Pas shpalljes së rezultateve zgjedhore në Lipjan, kandidati Fadil Sopa ka reaguar me një mesazh falënderues ndaj qytetarëve që e përkrahën në këtë garë.
Në një postim publik, ai shprehu mirënjohjen e tij të thellë për çdo votë dhe për secilin qytetar që kontribuoi në këtë fitore.
“Fitorja që arritëm nuk është vetëm e imja – është fitorja e secilit prej jush që besuat, punuat dhe qëndruat bashkë për një qëllim të përbashkët,” shkroi Sopa.
Ai falënderoi në veçanti familjen e tij, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë qytetarët që i dhanë mbështetje gjatë gjithë fushatës. Në mënyrë të veçantë, përmendi Ronin – djalin e dajës së tij – për angazhimin në rrjetet sociale, si dhe vëllain e tij të vogël, Tahirin, për ndihmën e çmuar në këtë proces.
Sipas rezultateve, Fadil Sopa është njëri prej kandidatëve më të votuar në këto zgjedhje në komunën e Lipjanit.
“Kjo fitore është simbol i unitetit, besimit dhe përkushtimit tonë të përbashkët. Së bashku do të vazhdojmë të punojmë me ndershmëri, transparencë dhe dashuri për qytetarët tanë, sepse Lipjani meriton më të mirën,” tha ai.