e-prokurim fillimisht me datë 31.05.2023 publikon Njoftimin mbi vendimin, pastaj me datë 09.06.2023 ka publikuar Njoftimin për dhënie të kontratës, pastaj vërejmë se me datë 19.06.2023 janë nënshkruar kontratat, kurse Ankesa në OSHP është dorëzuar pranuar me datë 15.06.2023, si e tillë pretendimi gjendet i bazuar për faktin se nuk është pezulluar aktiviteti si dhe janë nënshkruar kontratat”.

    Meqenëse kompanisë ankuese, nuk i është lejuar qasje në dokumentet e ofertimit të kompanive të rekomanduar për kontratë, për të cilat ka dyshuar se nuk i plotësojnë kërkesat, kompania në ankesën e saj ishte shprehur se fituesit nuk i kanë përmbushur asnjë prej kërkesave të dosjes së tenderit.

    Në fakt, kjo ka qenë edhe pika kulmore e ankesës, dhe të njëjtën eksperti nuk e ka shqyrtuar fare.

    “Tutje, për kundër faktit që OE ankuesi nuk ka poseduar qasjen, mirëpo si ekspert shqyrtues nuk kam kompetenca që të siguroj qasjen. Andaj lidhur me pretendimet e OE ankuesit për shqyrtimin e ofertave të operatorëve ekonomik të rekomanduar, për të cilat nuk ka pretendime konkrete në ankesë, që mund të shqyrtohen, po ashtu marrë parasysh që i njëjti është i eliminuar, si e tillë nuk mundem me dhënë mendim”, ka shkruar eksperti.

    Pra, ka konstatuar se nuk ka pretendime konkrete në ankesë, prandaj nuk i ka shqyrtuar, gjë që rezulton e pavertetë per faktin se brenda raportit që e ka paraqitur eksperti janë dhjetëra pika konkrete pretendimore. P.sh, njëra nga to.

    Eksperti është dashur që të marrë komplet ofertat dhe të shohë nëse kompanitë i kanë përmbushur apo jo kërkesat. Kjo do t’i merrte edhe disa javë kohë, por e ka pasur obligim ligjor që ta bëjë.

    krejt në fund, eksperti ka konstatuar se “ky aktivitet i prokurimit veqse ka nënshkruar kontratat si dhe kanë filluar punimet, marrë parasysh dëmet dhe interesin publik i cili mendoj se është më i madh nëse shfuqizohet kontrata nga ky veprim, se sa rivlerësimi dhe dhënia e qasjes për OE ankuesin, andaj si e tillë duke u bazuar në këtë fakt pretendimi i OE ankuesit lidhur me shkeljet e përmendura si më lartë konsideroj se gjenden të bazuara, ku të cilën ankesë e kualifikon si pjesërisht të bazuar ndërsa rekomandoj panelin shqyrtues që vendimi AK-së të mbetet në fuqi”.

    Ndonëse, eksperti e ka dhënë fjalën e vet përfundimtare mbetet në dorën e Panelit që të vendosu lidhur më këtë ekspertizë.

    Nga ana tjetër, eksperti ka konstatuar shkelje nga zyra e prokurimit, por nuk ka rekomanduar që t’i merret licenca e prokurimit udhëheqësit, Nexhat Krasniqi, i cili e ka udhëhequr këtë aktivitet të prokurimit. Konform LPP-së, ka qenë në kompetencën e tij që të bëjë një rekomandim të tillë për Panelin. Por, një vendim të tillë mund ta marrë edhe Paneli pa rekomandimin e tij.

    Shkelje të ligjit nga ana e ministrisë që drejtohet nga Liburn Aliu dhe zëvendësi i tij, Hysen Durmishi ka vërtetuar edhe Komisioni Rregulltiv i Prokurimit Publik –KRPP


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark