Ethem Çeku me vëllezër dalin para gjykatës – mbesa që i paditi për pronën e shtrenjtë jep detaje - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Ethem Çeku me vëllezër dalin para gjykatës – mbesa që i paditi për pronën e shtrenjtë jep detaje

    Insajderi
    28 August 2025 - 17:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Të hënën, më 15 shtator 2025, Gjykata do të zhvillojë seancën e radhës në rastin e bujshëm të pronës, ku në bankën e të akuzuarve do të ulen tre vëllezërit Ali, Ethem dhe Gani Çeku, shkruan Insajderi.

    Lajmin e ka bërë të ditur Doruntina Çeku, e cila ka paditur axhallarët e saj për një pronë të shtrenjtë, duke paralajmëruar se në këtë seancë do të dëgjohen dëshmitarët e miratuar, mes tyre edhe ajo vetë.

    “Se si u bë aktvendimi i trashëgimisë në vitin 2005, kush nënshkroi dhe si? Sa para janë marrë ndër vite kredi nga kjo pronë dhe ku kanë shkuar ato? Çka ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion Ethemi dhe cili është statusi i hetimit në raportimin që kam bërë? Për këto e shumë të tjera do t’ju mbaj të informuar në ditët në vijim”, ka shkruar Doruntina Çeku.

    Për çfarë prone po zhvillohet beteja gjyqësore mes familjes Çeku?

    Një pronë e shtrenjtë në Pejë është shndërruar në mollë sherri brenda familjes Çeku, duke çuar në një betejë të gjatë gjyqësore që tashmë ka marrë përmasa publike.

    Padia është ngritur nga Doruntina Çeku, e cila akuzon tre axhallarët e saj – Ethem Çeku, profesor universitar dhe ish-ministër në Qeverinë e Kosovës, si dhe vëllezërit e tij Ali e Gani Çeku – se i kanë marrë në mënyrë të paligjshme hisen e trashëgimisë së babait të saj, duke e vënë në rrezik pronën familjare.

    Sipas pretendimeve të saj, prona është përdorur pa autorizimin e ligjshëm të babait të saj për të marrë kredi të mëdha shumëvjeçare, duke u vendosur në hipotekë.

    Rasti, për të cilin Gazeta Insajderi ka raportuar vazhdimisht, po shqyrtohet në Gjykatën Themelore të Pejës, ku ka kaluar përmes disa gjyqtarëve, duke zvarritur procesin për vite të tëra.

    Së fundmi, pati zhvillime të reja: pavarësisht kundërshtimeve të avokatëve të të paditurve, gjykata ka vendosur që edhe vetë Ethem Çeku të dëgjohet si dëshmitar, për të hedhur dritë mbi aktvendimin e trashëgimisë të vitit 2005 dhe përdorimin e pronës si garanci për kredi të mëdha.

    Ndërkohë, procesi nuk ka munguar të shoqërohet edhe me përplasje publike.

    Tre vëllezërit Çeku kishin paditur Doruntinën për shpifje, duke kërkuar 5 mijë euro dëmshpërblim dhe ndalim të deklarimeve të saj në media e rrjete sociale për këtë çështje.

    Por si Gjykata Themelore ashtu edhe Apeli e kanë refuzuar kërkesën, duke i hapur rrugë vazhdimit të denoncimeve publike nga mbesa.

    Lexo edhe:


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark